Miliarderët Gates e Bezos mundohen t’i rrisin fëmijët sa më thjeshtë

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Kur babai yt ka 90 miliardë dollarë, është e vështirë të mos rritesh si fëmijë i privilegjuar. E sidomos kur familja renditet mes 10 më të pasurave në të gjithë botën, është e pamundur të kesh jetë normale.

Megjithatë, familja e Bill Gates, e cila është angazhuar të bëjë bamirësi me një pjesë të mirë të miliardave, është përpjekur t’u japë një jetë sa më të thjeshtë tre fëmijëve të tyre.

Thuhet se Bill Gates, personi që atë pasuri e ka bërë pikërisht me programin që fuqizon kompjuterët, “Windows”, u ka lënë fëmijëve shumë pak pajisje teknologjike rrotull.

Po ashtu edhe manjatë të tjerë të teknologjisë, që nga Xhef Bezos e deri te një nga pronarët e Google, duken shumë të vendosur që t’u mësojnë fëmijëve një jetë sa më të thjeshtë e larg shpenzimeve marramendëse, ndryshe nga ç’pritet prej pasanikëve.

Fëmija e parë e çiftit Bill dhe Melinda Gates është Xhenifer. Ajo studion te universiteti i Stanfordit dhe është pjesë e ekipit amerikan për garat me pengesa për kuaj.

Vajza tjetër, që është fëmija e tretë e çiftit, quhet Fibi. Ajo shkon në një gjimnaz privat që kushton vetëm 33 mijë dollarë në vit, në Siatëll.

Ndërsa djali i vetëm i Bill e Melinda Gejts quhet Rori. Ai mbush 18 vjeç këtë vit dhe ka shkuar te i njëjti gjimnaz ku është motra e vogël. Mamaja e tij e përshkruan si njeri që pëlqen shumë rebuset e lojërat me mistere, si dhe një feminist krenar.

Jeff Bezos, ka tre djem dhe një vajzë me gruan e tij, Mekenzin, (me të cilën po ndahet). Vajzën e vogël e kanë birësuar nga Kina.

Mekenzi ka thënë për “Vogue” se për edukimin e fëmijëve ata janë përpjekur t’i mbajnë sa më të angazhuar, duke ofruar udhëtime në vende të huaja, eksperimente shkencore në kuzhinë, mësime të gjuhës kineze dhe sidomos angazhim maksimal në sport. Por ai asnjëherë nuk ka lejuar që të postohen foto të fëmijëve në internet.

Një nga dy pronarët e Google, Sergey Brin, i cili ka një pasuri prej 47 miliardë dollarësh, ka dy fëmijë me Ana Voxhciki, dhe u kanë dhënë si mbiemër “Voxhin”, që është kombinim i dy mbiemrave të prindërve.

Gruaja e tij tha për “New York Times” se qëllimi i tyre është t’i mbajnë fëmijët sa më larg “çmendurisë së pasurisë së shfrenuar”. Ajo i vë dy fëmijët, 6 dhe 9 vjeç, të merren me larjen e rrobave të tyre dhe të mësojnë të gatuajnë vetë që tani.

Edhe dy fëmijët e Larry Ellison, miliarderit që themeloi “Oracle”, nuk janë lejuar të bëjnë jetë të shfrenuar. Ata kishin detyra javore me punë shtëpie që duhej t’i bënin patjetër, dhe kur ishin të vegjël nuk lejoheshin të shpenzonin më shumë se 5 dollarë në javë, me qëllimin që të qëndronin me këmbë në tokë teksa babai i tyre sa vinte e pasurohej. Sot ka një pasuri prej 59 miliardë dollarë.

Vetëm kur vajza mbushi 25 vjeç, Larry i bëri si dhuratë ditëlindjeje një trashëgimi prej miliona dollarësh. Me ato para ajo hapi kompaninë e saj, duke u bërë një nga producentët më të suksesshëm në HollyWood, me disa emërime për Oskar.

Vëllai i saj, 34 vjeçari David, është po ashtu një producent filmash me kompaninë e tij private, e cila ka krijuar filma të famshëm si “Terminator Genisys”, G.I. Joe: Retaliation, World War Z, Mission: Impossible: Rogue Nation, dhe Star Trek Beyond.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme