Nga viti 2019 Kosova do ta menaxhojë vetë hapësirën ajrore

Prishtinë | 05 Nën 2016 | 11:20 | Nga Arsim Rashiti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Hapësirën ajrore të Kosovës aktualisht e menaxhon Hungaria dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në vitin 2019, kur i përfundon mandati i saj për ofrimin e këtyre shërbimeve. Ndërkaq pas prillit të vitit 2019, Kosova do të jetë e gatshme të bëhet “zot” i hapësirës së vet ajrore.

Në këtë aspekt gjatë këtij viti është funksionalizuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, për kryerjen e shërbimeve sa më cilësore në fushën e navigacionit ajror, por që i përcjell te kontrolli hungarez.

Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”.

“Ne përpos gatishmërisë tonë politike, po punojmë edhe në anën teknike në plotësimin e të gjitha kushteve që Kosova ta kontrollojë hapësirën ajrore pas prillit të vitit 2019”, ka thënë ministri Zharku.

Në këtë intervistë, Zharku flet edhe për mundësinë e shtyrjes së përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Shkup, edhe për një vit.

Kjo autostradë, sipas kontratës së nënshkruar më 2014 me kompaninë ndërtuese “Bechtel & Enka”, ishte paraparë të kryhet për tri vjet. Mirëpo, në mungesë të mjeteve buxhetore, kjo autostradë pritet të kryhet në fund të vitit 2018.

“Është e pamundur gjatë viti 2017 të financohen 300 milionë euro. Besoj që do të kemi një mirëkuptim, natyrisht qëndrimi jonë i parë, apo kërkesa jonë e parë ka qenë që ata të kenë mirëkuptim t’i kryejnë punët, por që ta shtyjnë vetëm afatin e pagesave, por që natyrisht t’i mirëkuptojmë se është vështirë që të barten 150 apo 200 milionë në vitin tjetër. Kështu që besojmë në një marrëveshje të shpejtë dhe pastaj do të akomodojmë obligimet tona apo kryerjen e punëve në përputhje me buxhetin e ndarë”, ka pohuar Zharku.

Kreu i Ministrisë së Infrastrukturës (MI) flet për Strategjinë për zhvillimin e Aeroportit të Gjakovës. Ai sqaron se nuk ka përkufizime në kontratën e koncesionerit të Aeroportit të Prishtinës për operimin e një aeroporti tjetër, por e pranon se në kontratë parashihet mundësia që “Limak” të kërkojë dëmshpërblim “nëse operimi i ndonjë aeroporti tjetër ndikon në mënyrë substanciale në të hyrat e koncesionarit”.

Në intervistën për “Ekonomia Online”, ministri Lutfi Zharku flet edhe për projektet e tjera infrastrukturore, investimet në linjat hekurudhore që lidhin Kosovën me Shqipërinë, Ligjin e Ri për Rregullat e Trafikut Rrugor e çështje të tjera që hyjnë në fushën e MI-së.

INTERVISTA E PLOTË:

zharku1

EO: Kur pritet të përfundojë Autostrada Prishtinë-Shkup?

Zharku: Në përputhje me kontratën që është nënshkruar në fillim të korrikut viti 2014 janë është paraparë për tri vjet e gjysmë të kryhet, që i bie në janar të vitit 2018. Për shkak të kufizimeve buxhetore që i kemi po bisedojmë me kontraktorin “Bechtel & Enka” për mundësinë e shtyrjes për një vit, apo për 11 muaj e gjysmë deri në fund të vitit 2018. Ka një vullnet nga të dyja palët, megjithatë nuk kemi një dakordim për këtë çështje. Besojmë se së shpejti do të arrijmë një marrëveshje për shtyrjen e përfundimit të punimeve. Krejt kjo të krijohet një hapësirë për financimin e projekteve të reja infrastrukturore, qoftë rrugëve regjionale apo nacionale, qoftë rrugëve komunale. Megjithatë në përputhje me planet aktuale që kemi në nëntor presim ta lëshojmë pjesën deri në Babush segmentin e parë C1, kurse vitin e ardhshëm nëse arrijmë marrëveshje me “Bechtel & Enka”, atëherë në fund të vitit të ardhshëm do të jemi deri në Kaçanik, apo deri në fushën e pajtimit në kryqëzimin që shkon për Brezovicë, kurse në fund të viti 2018 do të jemi në Han të Elezit.

EO: Do të thotë shtyrja do të bëhet për shkak të kufizimeve buxhetore?

Zharku: Siç e dini është, mos të themi sekret publik, natyrisht ajo në momentin që është lidhë kontrata 600 milionë, ne është dashtë t’i ndajmë nga 170-180 milionë çdo vjet. Vitin 2014 janë ndarë 55 milionë, vitin e kaluar kanë qenë 115 milionë, sivjet pas rishikimit buxhetor i kemi ndarë 148, të gjitha këto janë afër 320 milionë, kurse kontrata është 600 milionë pa i përfshirë punët shtesë eventuale. Është e pamundur gjatë viti 2017 të financohen 300 milionë euro. Besoj që do të kemi një mirëkuptim, natyrisht qëndrimi jonë i parë, apo kërkesa jonë e parë ka qenë që ata të kenë mirëkuptim t’i kryejnë punët, por që ta shtyjnë vetëm afatin e pagesave, por që natyrisht t’i mirëkuptojmë se është vështirë që të barten 150 apo 200 milionë në vitin tjetër. Kështu që besojmë në një marrëveshje të shpejtë dhe pastaj do të akomodojmë obligimet tona apo kryerjen e punëve në përputhje me buxhetin e ndarë.

EO: A kemi rrezik të ndalen autostradat në mungesë të buxhetit?

Zharku: Nuk e besoj që kemi rrezik të ndaljes. Gjithë këto vite janë paraparë, shuma sillet përafërsisht nga 150 milionë, do të duhej që në përputhje me planet tona në vitin e ardhshëm, tani më ju e dini që kemi aprovuar Buxhetin, është paraparë fillimi i autostradës për Gjilan. Ne parashohim që pjesën e parë 19 kilometra deri në Gjilan ta financojmë me buxhet publik, kurse pjesën tjetër prej 30 kilometra, që është prej Gjilani te Dheu i Bardhë në ndërkohë gjatë këtyre dy-tri viteve derisa nuk kryhet kjo, kemi të interesuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Investive Evropiane që ta financojë pjesën tjetër. Kemi rritje apo performancë të mirë të hyrave buxhetore, por natyrisht kemi edhe interesim të institucioneve financiare ndërkombëtarë për financimin e projekteve infrastrukturore dhe nuk besoj që do të vijë deri te ajo që do të ndalet ndonjë autostradë për shkak të kufizimeve buxhetore… Ndërtimi i infrastrukturës është bazë e zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm si koncept, por ndikon edhe në rritjen ekonomike të vendit, por edhe lëmit tjera duhet të kenë një financim më të madh.

EO: Në vazhdimësi ka pasur debat për këto autostrada për këstet kaq të larta të cilat si në zhvillim ekonomik a vlen të investohen tërë këto para në autostrada a keni bërë ndonjë analizë rreth kësaj çështje a është përgatitur përfitimi i qytetarëve cili do të jetë prej këtyre autostradave?

Zharku: Unë nuk po flas tash për dy autostradat tona që i kemi, ajo që financohet nga buxheti i Kosovës nuk kemi obligim ligjor për ndonjë studim fizibiliteti, ajo që shkon përmes buxhetit të Kuvendit për shkak se unë së paku e nënkuptoj atë, por e pranoj si studim fizibiliteti votimin e buxhetit nga ana e gjithë deputetëve kështu që një nevojë e paraqitur dhe e përkrahur nga Kuvendi i Kosovës. Por, si Qeveri është e mjaftueshme për aprovimin apo thjesht për dhënien e vijës së gjelbër për fillimin e një projekti të tillë infrastrukturor.. Kështu ne do të vazhdojmë me një qasje të tillë, natyrisht gjitha investimet përmes institucioneve financiare, ndërkombëtare, qoftë këto që po fillojmë përmes rrugëve hyrëse-dalëse, Gjilan – Ferizaj dhe Prizren si dhe rikonstruktimin e rrugës Kllokot-Gjilan dhe rregullimin e rrugës prej Kijevës deri në Pejë. Nevojitet studimi i fizibilitetit për të gjitha ato, për shkak se është një ngarkim me borxhin e Qeverisë së Kosovës dhe shtetit tonë, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare kërkojnë një studim fizibiliteti për raste të tilla. E mira e gjithë kësaj është se studimin e rrugës Kijevë –Pejë e kemi pasur një prezantim në fillim të tetorit kur studimi i fizibilitetit natyrisht i hartuar, i punuar nga kompani me renome ndërkombëtare ka dalë që kemi një kthim prej 16% financimin e asaj rruge. Kështu që jemi ndier pavarësisht që po dua të them është pse nuk e kemi studimin e fizibilitetit një rrugë sikurse që është Kijevë Pejë ka kthim pozitiv është e logjikshme që edhe një autostradë prej prishtine deri në Han të Elezit presim se e ka një kthim pozitiv.

EO: Çka do të ndodhë me autostradat, a do të bëhen me pagesë sikurse në vendet tjera?

Zharku: Ju e dini, aktualisht e mirëmbajmë autostradën përmes ndarjes buxhetore që e bëjmë nga buxheti i Kosovës, sivjet dhe vitin e ardhshëm parashihen 1 milion e gjysmë deri në 2 milionë euro. Në planet afatshkurtër nuk e kemi në plan që ta bëjmë me pagesë autostradën, natyrisht është një qasje, mos të themi e detyrueshme, por që praktikohet nga gjitha vendet e Unionit Evropian dhe vendet tjera të botës që shfrytëzimi i autostradave duhet të jetë me pagesë, në mënyrë që ato të mirëmbahen më mirë, për shkak se krijojmë një komoditet për ngasje të automjeteve, zvogëlimin e kohës së ngasjes, zvogëlimin e aksidenteve etj. Megjithatë vetëm 60-kilometërshin që e kemi nuk besoj që do të kemi një ofertë shumë profitabile për Kosovën, nëse ne i tenderojmë vetëm këto 60 kilometra që i kemi prej Gjurgjicë deri në Morinë. Po presim që ta kryejmë edhe autostradën deri në Shkup, natyrisht ndërkohë do të fillojmë edhe me autostradën e Gjilanit që do të kemi një ofertë më të mirë për cilin do tenderues që t’i kemi të gjitha autostradat e Kosovës me pagesë, e mos të fillojmë në mënyrë parciale se nuk besojmë që të kemi një ofertë të mirë. Ju e dini rastin e Shqipërisë, kemi dashur edhe përvojat e Shqipërisë, po flasim për rrugën e kombit që në parim të shohim se si po zhvillohet, cilat janë përfitimet në vitin e parë, sa është numri i udhëtarëve, sa po ndikon aplikimi i taksës prej 5 euro në zvogëlimin e numrit të udhëtarëve, etj, që ta shohim përvojën e Shqipërisë, e natyrisht të vazhdojmë edhe ne.

EO: A jeni duke e diskutuar sa do të jetë taksa?

Zharku: Jo. Në parim, nëse qeveria shqiptare e ka paraparë që për 100 kilometra të jetë një taksë prej 5 euro, ndoshta që edhe për 100 kilometra tona, tash i kemi 60 kilometra prej Gjurgjice deri në Morinë, por në realitet i kemi edhe 18 kilometra tjera prej Bresje deri në Besi, që për 80 kilometra është e mundur të kishin ndikuar që edhe aty të kemi një taksë. Megjithatë duhet cekur se janë disa standarde, bëhen vlerësimet se sa do të jetë ajo taksë. Distanca sa më e gjatë natyrisht që çmimi për kilometër bie, distanca sa më e shkutë për kilometër çmimi është më i lartë.

EO: Cili është bashkëpunimi me komunat, sa i përket infrastrukturës rrugore? Në cilat komuna është investuar më së shumti në infrastrukturën rrugore?

Zharku: Tash i bie që mundemi me u krenua. Me të gjitha komunat kemi një bashkëpunim të jashtëzakonisht të mirë. Pavarësisht ata kryetar të komunave prej cilave parti politike vijnë, bashkëpunimi jonë është i shkëlqyeshëm, nuk mund të ndajmë se cila komunë është favorizuar më shumë, apo më pak. Kjo është normale që komunat e mëdha, tash qendrat e mëdha që i kemi, për shkak të madhësisë së popullsisë e kanë edhe një buxhet më të madh të ndarë, por paralelisht kësaj nuk i kemi lënë anash edhe komunat më të vogla. Megjithatë, duhet me cek, po flasim nëse po investojmë, hajde po e marrim shembull Pejën, pavarësisht që kryhen investimet në Pejë nga ana infrastrukturës tipike komunale që lidhen fshatrat mes tyre, në anën tjetër gjitha investimet që bëhen në rrugën magjistrale, apo nacionale flasin për investime në komunën e Pejës apo rajonin e Dukagjinit, apo rastin konkret tash e kemi rrugën për Podujevë përkundër asaj që niveli i investimeve në lidhjen e fshatrave të Podujevës është më i ultë investimet që bëhen në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë janë ato që e përmirsojnë atë kuotë të komunave.

EO: A po shkon investimi infrastrukturor në ato komuna që udhëhiqen nga kryetarët e partisë të cilën vini edhe ju? A po favorizohen më shumë?

Zharku: Jo, jo… Mund të flasim me shembuj konkretë të investimeve. Marrim Deçanin, Kamenicën, Prizrenin pothuajse infrastruktura është jashtëzakonisht e kryer dhe sërish kemi paraparë investime të tjera atje. Po ashtu, marrim Komunën e Rahovecit, Gjakovës… nuk ka lidhje përkatësia partiake e kryetarit të komunës me investime që bëhen nga ana e ministrisë e as nga ana e Qeverisë.

EO: Deri ku kanë shkuar punimet për rikonstrukturimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë-Leshak? Sa mjete do të investohen në këtë linjë?

Zharku: Investimi i përgjithshëm është afër 200 milionë euro. Prej tyre 80 milionë euro janë paraparë nga institucionet financiare ndërkombëtare, janë 39 milionë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe janë 41.4 milionë euro prej Bankës Investive Evropiane, 80 milionë euro jepen grant nga Komisioni Evropian. Deri tani granti nga Komisioni Evropian është miratuar prej 57 milionë euro, por në përputhje në avancimin e punëve ndahen edhe grante të tjera. Qeverisë së Kosovës i mbetet vetëm financimi prej 160 milionë deri në 200 milionë euro, varësisht prej shumës që do të tenderohej, e që do ta financojë vetëm pjesën e TVSh-së. Ju e dini projekti është i ndarë në tri faza: Faza e parë prej Hanit të Elezit në Fushë Kosovë, e dyta prej Fushë Kosove deri në Mitrovicë dhe faza e tretë prej Mitrovice deri në Leshak. Në përputhje me këtë po punohet në hartimin detal për fazën e parë dhe është në procesin e parakualifikimit të kompanive që do t’i ekzekutojnë punimet. Po shpresojmë se gjatë këtij viti do të kryhet faza e parakualifikimit të kompanive që vitin e ardhshëm të fillohet me tenderimin për përzgjedhjen e kompanive, kurse për fazat tjera pas kryerjes së punimeve të fazës së parë.

EO: Po përmendet si ide ndërtimi i linjës hekurudhore që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë? A ka diçka konkrete në këtë drejtim, a është bërë ndonjë vlerësim se sa kushton kjo.

Zharku: Vlerësime në kuptimin e përgjithshëm, jo vlerësime të analizuara. Ju e dini vitin e kaluar kemi pasur një takim me ministrin Haxhinasto në vizitën e parë në Kosovë, kemi biseduar për idenë e tyre që të lidhet Kosova me Shqipërinë me linjën hekurudhore. Megjithatë në kuadër të procesit të Berlinit është dashur të përcaktojmë vijat, të cilat do të kenë një tretman dhe për të cilat shtetet do të zotohen se do t’i sjellin në standarde evropiane deri në vitin 2030. Natyrisht, Qeveria Shqiptare të zotohet të investojë 800 milionë euro në linjën hekurudhore. Ata i kanë 108 kilometra ne i kemi 17 kilometra. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që kurdoherë Qeveria Shqiptare është e gatshme të investojë në ndërtimin e linjës hekurudhore ne t’i përkrahim. Mirëpo, deri më tash ajo ka mbetur në sferën e planifikimeve afatgjata, por jo të aktiviteteve afatshkurta.

EO: Do të thotë, kjo parashihet për një plan afatgjatë…?

Zharku: Duhet të sqarojmë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në kuadër të procesit të Berlinit nuk jepen para, apo nuk ndihmohen projekte vetëm se ne i konsiderojmë si të rëndësishme. Një projekt për t’u financuar që duhet të ketë një lidhje jo vetëm dy shteteve…hekurudha Kosovë-Shqipëri që kushton një miliardë euro është mos të themi e pamundur, por Qeveria e Shqiptare nuk e ka mundësinë të zotohet nga ana financiare që do ta ndërtojë hekurudhën. Së pari çdo shtet që e paraqet një projekt duhet të zotohet të sigurojë mjetet e veta, pastaj të kërkojë financim nga ana e institucioneve të ndryshme financiare ndërkombëtare, apo pjesë e grantit që mund të jetë nga 1 miliard e 200 milionë euro që është përmend si shumë në kuadër të procesit të Berlinit.

EO: 1 miliardë e 200 milionë euro llogariten për hekurudhën brenda Kosovës apo…

Zharku: Ne po flasim, sipas vlerësimeve të Qeverisë Shqiptare 108 kilometra në anën e Shqipërisë, kurse ne i kemi 17 kilometra që është 150 apo 200 milionë që për ne është më lehtë, se është shumë më e vogël që e kishim përballuar, jo përmes ndarjes buxhetore, por përmes financimit të jashtëm.

EO: Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor ka hyrë në fuqi nga 20 shtatori, a po i përmbushë qëllimet ky ligj, a keni informata se a ka ndikuar në rënien e aksidenteve?

Zharku: Së pari sipas të gjitha vlerësimeve tona që i kemi nga Policia e Kosovës, Ligji i ri ka pasur një ndikim të madh në zvogëlimin e numrit të aksidenteve. Po e përmendi vetëm rastin njëmujor, 22 gusht – 22 shtator kemi pasur mbi 2 600 aksidente, kurse muajin e ardhshëm kemi pasur 1 435, gjë që kemi një përgjysmim të aksidenteve. Ajo që na gëzon më shumë është edhe respektimi i Ligjit nga ana e gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që shpreh aksidente fatale më të pakta… nuk presim që menjëherë qytetari t’i respektojë të gjitha rregullat e komunikacionit, por që krahas dënimeve që janë paraparë të krijohet një kulturë e ngasjes në komunikacion. Nëse nuk gaboj i kemi pasur vetëm 8 vdekje muajin e kaluar krahas 21 që i kemi pasur vitin e kaluar. Krahas fushatave vetëdijesuese presim që ligji të jetë plotësisht në funksion të qytetarëve.

EO: Duket se edhe qytetarët po e mirëpresin këtë ligj…

Zharku: Po. Natyrisht. Jam shumë i kënaqur, së pari e kemi pasur një përkrahje nga ana e Kuvendit të Kosovës për aprovimin e ligjit sipas propozimit tonë. Shumica e propozimeve tona janë aprovuar, në anën tjetër më vjen mirë që të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë mirëpritur këtë ligj për shkak problemeve të mëdha që i kemi pasur në komunikacion. Unë mund ta kuptojë që për të rinjtë është pak më rënd, por që jeta është vetëm një dhe është e rëndësisë së posaçme. Të gjithë duhet të kontribuojmë që të ketë sa më pak aksidente me fatalitet.

EO: Konsideroni që gjobat nuk janë të larta siç parashihen me ligjin e ri?

Zharku: Gjobat nuk janë të larta. E para, gjoba është vendosur për ata që nuk e respektojnë ligjin. Nuk është mirë ta krahasojmë gjobën me pagën në Kosovë, sepse gjoba është për ata që e shkelin ligjin, e jo për ata që nuk e shkelin ligjin. Prandaj nuk është e drejtë një krahasim i tillë, as me Gjermani, as me Francë, as me të ardhurat që i kemi në Kosovë. E dyta, tash me ligjin e ri, përkundër asaj që janë gjobat e larta, nëse ju e paguani gjobën brenda tetë ditësh e keni gjobën 50 për qind më lirë. Përkundër asaj që gjobat duken të larta, ajo do të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve në respektimin e rregullave të komunikacionit. Duhet ta përmendi që kemi edhe gjoba për hedhjen e mbeturinave në rrugët tona. Ne japim shumë para për mirëmbajtjen e rrugëve tona. Është turp t’i shohim rrugët tona gjithë me mbeturina të lloj-llojshme. Ne duhet të paguajmë për shkak një sjellje të padinjitetshme të qytetarit, i cili duke ngasur veturën hedh mbeturina.

EO: A ka filluar të jepen gjoba për këtë veprim?

Zharku: Nuk kam informata, megjithatë Ligji i ri e parasheh.

EO: Është paralajmëruar që do të rritet pagesa për ata kandidatë që duan marrin patentshoferin, pse kjo rritje e pagesës? Çfarë do të ndodhë me patentshoferët që u ka skaduar afati? A do të duhet ata t’i nënshtrohen edhe njëherë testit?

Zharku: E para, ne nuk kemi kërkuar kurrfarë rritje. Ne kemi kërkuar në përputhje me standardet evropiane që të rritet numri i orëve qoftë për aftësim teorik dhe praktik. Kuvendi i Kosovës e ka gjetur një mjedis që të kemi një rritje të numrit të orëve për aftësim praktik dhe teorik, por që nuk e ka aprovuar kërkesën tonë për 30 orë për aftësim praktik dhe 20 orë për aftësim teorik, por që ka mbet 20 me 15. Me ligj nuk është e përcaktuar shuma, megjithatë me Udhëzime Administrative rregullohet pagesa për orë. Ka një rritje të vogël që paguajnë qytetarët për aftësim, por jam shumë i bindur që kjo rritje e numrit të orëve është në të mirë të gjithë kandidatëve që dëshirojnë të marrin patentëshoferin. Nuk është pagesa për Autoshkollën por është aftësim real për kandidatët. Në anën tjetër, problemi që ka qenë me skadimin e patentshoferëve, tash është rregulluar me ligjin e ri. Nuk keni nevojë t’i nënshtroheni provimit përsëri, por vetëm pas 15 vjetësh pas skadimit, shkoni dhe merrni certifikatën e mjekut dhe vazhdoni afatin e patentëshoferit.

EO: Çfarë po ndodhë me Aeroportin e Gjakovës? Kryetarja aktuale e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila më parë ka qenë pjesë e qeverisë ka akuzuar Qeverinë aktuale se po e bllokon Aeroportin e Gjakovës? A po favorizohet koncesioneri i Aeroportit të Prishtinës që mos të ketë ndonjë aeroport në afërsi sa është e përcaktuar?

Zharku: Nuk kisha dashtë te kthehem se a ka qenë koha e përshtatshme për ta marrë Aeroportin e Gjakovës në vitin 2012 apo 2013 kur është bërë ajo. Megjithatë, kompetencat janë të ndara, Aeroporti i Gjakovës është ndërmarrje publike, e ka bordin e vet mbikëqyrës që merret me operimin e aeroportit. Ndërmarrjet publike monitorohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila e ka një departament për monitorimin e ndërmarrjeve publike. Në aspektin operativ Ministria e Zhvillimit Ekonomik, apo bordi i ndërmarrjes është përgjegjës për operimin e aeroportit. Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës që jemi përgjegjës për bërjen e politikave në fushën e Aviacionit Civil, në bashkëpunim me Komisionin Evropian jemi duke bërë strategjinë e zhvillimit të Aviacionit Civil të Kosovës, ku në kudër të asaj strategjie do të përfshihet edhe fizibiliteti, apo një studim se cilat do të jenë mënyrat më të mira të shfrytëzimit të Aeroportit të Gjakovës. Nuk mund të them tash se cila do të jetë strategjia për zhvillimin e Aeroportit të Gjakovës, por që nuk mund ndërlidhet me përfitimet eventuale të koncesionerit të Aeroportit të Prishtinës. Koncesionari aktual e ka kontratën e tij që nuk ka kurrfarë kufizimesh ligjore për operimin e një aeroporti tjetër. Megjithatë nëse operimi i ndonjë aeroporti tjetër ndikon në mënyrë substanciale në të hyrat e koncesionarit, ai ka të drejtën të kërkojë dëmshpërblim, apo ndonjë rregullim të kontratës që të mbrohet nga funksionimi i aeroporteve të tjera nga aspekti komercial.

EO: Është folur se në kontratën e koncesionarit të Aeroportit të Prishtinës mos të ketë ndonjë aeroport tjetër në afërsi…

Zharku: Ceket në mënyrë tjetër. Nëse dëmtohet afarizmi i koncesionarit të aeroportit, ata mund të kenë të drejtën të kërkojnë dëmshpërblim, apo çfarëdo drejte tjetër për shkak dëmit që i shkaktohet nga operimi i një aeroporti tjetër. Por që nuk është e kufizuar që nuk mund të jetë një aeroport tjetër, siç është rasti i Shqipërisë. Nuk do të thotë që ai aeroport patjetër të operojë për fluturime komerciale, por ka mënyra tjera për ta funksionalizuar. Nuk është domosdoshmërisht e ndaluar funksionimi i një aeroporti tjetër komercial me kontratën me koncesionerin.

EO: Dhënia me koncesion e Aeroportit të Gjakovës a do të ndikonte në uljen e çmimeve të biletave të avio-kompanive?

Zharku: Shpesh kemi biseduar për çmime të biletave. Ju e shihni tash janë biletat me çmime të ulëta. Ne po mundohemi që përmes politikave tona të kemi edhe kompani me kosto të ulëta të fluturimeve nga Evropa në Aeroportin e Prishtinës. Megjithatë, ekziston një konkurrencë e madhe, qoftë nga aeroportet në regjion, në veçanti ekziston një konkurrencë me aeroportin e Shkupit, që qeveria me disa subvencione ndikon te kompanitë e ndryshme që të ulin çmimet e biletave. Është ngritur një çështje e tillë në Komisionin Evropian. Fatkeqësisht qe dy vite nuk kemi diçka konkrete nga Komisioni Evropian për një praktikë të tillë të autoriteteve maqedonase për subvencionimin e linjave të ndryshme të transportit, por që në parim Komisioni Evropian me shkresat e saj ka përkrahur qëndrimin tonë që një praktikë e tillë nuk është e mirë dhe është në kundërshtim më praktikat e Unionit Evropian.

EO: Aktualisht menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës e bënë Hungaria, ndërsa pas vitit 2019 përfundon mandati i Hungarisë për ofrimin e këtyre shërbimeve, a do të jetë e gatshme Kosova ta menaxhojë vet hapësirën ajrore?

Zharku: Në kuadër të kësaj ju e dini që mbahen mbledhje të rregullta mbi normalizimin e hapësirës ajrore. Ne përpos gatishmërisë tonë politike, po punojmë edhe në anën teknike në plotësimin e të gjitha kushteve që Kosova ta kontrollojë hapësirën ajrore pas prillit të vitit 2019. Në këtë aspekt gjatë këtj viti është funksionalizuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Ajo ka qenë ndërmarrje publike, tash është Agjenci qeveritare, në mënyrë që ta ketë një përkrahje jo vetëm nga ana komerciale, por edhe politike për kryerjen e shërbimeve sa më cilësore në fushën e navigacionit ajror. Mund të them që të gjitha shërbimet i kryen agjencia, por që i përcjell te kontrolli hungarez. Në anën tjetër për vitin e ardhshëm parashohim edhe me Buxhetin e Kosovës që të kemi investime qoftë në zgjatjen e pistës, për shkak se pista jonë është 2 500 metra, ndërsa të gjitha pistat në rajon janë 3 000 metra, ne do të kemi investime në zgjatjen e pistës dhe ngritjen e nivelit të sistemit të aterimit nga kategoria aktuale që është 2B në kategorinë 3B.

EO: Cilat janë problemet me të cilat përballet Kosova nga ana e Serbisë?

Zharku: Ju e dini që me marrëveshjen e Kumanovës ne kemi vetëm një hyrje dhe dalje nga Kosova, do të thotë e kemi hyrjen dhe daljen përmes Maqedonisë, të gjitha rrugët ajrore janë të ndërprera. Ne kemi kërkuar edhe më herët që të kemi më shumë hyrje dhe dalje në Kosovë, qoftë nga Serbia, Shqipëria apo Mali i Zi, në procesin e normalizimit të hapësirës ajrore po diskutohet të gjitha opsionet dhe në momentin që të marrim kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, besoj që do të kemi edhe normalizimin e të gjitha hyrjeve dhe daljeve në Kosovë.

EO: Si po rrjedhin punët në përfundimin e autostradës Prishtinë-Merdar?

Zharku: Në kuadër të procesit të Berlinit është projekt që do të përkrahet nga Komisioni Evropian. Në përputhje me këtë kompania e angazhuar nga WBIF-Korniza Investive për Bllkanin Perëndimor po e punon studimin e fizibilitetit, gjatë muajit nëntor besoj do të kemi përfundimin e studimit të fizibilitetit. Në përputhje me përfundimin e studimit të fizibilitetit do të vazhdojmë me faza tjera në parakualifikim dhe në kryerjen e projektit. Deri tash e kemi versionin e parë për vijën nga do të shkojë autostrada. Jemi shumë para serbëve në aspektin e përfundimit të të gjitha procedurave dhe në fund të vitit 2017 do të fillojmë me pjesën që ka mbet në Besi deri në Merdar.

zharku

Të ngjashme