Italia arreston ish-presidentin e Katalonjës, mund ta ekstradojë në Spanjë

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Ish-udhëheqësi separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, është ndaluar në Sardenjë të Italisë sipas një fletarrestimi të lëshuar nga Spanja.

Spanja e ka akuzuar atë për nxitje të kryengritjes, duke thënë se ai ka ndihmuar në organizimin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës në vitin 2017. Ky referendum më vonë u vlerësua si i paligjshëm.

Ish-presidenti i rajonit që për një kohë të gjatë është përpjekur që të pavarësohet nga Spanja ishte arratisur nga vendi pas referendumit. Ai filloi të jetonte në Belgjikë dhe është deputet i Parlamentit Evropian.

Avokati i tij tha se Puigdemont pritet të paraqitet në një gjykatë të premten dhe mund të ekstradohet, shkruan BBC.

Puigdemont fillimisht kishte imunitet nga ndjekja penale, pasi ishte zgjedhur deputet i Parlamentit Evropian më 2019, por ky imunitet iu hoq në mars.

Zyra e tij tha se politikani u arrestua në aeroportin Alghero të enjten pasdite. Puidgemont kishte udhëtuar drejt Italisë për të marrë pjesë në një festival të folklorit katalonas, tha avokati i tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme