Qosja: Procesi i bashkimit Kosovë-Shqipëri i pashmangshëm

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 00:17 | Nga

Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, ka dhënë një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga për “Dritare” në Vizion Plus.

Profesor Qosja, çfarë do të thotë shkëmbim territoresh për Shqipërinë, Kosovën, Mitrovicën, Preshevën?
Qosja: Unë mund të them se për herë të parë kam shkruar para 30 vjetësh për këtë çështje, pra shkëmbim territoresh. Por edhe më vonë, në vitin 2013 kam shkruar në një intervistë në “Gazetën Shqiptare” dhe tani herën e fundit, por nëse përpara kanë munguar reagimet, tani kishte numër shumë të madh reagimesh, të papritura për mua dhe me përmbajtje të ndryshme, me disa koncepte, politika, ideologji që treguan edhe çfarë nuk do të dëshironim të dëgjonim dhe kuptonim. Domethënë, u shfaqën edhe mendime për të cilat duhet të mendojmë dhe me të cilat do të duhej të merremi. Pra, kishte reagime pro dhe kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, por pjesa më e madhe ishin reagime që e kundërshtonin.

Para se të shkojmë tek reagimi profesor, a mund të ndalemi tek ky moment. Fakti që ju propozoni këtë shkëmbim territoresh, çfarë do të thotë, ju flisni për diçka që do të ndodhë nesër, ju flisni për diçka që do të ndodhë rrugës apo ju po flisni për diçka që është duke ndodhur, por nuk po e kuptojmë?
Qosja: Unë fola për diçka që mendoj se do të jetë zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe zgjidhja më e mirë për rajonin. Mendoj, dhe jo vetëm unë, por edhe zyrtarë politikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mund të jenë edhe në Evropë, por edhe këtu mes ne shqiptarëve, që rikompozimi gjeopolitik i Ballkanit, realisht nuk ka marrë fund. Mendoj se në të ardhmen, nuk mund ta di sa shpejt e sa vonë, do të ndodhë një rikompozim gjeopolitik i Ballkanit dhe për dallim prej një numri të këtyre që reaguan, mendoj se ky rikompozim gjeopolitik i Ballkanit do të ndodhë dhe në dobi të shqiptarëve.

Profesor, kjo është frika, ne mund të biem dakord të japim, por ata do na e marrin e nuk do na japin gjë. Pra kjo është frika, serbët mund të pranojnë të marrin Mitrovicën e Veriut, siç duan, por nuk do të na e japin kurrë Preshevën. Nuk do ketë shkëmbim, do ketë vetëm marrje.
Qosja: Jo, pasi ajo do të bëhej me marrëveshje në prani të faktorëve ndërkombëtarë. Pra, vetëm ashtu do të mund të bëhej shkëmbimi i territoreve dhe në një rast të tillë serbët nuk do të mund të merrnin pa dhënë, shkëmbimi nënkupton të japësh e të marrësh dhe ajo që do të jepnin është më e madhe, më e rëndësishme për shqiptarët dhe është e rëndësishme nga pikëpamja historike dhe politike sepse sjell, sipas mendimit tim, një paqe, një mirëkuptim, një pajtim që pashmangshëm duhet të ndodhë një ditë mes shqiptarëve dhe serbëve. Dua t’ju them se tek këto reagime pati njerëz që e përmendnin në vazhdimësi Dobrica Qosiçin. Ai është një figurë e madhe letrare serbe, është një shkrimtar i madh i cili është marrë edhe me politikë, një kohë ka qenë edhe kryetar i Jugosllavisë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai njeri ka folur shumë për çështjen shqiptare dhe serbe dhe për lidhjen e këtyre dy çështjeve. Njerëzit nuk e dinë, shkruajnë e flasin për të pa ditur asgjë prej Qosiçit, as nuk kanë lexuar punimin tim prej afro 30 faqesh për pikëpamjet e Qosiçit, por ai njeri ka thënë dikur se çështja shqiptare dhe maqedonase janë çështjet më të rënda të Ballkanit. Mandej, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ka thënë se Serbia duhet të turpërohet pasi ka pushtuar Shqipërinë në Luftën e Parë Botërore për qëllimet e saja për të dalë në det dhe ne e dimë që serbët kanë mbërritur deri në Durrës dhe prej andej kanë vazhduar me anije drejt Evropës, por edhe janë ndalur aty. E dyta, ai ka thënë në vitin 2004 se është i ligjshëm dhe është i pashmangshëm bashkimi i popullit shqiptar, pavarësisht se neve nuk na pëlqen kjo dhe ne nuk e duam këtë, por kjo është e ligjshme dhe e pashmangshme. E shikoni pra, ai ka thënë fjalë shumë të rënda për ne, për çështjen tonë, realisht, por i ka thënë edhe këto mendime që nuk i kanë thënë politikanë dhe intelektualë të tjerë serbë. Këta që nuk e dinë e përmendin pambarimisht Qosiç, madje duke e identifikuar mbiemrin tim me të tijin, Këto reagime kanë nxjerrë në dritë disa mendime që mund të jetë se po zhvillohen, po formohen e po krijojnë hapësirë në jetën tonë, mendime të cilat i quaj, me togfjalëshin, separatizëm kombëtar, të pushtuar nga ndjenja shoviniste brendakombëtare. Aty pati reagime tek të cilat mua më mohohej e drejta për të folur për këto çështje pasi nuk paskam lindur në Kosovë, pati edhe njerëz të tillë dhe një gazetë që quhet Bota Sot, që e ka pronarin në Zvicër, po ta lexoni atë gazetë, do të shihni se deri ku shkon kjo ideologjia separatiste brendakombëtare e ngarkuar me shovinizëm brendakombëtar. E shikoni pra deri ku shkojnë. Pse, nga vjen kjo tani? Sepse kemi njerëz, ndoshta edhe zyrtarë, që mund të kenë pas shpinës edhe ndonjë institucion, siç është Akademia jonë e Shkencave dhe e Arteve, të cilët, një ideologji të tillë separatiste kombëtare, e arsyetojnë me shtetin e Kosovës dhe me krijimin e kombit kosovar dhe kombi kosovar do ketë gjuhën e vet, kombin e vet që do të dallohet, objektivisht do jetë një komb tjetër që do dallohet nga kombi shqiptar. Por a mund të jenë këto mendime të pranueshme? Jo.

Kur udhëton, siç më ndodhi mua, siç i ndodh të gjithëve që udhëtojnë në autostradë në drejtim të Prishtinës, kur kalon Kukësin, ti thjesht e shikon që nuk mund të ketë një shtet shqiptar pa Kosovën.
Qosja: Njerëzit që mendojnë dhe shprehen siç e thashë më lart, mund të jetë edhe se i duhet t’i servilizojnë dikujt, ndonjë zyrtari, ndonjë institucioni, por ky nuk është ndonjë interes. Unë e kuptoj shqetësimin që mund të kenë qytetarët e Mitrovicës për këtë këmbim të territorit dhe shqetësimi i tyre është i natyrshëm sepse asnjë familje, asnjë njeri, asnjë grup njerëzish nuk i dëshiron këto lëvizje, por ne duhet të mendojmë se cili është interesi i përgjithshëm. Pavarësisht mendimeve të tilla, procesi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është i pashmangshëm. Nuk e them vetëm unë dhe nuk po e them për herë të parë. E ka thënë Adem Demaçi para 60-70 vjetësh, e kanë thënë edhe të huaj, e thonë edhe intelektualë dhe zyrtarë amerikanë dhe evropianë. Ndoshta e dëgjuat dhe e lexuat çfarë tha kryetari i Komitetit për Politikat e Jashtme të Kongresit Amerikan. Ai tha se serbët dhe shqiptarët duhet të këmbejnë territorin dhe ai, mendoj, tha për Mitrovicën Veriore dhe Luginën e Preshevës. Ai foli edhe më tutje, foli edhe për Maqedoninë dhe natyrisht ata flasin edhe për bashkimin e pashmangshëm të Kosovës me Shqipërinë dhe ky bashkim nuk është vetëm në interesin e shqiptarëve. Merreni me mend këtë bashkim, objektivisht në mënyrë të natyrshme, gjeografikisht, sa e çon përpara, sa e ngre jetën e shqiptarëve, sa e ngre standardin e shqiptarëve, por unë them se zgjidhja e kësaj çështjeje, pra bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është një zgjidhje më e lehtë edhe për vetë rajonin, edhe për vet Bashkimin Evropian nëse ai mbetet e ruhet dhe nëse ne bëhemi pjesë e saj, pra është më e lehtë për administratën e Bashkimit Evropian, është më e lehtë për rajonin, të kenë punë administrative, politike, ekonomike, tregtare, kulturore me një shtet sesa me dy shtete shqiptare. Tani çfarë duan këta njerëz që e kundërshtojnë idenë që është në të mirë të shqiptarëve?
Margaret Jursenar, një shkrimtare e madhe, shkruan: “mençuria është gjëja më e vështirë”. Pra, të mendosh mençur është më e vështira. Këtë dëshirojmë, që njerëzit që paraqesin ide që bazohen në separatizmin e tyre brendakombëtare të ngarkuar me një urrejtje shoviniste brendakombëtare, të fillojnë të mendojnë mençur për këtë çështje.

Është një shprehje tek “Princi i vogël” i Saint-Exupéry ku thotë se “nëse do që dikë ta ftosh të punojë me ty për të ndërtuar një anije, mos u trego sa shumë dru do i duhet e sa shumë lodhje do harxhojë për ta ndërtuar atë, por tregoji hapësirat, detet që do shkelë”. Mesa duket për këtë kanë nevojë edhe shqiptarët, që dikush t’u tregojë çfarë mund të sjellë bashkimi kombëtar sepse duke dëgjuar ndarje, Mitrovica, Presheva, të huajt, BE-ja, kjo i ka lodhur dhe nuk ndihmon të shohin horizontet që krijon bashkimi ynë.
Qosja: Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, bashkimin shqiptar, nuk mund ta arsyetojmë më me idenë e traditës sonë, me idenë e romantizmit, por duhet ta arsyetojmë konkretisht, me të dhëna konkrete, ja pikërisht, këtë që po pyesni ju, çfarë i sjell bashkimi kombëtar popullit shqiptar?! I sjell shumë të mira, për jetën e tij të mirë, për ngritjen e standardeve në jetën e tij. Kosova ka disa të veçanta të saja natyrore, gjeografike, Shqipëria ka disa përparësi natyrore, gjeografike dhe kur bashkohen të veçantat natyrore të Kosovës dhe Shqipërisë, atëherë krijohen mundësitë, pasurohen mundësitë për jetë të gjatë më të mirë të gjithë shqiptarëve. Kur bashkohen fuqitë krijuese të shqiptarëve në përgjithësi, në Shqipëri e Kosovë, ato fuqi krijuese sjellin shumë më tepër fryte dhe fryte shumë më të rëndësishme për jetën e të gjithë shqiptarëve. Për këtë arsye, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, bashkimi shqiptar është një premtim natyror, historik, ekzistencial me një rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e popullit shqiptar sot dhe në të ardhmen historike.

Si ju duket se po ecën dialogu me Serbinë?
Qosja: Nuk di. Di që ai dialog nuk është i përgatitur, e di që kur bën dialog për çështje të mëdha siç janë çështjet për popullin, çështjet për shtetet, do shumë konsultime me njerëz të ndryshëm, të profesioneve të ndryshme. Ne nuk jemi pa njerëz, kemi njerëz që kanë kryer fakultete të ndryshme, kanë magjistruar, kanë doktoruar. Por edhe Shqipëria ka njerëz më shumë se ne, me shumë përgatitje për këtë çështje dhe me nivel dhe përvojë njëqind e ca vjeçare shtetërore. Është dashur të shfrytëzohet përvoja, dija e këtyre njerëzve. Bisedimet me Serbinë kanë filluar pa biseduar pothuajse me askënd dhe jo rastësisht ndodh të nënshkruajnë dy marrëveshje, një në Vjenë dhe tjetrën të arritur në Bruksel: marrëveshjen e bashkësisë së komunave serbe dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Ato marrëveshje janë nënshkruar, kanë përfunduar. Është parë se janë të dështuara të dyja, që kalojnë një vit e më shumë, se hiqen zvarrë ato marrëveshje dhe tani këta të politikës rreth tyre dhe me to. Pse ndodhi kjo? Sepse nuk u konsultuan me askënd, siç konsultohen zakonisht ata që merren me këto punë. Tani po dëgjojmë disa prej atyre që merren me këto punë, konferenca të ndryshme, televizione, por më parë nuk janë marrë me këto dhe mendimet e tyre, ka ndodhur si ka ndodhur. Ato ishin dhe vazhdojnë të jenë bisedime, nuk dua të fyej askënd, por po ta shohim mirë, ato janë pak a shumë bisedime diletante të cilat nuk kanë sjellë atë që është dashur të sjellin. E patë çfarë ndodhi tani në Mitrovicë? Me 4 janar kemi ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë, kemi ndërtimin e murit afër Ibrit prej dhjetorit, Mitrovica e jugut ka administratën komunale, por tek sytë e asaj administrate u ndërtua muri dhe nuk u dëgjua nga ajo administratë se po ndërtohet një mur, vetëm vonë pasi u përfundua ai mur, u dëgjua. Më pas u nis treni i stolisur me shenjtorë dhe djallëzoret drejt Mitrovicës, por që u ndal në Rashkë, që nuk e di sa kilometra larg kufirit është, ndoshta 10, 15, 20 kilometra, por ai tren u ndalua. Policia jonë shkoi në Mitrovicë. Si ndodhi e gjithë kjo, të ndërtohet ai mur në sytë e administratës së Mitrovicës Veriore pa reaguar ajo administratë hiç dhe tani po dëgjojmë lëvdata për kryetarin e komunës së Mitrovicës Jugore se ndikoi që të shembet ai mur?! Si ndodhi që ai tren të ndalohet atje, aq larg kurse policia jonë të shkojë deri aty, këtë nuk po e kuptoj. Tani po lexoj çfarë shkruajnë dhe çfarë flasin agjencitë e huaja të lajmeve evropiane e amerikane, interneti të bën të mundur të dëgjosh edhe çfarë flitet dhe shkruhet në Beograd, Tiranë dhe këtu në Prishtinë. Nuk e di si ndodhi të ndalet ai tren atje dhe policia të shkojë atje. Kush e urdhëroi, si e urdhëroi, a pati ndonjë farë marrëveshjeje aty? Ka nga ata që thonë se janë marrë vesh, administrata e Prishtinës me administratën e Beogradit për të bërë një teatër. Unë nuk besoj tek kjo mundësi, besoj tek reagimi i zyrtarëve tanë,besoj tek reagimi i zyrtarëve evropian dhe natyrisht para së gjithash dhe mbi të gjitha të aty të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë diçka ka mbetur e paqartë, e pashpjeguar në këtë punë deri në fund. Ato bisedime me Serbinë nuk janë në rregull e duhet të diskutohet për ato bisedime, ato bisedime duhet të përgatiten me një varg kushtesh të cilat nuk bën të mos bëhen kusht për bisedime.

Para pak ditësh në një intervistë të përbashkët mes Presidentit Thaçi dhe Kryeministri Rama u fol për lufte dhe paqe. A shikoni ju profesor luftë gjëkundi?
Qosja: Jo. Për problemet për të cilat fola dhe sot nuk shoh luftë. Dikush e dramatizon këtë punë për të mbuluar çështje të tjera, por nuk më duket se ka mundësi për luftë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më kot në Bondstill, ata nuk kanë ndikuar vendosmërisht përkrahjen e ushtrisë sonë çlirimtare për çlirimin e Kosovës, nuk kanë ndikuar vendosmërisht që të bëhet Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojnë që të bëhet luftë tani, në asnjë mënyrë, madje as Bashkimi Evropian sepse nuk është në interesin e tyre, por flasin të tjerë për këtë luftë për të mbuluar disa të këqija të tjera dhe për të krijuar disa tensione që dikujt i konvenojnë.

Pra më shumë se tek Kryeministri Rama apo Presidenti kosovar Thaçi, ju besoni te presidenti Trump.
Qosja: Unë besoj tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kam thënë dhe e përsëris, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një shtet i madh me sipërfaqe, me numër të popullsisë, me zhvillim ekonomik, me fuqi ushtarake dhe me fuqi politike në botë dhe e quaj të ligjshëm, të natyrshëm, të domosdoshëm interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën globale, planetare në përgjithësi. Shtet i përbërë prej të gjitha racave, kombeve, feve ka një të drejtë morale, politike, etnike të interesohet dhe pa të do të ndodhte kaos në planet, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë fuqia që krijojnë një ekuilibër në këtë planet. Unë kam besim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në Kosovë nuk mund të ndodhin tragjedi siç ka ndodhur.

Zgjedhjet nuk fitoi Hilari Klinton, një emër i rëndësishëm për shqiptarët, por Donald Trump. Për ju, Amerika do i trajtojë shqiptarët ndryshe, tani?
Qosja: Tani Donald Trump i fitoi zgjedhjet, është kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka paraqitur disa mendime që një numri njerëzish nuk i kanë pëlqyer, ka disa pikëpamje, disa koncepte që sjellin shumë ndryshime në politikën amerikane dhe ato ndryshime kanë shkaktuar disa shqetësime edhe në Bashkimin Evropian, edhe në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera, megjithatë ne duhet të presim e të shohim se si do të realizohet ajo politikë e kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ekipit të tij, por unë besoj dhe u tha, e tha Ministri i Mbrojtjes, Pentagonit se politika ndaj shqiptarëve, Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve nuk ndryshon, do të mbetet e njëjta politikë e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani nuk jemi ne ata që iu jemi pjekur nën dardhë dhe do bëjnë çdo gjë për ne vetëm pse ne jemi ne, se ne jemi më të mirët në botë, jo, janë edhe disa interesa të tyre gjeostrategjike. Për fatin tonë, interesat tona kombëtare dhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përputhur dhe Amerika e sheh se shqiptarët janë aleati i tyre i sinqertë, i natyrshëm, i kuptueshëm, i domosdoshëm.

Besoj ju e keni ndjekur në media që flasin shumë pas zgjedhjes së Presidentit Trump për mënyrën sesi është shprehur Kryeministri Rama për të?
Qosja: Është e drejtë e çdo qytetari, intelektuali, politikani, çdo njeriu në pozitë politike, partiake, shtetërore të shfaqë mendime për politika dhe politikanë të ndryshëm. Mund të jetë se këto mendime duhet të jenë më të përmbajtura kur janë zgjedhjet, për ata që marrin pjesë në zgjedhje. Ndoshta gjatë fushatave nuk do të duhet të jepen mendime pasi paraqet animet e tua për një kandidat ose tjetrin, për mendimin tim do të duhet të jesh më i përmbajtur. Mund të jetë se Kryeministri i Shqipërisë do të kishte vepruar më mirë po të kishte qenë më i përmbajtur, mos të kishte deklaruar për këtë apo atë kandidat gjatë fushatës, por kjo nuk do të thotë se nuk është e pranueshme, e lejueshme që pas fushatës të shprehësh mendimin përkrahës apo mendimin keqardhës pse kandidati tjetër nuk ka fituar apo jo?! Unë nuk mendoj se kjo deklaratë e atëhershme e Kryeministrit të Shqipërisë mund të ketë pasoja, për Shqipërinë jo që jo, por as për vet Kryeministrin e Shqipërisë, nuk mendoj se do të ketë pasoja, mendoj unë. Nuk dëshiroj të ketë pasoja, por as nuk mendoj se do të ketë pasoja.

Sepse juve ju pëlqen Edi Rama dhe asgjë nuk ka ndryshuar për mënyrën sesi ju e shikoni Kryeministrin e Shqipërisë.
Qosja: Mendoj se Edi Rama, madje e kam shkruar, kur ishte në Beograd dhe ku u shpreh, u paraqit, u organizua një fushatë e vogël kundër tij dhe unë shpreha disa mendime për te. Ai është një politikan, shtetar dhe intelektual njëkohësisht, ai, për mua, është i rëndësishëm në radhë të parë sepse ka filluar ta reformojë Shqipërinë, ta bëjë një shtet bashkëkohor dhe ta evropianizojë. Shqipëria ishte si ishte, mes një autarkie dhe një anarkie, e tillë ishte Shqipëria. Edi Rama dëshiron ta reformojë Shqipërinë, ta modernizojë dhe kjo nuk është pak, por është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën. Reforma që bëhet në drejtësi është me rëndësi ekzistenciale, jo vetëm politike, jo vetëm për statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, por me rëndësi ekzistenciale për vetë popullin shqiptar, është një reformë që premton mënjanimin, ndaljen, pengimin, frenimin e shumë të këqijave në jetën e popullit shqiptar në Shqipëri, e mendoj se prej kësaj reforme do mësojmë edhe ne në Kosovë.
Megjithatë, me gjithë këtë përkrahje që unë i kam dhënë dhe i jap Edi Ramës në përpjekjet e tij për reformimin e përgjithshëm të Shqipërisë, jo vetëm të drejtësisë, por të të gjitha fushave të tjera, nuk do doja t’i shihja disa veprime dhe mendime të Edi Ramës. Fjala vjen, do të doja ta shihja më pak në televizion. Televizioni për një farë kohë i afirmon njerëzit, por televizioni edhe mund t’i dëmtojë, mund t’i shkatërrojë njerëzit në qoftë se e teprojnë. Pra do masë dhe masa është formuluar në Greqinë antike prej Platonit e Aristotelit, masa është përbërës i veprës shkencore, i veprës artistike, i etikës, i sjelljes së njerëzve, i organizimit të tyre politik, shtetëror.
Masa është shumë e rëndësishme, kërkon një masë dhe do doja që Edi Rama ta ketë këtë masë në paraqitjet e tij publike dhe të mos paraqitet në vendet e të gjithë ministrave të tij, por të paraqiten vetë ministrat për një varg çështjesh dhe jo Kryeministri i Shqipërisë, jo kryetari i Shqipërisë, por ministrat pasi janë fushat e tyre dhe dëgjohen me po aq interesim apo kur paraqiten rrallë dëgjohen edhe me më shumë interesim sesa këta kryesorët.
E dyta, do të doja që disa çështje që po i trajton, për shembull, çështjen e këmbimit të territoreve, do doja që për disa çështje, që i quajmë shkencore, për të cilat ai flet, të përgatitet. Në botën demokratike figurat shtetërore, politike të larta nuk merren me historinë ndërsa këtu të gjithë po merren me historinë e letërsisë. Ata nuk janë ekspertë, nuk e njohin historinë e letërsisë, por prapë merren me të, i vlerësojnë shkrimtarët, i japin nota vlerësuese, i shpallin të mëdhenj e kolosë, por ata nuk janë për atë fushë, nuk janë të përgatitur. Kjo gjë ndodhte në komunizëm, Stalini i bënte autoritete të përjetshme krijuesit e ndryshëm, por në demokraci nuk e di a mund të dëgjohet ndonjë shtetar evropian apo amerikan të bëjë vlerësime të tilla për krijuesit, shkrimtarët, kompozitorët, aktorët, regjisorët, piktorët, skulptorët, pra do doja që Edi Rama të mos futej aq lehtë në vlerësime të tilla shkencore sepse nuk është i fushës, nuk është i përgatitur dhe dëgjuesit mund të mendojnë se arsyet nuk janë shkencore, por të tjera, politike.
E treta, nuk do të doja që Kryeministri i Shqipërisë të futej në çështje fetare, jo. Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit, ne nuk kemi të drejtë dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes tani të flasim në një mënyrë që lejon të mendohet se po favorizohet kjo apo ajo fe, politikanët nuk duhet të merren me çështje fetare. Është ligji, është Kushtetuta, çështjet janë edhe për fenë të cilat janë të rregulluara me ligj dhe do të zbatohen ligjet e Kushtetuta port çështjet fetare, por jo njerëzit politikë të flasin për çështje fetare që mund të trajtohen si anime. Fjala vjen, Kryeministri i Shqipërisë foli për ish Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të cilin tha se ka ndërruar fenë. Kjo nuk mund të dëshmohet dhe mendoj se nuk bëri mirë që e tha sepse tingëlloi si propagandë. Derisa familja e tij nuk e ka deklaruar këtë e kurrkush nuk e di përpos familjes së tij, fëmijët e bashkëshortja nuk e kanë deklaruar nëse e kanë ndërruar apo jo fenë dhe ne të tjerët nuk kemi asnjë të drejtë të japim mendime për atë çështje. Prandaj mendoj se Kryeministri i Shqipërisë nuk është dashur dhe nuk duhet të futet aq lehtë në çështje fetare.
Tjetër, Papa Françesku është një figurë e madhe fetare, morale, etike dhe figurë e madhe po shihet edhe në politikë. Sot mund të jetë figura më e madhe në botë me ndikim etik. Ai është një figurë për të cilin nuk e di a ka kush që nuk ka simpati dhe përkushtim të përgjithshëm ndaj tij. Unë kam shumë përkushtim ndaj asaj figure fetare, etike dhe politike, për fjalët e tij, për ndikimin e tij në botë, por nuk e quaj të arsyeshme ngritjen e shtatores së Papës në një shtet laik. Këto gjëra nuk ndodhin as në Evropë apo shumë rrallë mund të ketë ndodhur. Unë nuk e quaj të arsyeshme këtë dhe nuk e quaj të arsyeshme sepse, e para, Shqipëria është shtet laik dhe nuk duhet t’i japim kuptime fetare dhe e dyta, jemi popull me tri fe dhe duhet të kemi kujdes për harmoninë shumëshekullore të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e shpresojmë të vazhdojë kështu.

Po futja e lëndës fetare në shkolla profesor?
Qosja: Futja e lëndës fetare të krishterimit, të fesë ortodokse, katolike, myslimane veç e veç në asnjë mënyrë jo, por të historisë së fesë, të ndërtimit të zhvillimit të fesë po, si lëndë për fenë, për historinë e fesë në përgjithësi, por jo për fetë veç e veç. Nuk mund t’i ndajmë shkollat, nuk mund t’i ndajmë nxënësit në shkollë, mendimet e tyre në shkollë, në duhet t’u mësojmë se çfarë është feja, pse është krijuar feja, si është zhvilluar etj. Pra, unë jam për historinë e fesë si lëndë shkollore, të krijimit, ndërtimit dhe zhvillimit të fesë, por jo fetë e veçanta.

Ju sapo numëruat tre momente të rëndësishme që në fakt nuk i keni bërë më parë për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ndërkohë, i keni ndjekur zhvillimet e koalicionit në Shqipëri, problemet, përplasjet mes z. Meta dhe z. Rama. A ju kanë krijuar tension, pasiguri apo politika kështu funksionon?
Qosja: Nuk e di a funksionon gjithkund ashtu. Tek ne po funksionon dhe them pa ngurrim, me një bindje timen, uroj vetëm timen, se funksionin në një mënyrë jo normale, jo të rregullt, jo të natyrshme, jo të dobishme, jo me interes të përgjithshëm në pjesën më të madhe të kohës. Aleanca shtetërore mes dy, tri partive nuk është parti. Në një parti mund të ketë mendime të ndryshme, por jo kur ke koalicion mes dy partive. Nëse ato nuk i kanë qëndrimet e përbashkëta për çështje të ndryshme, mund të bëjnë dëme. Unë kam përcjellë reagimet e LSI gjatë përpjekjeve për reformën e drejtësisë dhe duhet të them se në disa momente këto reagime nuk më kanë pëlqyer, nuk e kanë ndihmuar çështjen, e kanë zgjatur shumë përpjekjet për t’u realizuar ajo reformë. Edhe në momente të tjera janë shfaqur reagimet e LSI kundër Partisë Socialiste, aleatit të vet kryesor. A nuk mund të merren vesh përpara ata njerëz dhe të dalin me një mendim? Për mendimin tim munden dhe duhet pasi është në interesin e Shqipërisë dhe të reformave që po bëhen në Shqipëri që ata derisa janë bashkë, të jenë bashkë.

A ju duket që janë bashkë? A mund të jenë bashkë këta njerëz pas atyre që tha ish Ministri i Drejtësisë i shkarkuar nga Rama?
Qosja: Nuk e di a do të mund të jenë bashkë, nuk e di. Lëvizja Socialiste për Integrim rri në dy karrige, nuk ka shumë mirëkuptim as për individët, as për intelektualët, as për politikanët, por as për partitë politike që rrinë në dy karrige. Përvoja historike ka dëshmuar se ata që rrinë në dy karrige, shpesh përfundojmë mes tyre. Më kuptoni, përfundojnë poshtë, mes dy karrigeve.

Pra, ia parashihni këtë lloj fati z. Metës apo thjesht i sugjeroni të bëjë kujdes?
Qosja: Ilir Meta lë përshtypjen e një politikani të zgjuar, të shkathët, por shkathtësia, zgjuarsia, përvoja politike, sipas mendimit tim, gjithmonë tregohet më e suksesshme, më e dobishme për të përgjithshmen nëse ka edhe një bazë të qëndrueshme etike. Nuk jam i sigurt se LSI e ka atë bazë të qëndrueshme përderisa aq lehtë mund të qëndrojë në dy karrige.

Ndërkohë e pandryshueshme është PD, apo pasardhësi i Berishës, Basha, tregon që diçka ka ndryshuar dhe po ndryshon në atë parti?
Qosja: Unë mendoj se Partia Demokratike e Shqipërisë është një parti e rëndësishme për Shqipërinë, e nevojshme, e dobishme. Çdo pushtet ka nevojë për opozitë dhe Partia Demokratike, si partia më e madhe sot e opozitës, i duhet shumë Shqipërisë dhe i duhet këtyre që kanë pushtetin, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, tyreve iu duhen vërejtjet, qortimet, reagimet, mospajtimet e opozitës. Por për mendimin tim, për bindjen time reagimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk janë reagime politike të pjekura, të dobishme. Mendoj se nuk janë të dobishme jo vetëm për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë, por as për vetë Partinë Demokratike. Udhëheqja e asaj partie ushtron një terror me gënjeshtra ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Reagimet, fjalët, gjuhën e Kryetarit të sotëm të Partisë Demokratike z. Basha, e përjetoj si një terror me gënjeshtra. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij, ndoshta në Kryesinë e partisë, në vazhdimësi flasin për krimet e Edi Ramës, i lidhur me krimin, punon me krimin, i ka bërë kriminelë, do t’i bëjë kriminelë, kriminel andej, kriminel këndej. Po mirë, në qoftë se Kryeministri i Shqipërisë qenka aq kriminel në të gjitha fushat, i bashkuar me kriminelë, që u shërben vetëm kriminelëve, atëherë pse nuk është në burg ai njeri, pse është në liri ai njeri, pse është Kryeministri i Shqipërisë ai njeri, pse nuk është në burg ai njeri që ka gati 4 vjet si Kryeministër? Si është e mundur të flasë kështu? Nga vjen ajo gjuhë, me çfarë e dëshmon atë gjuhë? Gjuha e Partisë Demokratike të Shqipërisë, gjuha e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk është gjuhë e një politikani, nuk është gjuha e një kryetari të partie opozitare, ajo është gjuhë e një polici, prokurori dhe gjykatësi dënues, por jo e një politikani. Ajo gjuhë vetëm me vlerësime, pa të dhëna, pa argumente, pa dëshmi. Epo politika nuk mundet kështu, ajo është një propagandë e dëmshme, e pafrytshme dhe jo etike, e dështuar, mendoj se ai është duke e dëmtuar me atë gjuhë partinë e vet. E shikoni pra, ne kemi gjuhë politike në radhë të parë në vazhdimësi të gjatë me urrejtje. Unë kam shkruar në librin tim “Pushteti i korruptuar, protagonistët dhe viktimat”, kam shkuar për gjuhën e klasës politike shqiptare, ajo gjuhë e mbushur me urrejtje. Si mund të lejohet ajo gjuhë, ajo gjuhë prish shumë, prish të rinjtë, nxënësit, studentët, popullin. Ka diçka që i mban shqiptarët bashkë, nuk do të kishin qëndruar bashkë, do të ishin zhdukur, do të ishin asimiluar, nuk do të kishte pasur Shqipëria shqiptarë po të mos kishte diçka që i ka mbajtur bashkë, është një ndjeshmëri e përbashkët, është një kulturë e përbashkët, është një histori e përbashkët, është një jetë e përbashkët, është një etikë e përbashkët. Me atë gjuhë të urrejtjes të gjitha këto po përmbysen, po këputen lidhjet shekullore, mijëravjeçare mes shqiptarëve me atë gjuhë të urrejtjes.

Profesor, opozita akuzon fort dhe flet gjithë kohës për kanabizimin e shoqërisë. Kjo p.sh është gjuhe e urrejtjes, apo ka fakte që Shqipëria është hashashizuar.
Qosja: Problemi i drogës, siç po shihet, ekziston, një problem që duhet zgjidhur, që i duhet dhënë fund. Nuk është e lehtë, kur e sheh ku e gjithë po mbillet droga, madje edhe në atë malësinë time kam dëgjuar në televizion se është gjetur drogë e mbjellë, por dhe opozita e përdor për disa qëllime të vetat politike dhe jo për t’u zgjidhur problemi i drogës.

Askënd nuk kam dëgjuar të merret me një tjetër aspekt të drogës, të kultivimit, përpunimit, shitjes së drogës dhe ky është aspekt etik. Duhet të merremi me anën etike të shitjes së drogës, me drogën duhet të merren psikologë dhe sociologë. Me drogën nuk shkatërrohet vetëm një njeri, një nxënës, një student, një vajzë, një person, por shkatërrohet një familje e tërë. Ky është një problem i madh etik me të cilin duhet marrë dhe duhet inkuadruar në luftën kundër drogës.

Pastaj kjo drogë, që njerëzit tanë po e çojnë, po e shesin në shtetet evropiane, krijon një përfytyrim jo të mirë, një përfytyrim të keq për ne, shqiptaret.
Pra duhet ta luftojmë drogën edhe për çështje të dinjitetit tonë kombëtar dhe shqiptarët e kanë dëshmuar në histori se kanë përgjegjësi, ndërgjegje, kanë parime të larta etike.

Është një njeri në Shqipëri i cili flet një shqipe të shkëlqyer, ambasadori amerikan Donald Lu, qe së fundmi i hoqi vizat prokurorëve, gjykatësve dhe ka krijuar një situatë të pazakontë në Shqipëri. Si e keni përcjellë ju këtë?
Qosja: Unë e kam përcjellë prej fillimit ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Pavarësisht atyre që janë thënë e shkruar, unë reagimet e tij, paraqitjet e tij, që në disa raste mund të duken pak të tepruara, i kam quajtur të dobishme për Shqipërinë, e ka ndihmuar procesin e reformave që po bën qeveria në Shqipëri. unë e dëgjova tani çfarë ndodhi e çfarë po ndodh për mospajtimet më Kryeprokurorin. Nuk e di a është e vërtetë ajo që dëgjova, që Kryeprokurori e ka dërguar bashkëshorten në Amerikë që të lindë për arsye shëndetësore, por për arsye shëndetësore është edhe Evropa që është edhe më afër. Unë kam dëgjuar se e ka çuar bashkëshorten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lindë atje dhe që fëmija të fitojë nënshtetësinë amerikane. Nëse është e vërtetë, ai Kryeprokuror i Shqipërisë humb besimin që duhet të kenë shqiptarët ndaj tij, humb legjitimitetin e kryeministrit të Shqipërisë, për bindjet e mia. Kur e dëgjova këtë lajm nisa të mendoj se ai kryeprokuror nuk meriton të jetë kryeprokuror të Shqipërisë,mjerisht dhe i dhashë të drejtë ambasadorit Donald Lu.

Pra, ju nuk keni dilema, ju jeni me ambasadorin Lu.
Qosja: Jo, unë nuk kam dilema. E tha bukur gazeta Tema, “Shqipëria do të deklarohet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo për Kryeprokurorin” dhe unë mendoj se Shqipëria është e deklaruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, ndalimi i vizave për disa anëtarë të drejtësisë shqiptare ishte një akt i paprecedentë, gjë që nuk u prit me negativitet tek shqiptarët, përkundrazi, ata duan që të vazhdojë kështu edhe me politikanët.
Qosja: Nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë këtë, madje përpos heqjes së vizave marrin edhe masa të tjera, me sa kam dëgjuar si për shembull iu bllokojnë mjetet e rezervuara në banka apo jo. Këto janë masat e një shteti që i ka marrë dhe i merr. Mund të mos kemi mirëkuptim për këto masa, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurisht mendojnë se me masa të tilla ndikojnë në zgjidhjen e disa çështjeve në shtetet për të cilat janë të interesuara ato.

Trajtimi i drejtë, me drejtësi i të gjithë qytetarëve, të gjithë njerëzve, si atyre që janë në pozitat më të larta, si atyre që kanë status të veçantë, si atyre që janë më të varfrit dhe më të shpërfillurit, drejtësia iu sjell shpresë apo i demoralizon deri në fund njerëzit.
Qosja: Nuk është thënë kot prej njerëzve të mençur evropianë “Drejtësia dhe vetëm drejtësia i mban qytetet dhe shtetet”. Pa drejtësi rrënohen qytetet dhe shtetet.

Ndërkohë, shumë gjëra ndër shqiptarët kanë ardhur nga jashtë, jo së brendshmi, që nga pavarësimi ynë, nga pavarësimi i Kosovës e të tjera zhvillime tonat. Edhe kjo reformë shumë e rëndësishme, siç është reforma nuk drejtësi nuk është e brendshme, nuk është nga, janë të huajt që po e kërkojnë dhe duan ta realizojnë. A ju duket kështu profesor?
Qosja: Që shqiptarët nismat dhe proceset e tyre kryesore iu vijnë prej jashtë, prej të huajve, jo prej vetvetes nuk është e mirë dhe kjo ndodh sepse shqiptarët nuk merren vesh mirë mes vetes. Unë kur shkrova librin “Çështja shqiptare, historia dhe politika” nuk kam gjetur shumë materiale shqip. Fatkeqësisht, shkrimtarët tanë nuk na kanë lënë kujtime, nuk na kanë lënë dokumente ose kanë lënë shumë pak korrespondencë, nuk na kanë lënë arkivat e tyre personale, nuk kemi pasur shtet, nuk kemi pasur administratë që të kemi dokumente shtetërorë, nuk janë botuar libra për çështjet tona politike, shtetërore dhe më është dashur të shfrytëzoj literaturën nga gjuhët e popujve të Jugosllavisë dhe aty kam gjetur shkrime të ndryshme për shqiptarët që serbët i kanë përkthyer, kroatët, sllovenët, malazezët, maqedonasit, por sidomos serbët dhe kroatët. Tek të dhënat thuhet se shqiptarët më shumë e kanë dëmtuar njeri-tjetrin, më shumë e kanë pësuar prej njeri-tjetrit sesa prej të huajve. A mos po ndodh kjo edhe sot? Kur e shikojmë tani sesi sillen ata që janë në pushtet dhe opozita na duket se kjo po ndodh edhe sot, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Shqiptarët nuk mund të veprojnë vetë prandaj nuk kanë pasur nisma për çështjet e veta kryesore historike, ekzistenciale, por kanë ardhur prej të tjerëve, mjerisht. E pra, do duhej vetë. Shqiptarët, e keni parë, çdo gjë e presin të vijë prej Evropës dhe SHBA-së, por jo sepse ato janë fjalët e tyre të mëdha me të cilat dalin para dëgjuesve, shikuesve të tyre ditë e natë pa pushim dhe i mbulojnë ato të vetat që populli nuk dëshiron t’i dëgjojë e shohë. Kjo është një demagogji e veçantë, një mashtrim i dëgjuesve e shikuesve që ndodh prej pushtetit në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo që dëshirojmë të shohim është të qëndrojnë vertikalisht, por nuk po i shohim. Ata duhet t’i bëjnë vetë disa punë e jo duke kërkuar vetëm ndihmë nga BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

Ju hyni tek njerëzit që nuk dorëzoheni, vazhdoni shkruani, vazhdoni reagoni, nuk hyni tek njerëzit që i dorëzoheni turmës. Ndërkohë, a ka një zhgënjim të fshehtë tek ju të cilën ia transmetoni stërmbesës, për shembull duke dëshiruar në fshehtësi që ajo të ikë nga Kosova, të jetojë jashtë? Apo të tjera gjëra i thoni Rinesës?
Qosja: Një ditë, një avokat i ri në moshë, e dëgjova kur tha “Të hysh në duart e gjyqësorit tonë në Kosovë është ferr dhe të jetosh këtu është e tmerrshme”. Shikoni, për gjyqësorin e Kosovës, nuk e kam dëgjuar këtë temë kurrë, këtë vlerësim, por shkel rëndë të drejtat e njeriut dhe me të edhe shteti i Kosovës. Në qoftë se një fletëdenoncim i yti që e ke paraqitur në gjyq nuk trajtohet 5 vjet, 6 vjet, 10 vjet, për gjithë këto vite ty si qytetar të janë shkelur të drejtat e njeriut sepse nëse ti mendon se të është bërë një e padrejtë, e shkallëve të ndryshme, dhe je ankuar, kërkon të drejtën tek gjyqësori dhe ata nuk ta kryejnë, ty vazhdojnë të të shkelen të drejtat njerëzore. Ata nuk e mendojnë këtë punë. Kurrë nuk kam dëgjuar gjykatës ta trajtojë problemin kështu. Dëgjova se 100 mijë e ca lëndë gjyqësore janë të pa trajtuara në Kosovë. Ku jetojmë ne? Në Amazonë të Brazilit apo në një shtet me institucione juridike? Ku jetojmë ne që na duhet të presim kaq shumë vite që të trajtohet lënda jonë? Dhe kush e di pse nuk trajtohen, kush e di se kush ndërhyn aty dhe kjo e bën jetën qytetare pa siguri juridike, shtetërore. Mund ta kenë sigurinë këta të shtetit, por jo ti si qytetar që je i barabartë me të dhe mendon, çfarë dua unë këtu. Një figurë e madhe politike, morale e Kosovës, është emër orientues, etik, i madh në jetën e shqiptarëve ka thënë “oh tregomëni ku është më e largëta që të shkoj”. E shikoni pra. Ai që sheh se çfarë ka në jetën tonë, në njërën anë korrupsion, nepotizëm, krim të organizuar, privilegje të jashtëzakonshme të tyre në pushtet dhe nga ana tjetër të varfër, të heshtur, të nënçmuar. Në njërën anë ata të pushtetit që kërkojnë pensione suplementare, që kërkojnë rroga pesë herë më të larta se rroga mesatare në Kosovë, që kërkojnë udhëtime të veçanta të tyre të nevojshme dhe jo, që kanë privilegje të jashtëzakonshme, hanë e pinë, telefona që i paguan shteti. Atëherë çfarë kërkon aty qytetari i varfër? Në njërën anë ke retorikë, them unë, pseudopatriotike, e thirrur vazhdimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në, integrimet euro-atlantike dhe nga ana tjetër ke sjellje kushtetore despotike. Atëherë si do ndjehesh aty? Çfarë kërkon aty? Ka plot njerëz që mendojnë ashtu, por atë pakënaqësi ne nuk e shprehim pavarësisht se të gjitha këto ua shohin aty në pushtet dhe nuk pajtohen me to, por nuk dalin të reagojnë ashtu siç po bëjnë, ta themi, në Rumani tani. Unë kam një stërmbesë që është 2 vjeç e gjysmë dhe dëshiroj që ajo të rritet në Kosovë dhe nuk e di nëse do të arrij, a do të më japë jeta afat ta edukoj si duhet, por besoj se në edukimin e saj, në përkushtimet, botëkuptimet, ndjeshmërinë e saj do të ndikojë edhe kjo e vetmja pasuri që unë e lë dhe që është kjo, biblioteka ime.

I druheni kësaj botës që këtë pasuri nuk e kupton, është një botë tjetër, që e frikësoi edhe Umberto Ekon.
Qosja: Po, unë e kam lexuar letrën e Umberto Ekos drejtuar nipit të tij. Më ka bërë shumë përshtypje. Kam lexuar, jo të gjitha, disa vepra të tij. Ai për mua ishte një figurë e madhe letrare, mund të jetë më e madhja e Evropës dhe u çudita shumë sesi vdiq pa iu dhënë çmimi Nobel. Shkrimtari dhe intelektuali më i madh i Evropës iku pa iu dhënë çmimi Nobel. Dhe këtë fuqinë e tij të madhe intelektuale, morale që e kishte tregon kjo letër. Ai i kuptonte të gjitha këto ndryshime që i ka sjellë teknika moderne e jashtëzakonshme që kanë ndryshuar qytetërimin botëror, elektronika, por nuk e ka humbur besimin tek libri dhe i thotë nipit të vetë, duke i sugjeruar librat që duhet të lexojë, i thotë “kujtesën mos e humb, t’i kushtosh kujdes”. Ne i kemi kompjuterët, por kujtesën e krijojmë, e ushqejmë në jetë prej njerëzve të tjerë dhe sidomos prej librave, librat na e krijojnë kujtesën dhe ajo kujtesë na mban të gjallë, na pasuron shpirtërisht, na i pasuron ndjenjat, kujtesë që nuk është e kësaj teknike të ditëve të sotme, jo, por është kujtesa e marrë prej njerëzve të tjerë, prej jetës dhe në mënyrë të veçantë prej librave. Pra, kujtesën e ngre shumë dhe me këtë e ngre edhe librin. Unë i kam lexuar edhe shkrime të tjera të Ekos. Ai e quan librin të pavdekshëm, megjithatë vetëm me librin ti mund të qëndrosh natë e ditë e të mësosh prej tij. Libri është i përjetshëm dhe duhet ta dëshirojmë këtë që të jetë i përjetshëm. Jo rastësisht numri i librave që botohet tani, në 2016, është shumëfish më i madh se numri i librave që është botuar më parë.

Besoni tek librat.
Qosja: Po, unë besoj tek librat.

Profesor, do doja ta mbyllja me besimin tek librat sepse duam të besojmë tek librat, ku të besojmë tjetër. Në fund, ju nuk ishit në përcjelljen e Dritëro Agollit. Do donit ta kalonit përcjelljen e tij në të gjallë, të mos e shikonit ndërsa ikte edhe pse e shoqëruan me karafila, me trëndafila, me veprën e tij e shoqëruan.
Qosja: Unë do të doja të isha aty në përcjelljen e Dritëro Agollit. Gjendja fizike në të cilën isha momentalisht nuk ma lejoi këtë mundësi, me keqardhje të madhe e them. Unë e përcolla të gjithë homazhin e tij, nga fillimi deri në fund dhe ishte një përcjellje plot dinjitet, për të cilën Shqipëria ka shumë përvojë, ka tradita, i bën tepër mirë. I bëri në mënyrë të veçantë homazhet për Dritëro Agollin të cilat ai i meritonte, një figurë e veçantë, shumë origjinale e letërsisë, e kulturës, e jetës shoqërore dhe politike shqiptare në përgjithësi. Unë i uroj ata që e organizuan kaq bukur homazhin për Dritëro Agollin dhe më erdhi mirë që u respektua ashtu diçka që nuk po respektohet sot. U respektua letërsia, u respektuan artet, u respektua kultura që po ta shohësh ditëve të tjera, nuk është e përfillur sa do duhej, as në programet shkollore. Letërsisë dhe gjuhës shqipe nuk i jepet numri i orëve sa në Evropë. Lexova se në Evropë në shkollat e mesme, numri i orëve është 10 në javë. Nuk e di sa është tek ne. Pra numri i orëve të letërsisë është i madh në botë. Letërsia dhe gjuha janë dy lëndë të mëdha që na ruajnë kulturën dhe na e pasurojnë atë, jetën tonë dhe identitetin tonë. Gjuha dhe letërsia që janë kultura dhe identiteti ynë duan kujdes dhe përkushtim të veçantë nga shteti, që nuk e kanë sot, mjerisht.

Jo vetëm gjuha dhe kultura, por edhe gjuhëtarët, shkencëtarët, artistët që nuk janë. Unë tani dalloj çdo libër të ri që ju tani keni futur në bibliotekën tuaj. Atje pashë edhe “Princin e Arbërit” të Pëllumb Xhufit, gjithçka që njerëzit e bëjnë vetë, gjithçka është private tashmë, shteti nuk i ka në vëmendje përveçse kur vdes.
Qosja: Jo, nuk ka dhe ky është një gabim i madh. Sot në botë, këto shtete që kanë përparuar, që janë shtete të zhvilluara, me standard të lartë, siç janë Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Britania e Madhe etj., politika bëhet duke u bazuar në shkencë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëhet politikë diletante, bëhet politikë bazuar në të dhëna shkencore dhe në qoftë se ne nuk i kushtojmë kujdes shkencës, edhe në politikbërje, në qoftë se ne në plan të parë të jetës sonë politike, shoqërore, shtetërore nuk do vëmë shkencën, nuk do vëmë profesionalizmin, nuk do vëmë kulturën dhe punët tona do jenë keq, do bëhet keq për ne.

Këtë intervistë dhe mendimet që shpreha, një numër i njerëzve dhe disa miqve të mi, me të cilët njihem prej shumë vitesh, mund të mos i pëlqejë. Zakonisht nuk bëj llogari për këtë, ju pëlqen apo jo, për mua me rëndësi është të them të vërtetën. Mendoj se me të vërtetën e me të drejtën i bën shërbimin më të mirë popullit që i takon. Është një shkrimtar grek , Nikos Kazanzaqis, që ka shkruar romanin e famshëm “Letër El Grekos” i cili ka kërkuar që në varr t’i vendoset ky mendim: “Nuk më tremb asgjë, nuk shpresoj asgjë, jam i lirë”. Unë jam në një moshë ku s’kam çfarë kërkoj më, në një moshë ku aq sa mundem e më lejon mosha, dëshiroj ta pasuroj krijimtarinë time, veprën time. Unë nuk kam frikë për mendimet që them dhe kështu, duke mos dëshiruar të tjera, duke mos u frikësuar dhe duke mos shpresuar për kushedi çfarë privilegjesh, unë e ndjej veten plotësisht të lirë. Jam i lirë.

Profesor, ju falënderoj!
Qosja: Edhe unë ju faleminderit! Ju jeni gazetare, publiciste, por edhe shkrimtare. Unë kur bisedoj me ju e di se bisedoj jo vetëm me një gazetare që bën një bisedë me mua për televizionin, por bisedoj me një shkrimtare të shquar e cila do t’i sjellë vepra të reja gjithmonë e më të vlefshme letërsisë shqipe dhe jua uroj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme