Çfarë bëjnë drejtuesit që fitojnë menjëherë simpatinë e punonjësve të tyre?

Prishtinë | 15 Tet 2020 | 23:59 | Nga Ekonomia Online

Nëse doni të jeni një lider të cilin njerëzit e ndjekin me bindje të plotë, ju duhet të jeni një drejtues simpatik. Liderët tiranikë me vizion brilant mund t’i drejtojnë punonjësit për njëfarë kohe, por kjo nuk do të zgjasë.

Shpesh kur flas para një publiku më të vogël në numër, shpesh u kërkoj atyre të përshkruajnë drejtuesit më të mirë dhe më të këqinj për të cilët kanë punuar.

Njerëzit, në mënyrë të pashmangshme, i injorojnë karakteristikat e lindura (inteligjenca, të qenit i hapur etj.) dhe përqendrohen te karakteristikat që janë tërësisht nën kontrollin e drejtuesve, si gatishmëria, përulësia, të qenit pozitiv.

Këto fjalë dhe të tjera të ngjashme – përshkruajnë drejtuesit ekspertë në inteligjencë emotive. Kërkimet e TalentSmart te më shumë se 1 milion persona tregojnë se liderët që zotërojnë këto cilësi, janë shumë të pëlqyeshëm.

Më poshtë janë 10 sjellje kyç që drejtuesit emocionalisht inteligjentë i adaptojnë për t’i bërë edhe më simpatikë.

1. Ata formojnë lidhje personale

Edhe në një dhomë me shumë persona, drejtuesit simpatikë i bëjnë ata të ndihen sikur të ishin duke shkëmbyer një bisedë vetëm me ta, sikur të ishte njeriu i vetëm në dhomë që ka rëndësi. Dhe në atë moment, ata janë.

2. Janë të disponueshëm

A i keni parasysh ata njerëz që kanë kohë për ty vetëm në rastin se ju bëni diçka për ta? Drejtuesit simpatikë besojnë verbërisht që çdokush ia vlen kohën dhe vëmendjen e tij. Ata i vlerësojnë të gjithë, sepse besojnë që të gjithë janë të çmueshëm.

3. Janë të përulur

Pak gjëra e vrasin simpatinë me një arrogancë të shpejtë. Drejtuesit e pëlqyeshëm nuk veprojnë sikur të ishin më të mirë se ju, pasi mendojnë se nuk janë më të mirë se ju. Ata e shohin rolin e tyre drejtues si një përgjegjësi për të qenë në shërbim të atyre që i ndjekin.

4. Janë pozitivë

Drejtuesit simpatikë ruajnë gjithnjë një vizion pozitiv dhe kjo tregon se si i përshkruajnë gjërat. Edhe në situata pa diskutim negative, drejtuesit simpatikë krijojnë shpresë entuziaste për të ardhmen, besim që mund të ndikojë që ta bëjë të ardhmen më të mirë se të sotmen.

5. Janë të ekuilibruar

Kur bëhet fjalë për suksesin apo dështimin e tyre, drejtuesit simpatikë i menaxhojnë këto situata me vështirësi. Ata e shijojnë suksesin pa e lënë atë që ta dehë, e pranojnë dështimin pa ngecur në të. Mësojnë si nga suksesi edhe nga dështimi dhe ecin përpara.

6. Janë bujarë

Drejtuesit simpatikë janë bujarë më këdo që njohin, si për sa u përket gjërave që dinë dhe burimeve në të cilat kanë akses. Mbi të gjitha, ata dëshirojnë që ju të bëni mirë pasi e kuptojnë se kjo është puna e tyre si drejtues dhe sepse janë mjaft të sigurt që suksesi juaj nuk i bën ata të duken keq në sytë e të tjerëve. Në fakt mendojnë se suksesi juaj është suksesi i tyre.

7. Shfaqin integritet

Drejtuesit simpatikë frymëzojnë besim dhe admirim nëpërmjet veprimeve të tyre, jo vetëm fjalëve. Shumë drejtues thonë që integriteti është i rëndësishëm për ta, por liderët simpatikë ecin në rrugën e tyre duke e shfaqur integritetin çdo ditë.

8. I lexojnë njerëzit si një libër

Liderët simpatikë dinë t’i lexojnë njerëzit, pasi fjalët e pathëna shpesh janë më të rëndësishme se ato që thonë njerëzit. Ata u kushtojnë rëndësi shprehive të fytyrës, gjuhës së trupit, intonacionit të zërit për të kuptuar atë po ndodh vërtet te punonjësit e tyre.

9. Vlerësojnë potencialin

Liderët simpatikë jo vetëm shohin më të mirën te njerëzit, por përpiqen që të gjithë të tjerët ta shohin atë.

10. Kanë përmbajtje

Daniel Quinn ka thënë: Karizma fiton vëmendjen e njerëzve. Pasi të keni tërhequr vëmendjen e tyre duhet të keni diçka për t’u treguar atyre. Drejtuesit simpatikë e dinë që njohuritë dhe aftësitë e tyre janë të rëndësishme për suksesin e të gjithë atyre që i ndjekin. Kjo është arsyeja që ata qëndrojnë me njerëz që kanë përmbajtje. Drejtuesit simpatikë kanë ‘brumë’ dhe e ndajnë atë me njerëzit e tjerë.

Të ngjashme