Abrashi: Kosova nuk kërkoi ndihmën e KFOR-it për verifikimin e veteranëve

Prishtinë | 11 Mar 2017 | 09:35 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova asnjëherë nuk  ka kërkuar ndihmën e KFOR-it për të zbardhur listat nga koha e demilitarizimit të UÇK-së për të zgjidhur problemin e numrit të madh të veteranëve.

Kështu është shprehur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një intervistë për Ekonomia Online i cili ka thënë se verifikimi i veteranëve ka qenë mandat i Komisionit Qeveritar, andaj nuk kanë kërkuar lista shtesë për këtë çështje.

“Jo nuk e kemi kërkuar, sepse procesi është dizajnuar ndryshe. Ka qenë një komision qeveritar i cili është formuar nga pjesëtarët e zonave i cili ka treguar se kush ka qenë ushtar dhe veteran i luftës çlirimtare në atë periudhë edhe është shkuar përmes një procesi publik ku të gjithë kanë konkurruar. Prandaj ne nuk kemi kërkuar lista shtesë nga cilido subjekt, sepse kemi menduar se ka qenë mandat i këtij komisioni, mandat ligjor që ata vetë me përcaktua se kush ka qenë ushtar në atë periudhë në bazë të aplikacioneve që kemi pranuar”, ka deklaruar Abrashi.

Ai ka pohuar se nuk kanë pritur asnjëherë që të ketë një numër kaq të madh të veteranëve.

“Është e vërtetë që nuk e kemi pritur, Qeveria në këtë rast sepse Komisioni ka vepruar si i pavarur dhe nuk e ka pritur këtë numër, gjithmonë është folur për një numër më të vogël. Por ky është numri për të cilin ky komision qeveritar, që ka pasur përfaqësues nga të gjitha zonat në krye me Agim Çekun ka dalë me raport se kanë qenë 46 mijë“, ka thënë Abrashi.

I pari i MPMP-së ka vazhduar duke treguar se me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Pensionistët, kategorizimi do të bëhet në disa shkallë.

“Ushtarët që janë angazhuar më herët, dhe ata në fazën e fundit të mobilizimit që të bëhet edhe një seleksionim ekstra nga ata të cilët nuk jetojnë në Kosovë, ose kanë vepruar jashtë por kanë në certifikatë statusin e veteranit. Do të thotë ata nuk preken por vazhdojnë të jenë, por nuk do të kenë benificione sikur ata që janë këtu. Kjo do të ketë një lehtësi në buxhet. Por tani, disa grupe e kanë dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe ne presim edhe vendimin final të Gjykatës Kushtetuese që të shikojmë se ku duhet të veprojmë tutje”, ka thënë Abrashi.

Ai gjatë kësaj interviste për Ekonomia Online, ka treguar edhe për përgatitjet dhe kontributin që jep Ministria e Punës por edhe Qeveria e Kosovës, për të rinjtë në tregun e punës dhe për kualifikimet e punëtorëve në orientimin e studentëve në karrierë.

“Ajo çka duhet të dihet është që tregu i punës si në Kosovë por edhe në botë është shumë dinamik, ndryshon në baza vjetore. Dikund 50 deri në 60 për qind e vendeve të reja të punës që janë krijuar pas vitit 1995 nuk kanë ekzistuar para vitit 1995 janë krejt vende të reja të punës që ndërlidhen me digjitalizim me teknologji informative, prandaj të rinjtë tonë duhet ti mësojmë nga shkolla fillore me këto aftësi, me këto mjete që ata të jenë të gatshëm që pas viteve kur dalin në tregun e punës të jenë të gatshëm të punojnë dhe t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës si në Kosovë si jashtë”, ka thënë Abrashi.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Kur jemi tek kategorizimi i veteranëve e dimë që KFOR-i mund t’i ketë listat e pjesëtarëve të UÇK-së prej kohës së demilitarizimit dhe ata mund të kenë numrin e pjesëtarëve të UÇK-s. A keni kërkuar ndonjëherë ndihmën e tyre për të verifikuar se kush janë veteranët?

Abrashi:Procesi është dizajnuar ndryshe ka qenë një Komision Qeveritar i cili është formuar nga pjesëtarët e zonave i cili ka treguar se kush ka qenë ushtarë dhe veteran i luftës çlirimtare në atë periudhë edhe është shkuar përmes një procesi publik ku të gjithë kanë konkurruar, prandaj ne nuk kemi kërkuar lista shtesë nga cilido subjekt sepse kemi menduar se ka qenë mandat i këtij komisioni, mandat ligjor që ata vet me përcaktu se kush ka qenë ushtarë në atë periudhë në bazë të aplikacioneve që kemi pranuar.

EO: A e keni pritur një numër kaq të madh të veteranëve?

Abrashi: Është e vërtetë që nuk e kemi prit, Qeveria në këtë rast sepse Komisioni ka vepruar si i pavarur dhe nuk e ka pritur këtë numër, gjithmonë është fol për një numër më të vogël por ky është numri për të cilin ky Komision Qeveritar që ka pasur përfaqësues nga të gjitha zonat në krye me zotëri Çekun ka dal me raport që kanë qenë 46 mijë.

EO: Cilat kanë qenë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me këtë çështje?

Abrashi: Po, FMN-ja, i ka pasur dy, tri rekomandime të cilat tani janë pjesë e ligjit të cilin ne e kemi ndryshuar dhe e kemi kaluar në parlament që me pas një tavan ose një kufizim buxhetor që është 0.7 për qind të GDP-së dhe jemi pajtua edhe me Shoqatat e Dala nga Lufta, dhe pastaj edhe me deputet dhe kjo ka kaluar në Kuvend. Kërkesë tjetër ka qenë edhe klasifikimi në bazë qoftë kohëzgjatjes, qoftë formave të tjera është shfrytëzua modeli kroat dhe besoj që ne kemi arrit kërkesat e FMN-së, prandaj nuk kemi ndonjë problem nga FMN-ja. Ajo çka duhet të bëhet tani të themi kushtimisht kërkesë nga FMN-ja, është që të bëhet klasifikimi ashtu siç e parasheh ligji por kemi një situatë më specifike ku ky ligj është në Gjykatë Kushtetuese dhe presim vendimin ne fundit dhe pastaj t’i hyjmë implementimit të ligjit.

EO: Cila është përfshirja e gruas në tregun e punës, kur e dimë që nga disa raporte del që përveç sfidave të tjera gratë kanë edhe vështirësi në qasje në financa?

Abrashi: Tash tërë Ministria, tërë Qeveria dhe institucionet publike kanë ndërmarrë masa përmes së cilave rritet besueshmëria e grave në tregun e punës . Në kuadër të ministrisë sonë ne kemi pasur disa masa specifike për atë ku janë targëtuar gratë dhe vazhdojnë të jenë aktuale dhe ne i njoftojmë të gjitha gratë që janë të interesuara që të punojnë ose të merren me ndërmarrësi të vizitojnë zyrat tona dhe të shikojmë mundësitë e bashkëpunimit . Ajo çka kemi bërë gjatë këtyre dy viteve të cilat janë treguar të suksesshme janë disa masa përmes së cilave kemi targëtuar gratë dhe janë sikurse subvencionimi i pagave ku kemi pasur një diskriminim ose një qasje shumë pozitive ndaj grave kur kemi subvencionua pagat për biznese në mënyrë që edhe ato të punësojnë gra dhe kjo ka pasur një jehonë të madhe, kemi bërë ndarjen e grandeve për të gjitha ato gra ndërmarrëse të cilat kanë pasur ide të mira dhe kunkuruese dhe ne i kemi përkrah dhe vazhdojmë t’i përkrahim dhe në të njëjtën kohë kemi ofruar një numër të madh të trajnimeve për gratë dhe femrat përmes së cilave ato bëhen të vet punësuara, posaçërisht në trajnimin e fushës së tekstilit , përpunimit të brumërave apo edhe ide të tjera përmes së cilave ato mund të jenë ndërmarrëse të suksesshme. Në fund të vitit e kemi kaluar edhe një ligj me të cilin ne synojmë që edhe më shumë t’i ndihmojë gratë dhe grupet tjera të cilat mund të jenë potencialisht të margjinalizuara është ligji për ndërmarrjet sociale përmes së cilave besoj edhe gratë të cilat kanë vullnet të punojnë dhe

EO: Ju keni përmendur që në shumë ndërmarrje siç janë ndërmarrjet e industrisë së drurit, IT-së ka prej ndërmarrjeve që kërkojnë punëtorë për t’i shfrytëzuar format e subvencionimit që ju ofroni kanë problem për gjetjen e punëtorëve. Cila është arsyeja pse njerëzit nuk lajmërohen që të kyçen në këto ndërmarrje.

Abrashi: Është paradoks, është edhe problem me fol në publik për këtë temë sepse shpesh herë edhe nuk besohet kur thuhet edhe prej një zyrtari publik por shumë biznese, shumë industri kanë telashe të gjejnë punëtorë të kualifikuar për fushat e tyre . Kjo ka të bëjë më së shumti me sistemin arsimor dhe orientimin në karrierë. Ajo çka shohim në Kosovë le të themi për shkak të një situate emergjente shpesh herë është menduar në masivizim të arsimit që është mirë për shkak të shkallës që e kemi pasur menjëherë pas luftës por tani na ka sjellë një problem tjetër që shpesh herë ata të diplomuarit ose punëkërkuesit nuk kanë diplomim, ose trajnim ose shkathtësi adekuate për kërkesat e tregut të punës. Kjo rregullohet në dy mënyra, një është përmes ofrimit të trajnimeve në masë dhe në numër më të madh konfrom kërkesave të tregut të punës dhe e dyta më afat gjatë është orientimi në karrierë që fillon nga shkolla fillore edhe ndryshimi i kurrikulave kur ne i mësojmë të rinjtë tonë se çka duhet të mësojnë dhe çka është fillimi i punës nga sot e në vitin e ardhshëm. Ajo çka duhet të dihet është që tregu i punës si në Kosovë por edhe në botë është shumë dinamik, ndryshon në baza vjetore dikund 50 deri në 60 për qind e vendeve të reja të punës që janë krijuar pas vitit 1995 nuk akne ekzistuar para vitit 1995 janë krejt vende të reja të punës që ndërlidhen me digjitalizim me teknologji informative, prandaj të rinjtë tonë duhet ti mësojmë nga shkolla fillore me këto aftësi, me këto mjete që ata të jenë të gatshëm që pas viteve kur dalin në tregun e punës të jenë të gatshëm të punojnë dhe tu përshtaten kërkesave të tregut të punës si në Kosovë si jashtë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme