AUV: Mos konsumoni produkte që shiten në rrugë

Prishtinë | 01 Kor 2016 | 02:20 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kërkon nga qytetarët e Kosovës që të mos i konsumojnë produktet ushqimore të cilat shiten në rrugë, sidomos produktet e ndjeshme që mund të prishen lehtë gjatë këtyre ditëve të nxehta.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, në një intervistë për Ekonomia Online, i siguron të gjithë qytetarët se i kontrollojnë në vazhdimësi të gjitha produktet ushqimore, qoftë ato që importohen, sikurse ato që prodhohen në vend.

“Agjencia e Ushqimit, si autoritet kompetent me nivel kombëtar, merr përgjegjësinë e produkteve të cilat kontrollohen dhe të gjithë qytetarët i sigurojmë se ato janë produkte të sigurta të cilat i plotësojnë të gjitha kriteret dhe kushtet e përdorimit në tryezat tona familjare”, thotë Gjinovci.

Por, kreu i AUV-it nuk guxon të thotë të njëjtën gjë për prodhimet që shiten në mënyrë joprofesionale. “Ne si Agjenci nuk jemi kompetentë për kontrollin tregjeve, për arsye se inspektorët janë nën kompetencë të komunave të Kosovës. Por në një të ardhme të afërt parashihet që inspektorët e komunave të kalojnë nën Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Me kalimin e tyre do të na lehtësohet edhe neve kryerja e kontrolleve”.

Në këtë intervistë, Gjinovci flet edhe për cilësinë e mishit dhe grurit të importuar, si dhe për fushatën që pritet të nisë për promovimin e qumështit vendor.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Është një perceptim të qytetarët që në vendin tonë mund të hyjnë mallra dhe të shiten çfarë do ushqimesh sepse nuk ka kontroll. Si do të ju përgjigjeshit këtyre kritikave?
Gjinovci: Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët e vendit se të gjitha produktet ushqimore, qoftë ata të cilat importohen, por edhe ata të cilat prodhohen, janë produkte të cilat në vazhdimësi kontrollohen sa i përket sigurisë së tyre. Agjencia e Ushqimit, si autoritet kompetent me nivel kombëtar, merr përgjegjësinë e produkteve të cilat kontrollohen dhe të gjithë qytetarët i sigurojmë se ato janë produkte të sigurta të cilat i plotësojnë të gjitha kriteret dhe kushtet e përdorimit në tryezat tona familjare.
Në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, dhe në bashkëpunim me Policinë dhe Doganën e Kosovës, gjithmonë ndërmarrim veprime të nevojshme me kohë në parandalimin e dukurive të padëshirueshme, në veçanti kur kemi të bëjmë më produkte të ndryshme ushqimore, ndërmarrim veprime me kohë dhe në moment. Ajo çka dua të them , është se produktet ushqimore të cilat importohen janë produkte të sigurta dhe të cilat kontrollohen në vazhdimësi nga ana stafit e Agjencisë.

EO: Shpesh herë ka pasur telashe për në cilësinë e mishit. Sa mund t’i konsumojmë shlirë produktet e mishit?
Gjinovci: Ne si vend jemi importues i madh i produkteve ushqimore e sidomos të mishit. Unë i garantoj se të gjitha ato produkte e në veçanti ato produkte të mishit i nënshtrohen kontrollit 100%. Janë autoritetet konkrete të cilat garantojnë për sigurinë e atyre produkteve ushqimore të cilat sillen në vendin tonë. Ne si autoritet kompetent gjithherë bëjmë vlerësimin, sigurinë e këtyre produkteve dhe shpeshherë ndërmerren masa të ndryshme për përcaktimin e gjendjes së tyre. Janë produkte të cilat janë të sigurta dhe të cilat sigurohen në masë të madhe 100 % gjatë importit, por edhe brenda realizohen masat e kontrollit zyrtar. Dua të përmendi që industria e ushqimit në Kosovë, tani për tani është avancuar në masë të konsiderueshme. Industria ushqimore është në përparim. Ne si autoritet japim garanci që të gjitha produktet që kontrollohen kanë cilësinë e duhur.

EO: Ndërkaq, prodhuesit e qumështit dhe ata të grurit ankohen për importin e këtyre produkteve, mbase sipas tyre nuk e kanë cilësinë e duhur. Çfarë masa keni marrë ju si Agjenci për mos lejimin e futjes së këtyre produkteve në vendin tonë?
Gjinovci: Në kuadër të kësaj, dua të përmendi një element që industria e përpunimi të qumështit ne si Agjenci i kemi mbështetur me vite dhe vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor. Infrastruktura e Qeverisë është ajo e cila e ka mundësuar analizimin e këtyre produkteve ushqimore të qumështit në këtë rast dhe përcjellja e rezultateve në mënyrë elektronike. Sa i përket importit të produkteve si i grurit, dua të them se Agjencia e Ushqimit është autoritet kompetent për përcaktimin e sigurisë së produkteve të cilat përdoren qoftë për konsum apo produkte të cilat përdoren për ushqyerjen e kafshëve. Në kuadër të kësaj ndërmarrim vendime dhe hapa të nevojshme pa dallime të kontrollit të sigurimeve të importit. Kosova është avancuar, ka përparuar dhe në një çfarë forme jemi duke u bërë konkurrent të produkteve të cilat vijnë nga importi por edhen vendet e rajonit. Ne si autoritet u kemi ndihmuar gjatë ekspertizës profesionale. Tash kemi 40 përpunues të cilat prodhojnë dhe përpunojmë produkte të qumështit, duke e furnizuar tregun vendor në përgjithësi, dhe disa prej tyre edhe mund të eksportojnë në vendet e rajonit.

EO: Këto produkte që eksportohen, a e kanë cilësinë sipas standardeve të cilat kërkohen në Bashkimin Evropian?
Gjinovci: Janë duke u zbatuar mirë dhe me njëjtë ardhme të afërt do të ngrihen edhe më këto standarde, dhe atëherë produktet e vendit tonë do të jenë në gjendje të dalin edhe jashtë kufijve të vendit. Por, këtu duhet të kemi në radhë të parë si synim tregun rajonal dhe më vonë edhe vendet e Bashkimit Evropian. Neve si Kosovë gjithherë duke pasur parasysh që në vazhdimësi kemi avancim të industrisë ushqimore dhe tani për tani kemi edhe disa nga produkte që eksportohen edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo tregon që kemi një avancim dhe ngritje të standardit sa i përket kësaj industrie.

EO: A mund të na flisni për kampanjën që do të mbahet për prodhimin e qumështit. Kur do të mbahet dhe sa do të zgjasë?
Gjinovci: Kemi vlerësuar se gjithherë duke parë probleme që sillen në sezonet e caktuara që të zhvillojmë një kampanjë rreth përdorimit të qumështit. Ideja është që vetë konsumatorët të vetëdijesohen rreth përdorimit të qumështit vendor, masat e kontrollit të cilat ne si autoritet i zbatojmë dhe ofron siguri të produktit. Në kuadër të kësaj ideja është që me kampanjën të ngrisim vetëdijen e konsumit të prodhimit vendor, i cili vjen nga ferma të vendit tonë e të cilat kontrollohen nga Agjencia jonë. Kampanja si e tillë do të mbështetet nga projekti i USAID-it, në bashkëpunim me ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit. Do të fillojë shumë shpejt dhe do të zgjasë një vit deri një vit e gjysmë. Të ardhmen e afërt të shohim se si do të shkojë dhe ekziston mundësia që të vazhdojmë edhe me kampanjë që përfshihen edhe produktet e tjera që kanë si bazë qumështin.

EO: Ju po flisni për cilësinë e produkteve, por çfarë sigurie ju kishit dhënë konsumatorëve të cilët konsumojnë produkte nga shitësit ambulantë?
Gjinovci: Ne jemi dëshmitarë të asaj se çka shohim, por edhe vetë jemi konsumatorë. Te pika që ju e përmendet, shitja e produkteve në mënyrë joprofesionale, kjo në radhë të parë nuk është e mirë as për syrin e konsumatorëve, por as edhe për shëndetin publik.
Në kuadër të kësaj, apeli im për konsumatorët është që mos t’i përdorin ato produkte të cilat nuk janë të mirë trajtuara në mënyrë profesionale, kuptohet kur shiten në rrugë e sidomos produktet e ndjeshme që kërkojnë kushte të trajtimit. Ne si Agjenci nuk jemi kompetentë për kontrollin tregjeve, për arsye se inspektorët janë nën kompetencë të komunave të Kosovës. Por në një të ardhme të afërt parashihet që inspektorët e komunave të kalojnë nën Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Me kalimin e tyre do të na lehtësohet edhe neve kryerja e kontrolleve.

EO: Ditë më parë keni paralajmëruar një lloj sëmundje që është shfaqur te kafshët në rajon, sa është rrezik që kjo sëmundje të përhapet edhe në Kosovë?
Gjinovci: Sa i për ketë sëmundjes së fundit e cila është paraqitur në rajon, është një gjendje jo e mirë, për arsye se është një shtrirje në të gjithë rajonin. Por, fatmirësisht në Kosovë akoma nuk është prezente. Ne si autoritet kemi ndërmarrë veprimet në mobilizimin, në radhë të parë të shërbimit veterinar në terren. Është mbajtur trajnim për shenjat e rrezikut të kësaj sëmundjeje, si manifestohen dhe paraqiten. Ne si autoriteti kemi ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket kësaj sëmundjeje dhe është alarmuar edhe Komisioni Evropian dhe është kërkuar asistencë dhe mbështetje nga ana e Komisionit Evropian për mbështetje me vaksina, sepse duhet të vaksinohen si masë parandaluese dhe do të shohim në ditët në vijim si po shkojnë gjërat. Shpresojmë dhe dashtë Zoti që mos të prekemi nga kjo sëmundje. Është një sëmundje që prek gjedhet dhe është jo lehtë e menaxhueshme, do shumë mund dhe angazhim institucional dhe profesional. Shpresoj do t’ia dalim ta menaxhojmë me sukses.  Ne bëjmë monitorimin e sëmundjeve në nivel kombëtar dhe nivel vendi, ku janë të kontraktuar praktikat veterinare të cilat kryejnë shërbime. Jemi të përfshirë edhe në pjesën e veriut qysh nga viti i kaluar kemi filluar të shtrijmë aktivitetin edhe në këtë pjesë, ashtu siç kryhet në zonat e tjera të vendit.

(Kamera: Besnik Latifi)

Lexo më shumë:

Të ngjashme