Çollaku: Dialogu duhet t’i bashkojë të gjithë

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Shefi i stafit i Presidentit të Kosovës, Bekim Çollaku, në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, ka folur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, gjegjësisht për takimin që pritet të ndodhë në mes të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Sipas Çollakut ky takim ka të bëjë me gjetjen e modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim mes Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i radhës në nivel të presidentëve nënkupton takim në nivelin më të lartë politik ndërshtetëror. Kjo rrjedhimisht nënkupton se temë e takimit është diskutimi për çështje politike të cilat ndërlidhen me gjetjen e modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Çollaku.

I pyetur për kontestimin që opozita po i bënë përfaqësimit të Kosovës në këtë dialog nga presidenti Thaçi, Çollaku ka thënë “Kosova në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, përfaqësohet në nivelin më të lartë politik. Po në të njëjtin nivel përfaqësohet edhe pala tjetër. Legjitimiteti i presidentit për ta udhëhequr këtë proces, bazën ligjore e ka fillimisht tek Kushtetuta jonë dhe, po ashtu, tek legjitimiteti i Kuvendit të Kosovës i cili e ka zgjedhur atë si president. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë hapësirë ligjore për ta kontestuar presidentin nga askush. Në anën tjetër, përfaqësimi i Kosovës në këtë proces është krejtësisht i harmonizuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryeministrin dhe të gjitha partitë parlamentare që janë të interesuara për t’u përfshirë dhe për ta dhënë kontributin e tyre në të mirë të shtetit tonë”.

Çollaku ka thënë se duke ditur rëndësinë që ka ky proces për të ardhmen tonë, është e nevojshme edhe gjithëpërfshirja.

“Ky është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen tonë euroatlantike dhe për ta përmbyllur kapitullin e luftës dhe të konflikteve me Serbinë. Prandaj, natyrshëm se kërkohet që të gjithë aktorët kryesorë të shoqërisë sonë duhet të jenë të përfshirë. Presidenti nuk duhet ta bindë askënd për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Rëndësia që paraqet ky proces për interesin tonë nacional dhe shtetëror është ajo çfarë duhet ta bindë opozitën dhe gjithë aktorët e tjerë që të jenë të përfshirë në këtë proces me qëllimin më të mirë”.

Në fund të kësaj interviste, ai ka thënë se në çdo rrethanë, jam 100 për qind i bindur se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për të ecur përpara të dy shtetet.

“Vetëm marrëveshja hap dyert për integrime euroatlantike, për normalizim dhe për pajtim”.

Të ngjashme