Njerëzit largohen shkaku i menaxherëve të këqij, jo nga kompanitë

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 00:11 | Nga Ekonomia Online

5 shenja që tregojnë se dikush nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr njerëzit

Menaxherët e orientuar drejt njerëzve e kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë për të nxjerrë më të mirën nga ta. Por, nga ana tjetër ka menaxherë që vendosen në role drejtuese, kur nuk kanë kompetencat e duhura.

Kjo është arsyeja pse vendimi i vetëm më i madh që çdo organizatë do të marrë është ai i emërimit të menaxherit. vendimi më i keq është emërimi si menaxher i personit të gabuar.

Pra, si të dallojmë që dikush nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr?

  • Ata kujdesen vetëm për veten e tyre

Këta menaxherë nuk janë të shqetësuar me përmbushjen e misionit të kompanisë ose përafrimin e qëllimeve të ekipit me objektivat organizative. Bëhet fjalë për performancën e tyre individuale dhe marrjen e atij shpërblimi vjetor. Menaxherët me këtë qëndrim po luajnë për veten e tyre dhe janë të shqetësuar vetëm për arritjet e tyre dhe si duken tek eprorët e tyre.

  • Prirjet narcisiste

Ky menaxher shpesh nënçmon punën e një anëtari të ekipit dhe madje mund të tallet me stafin në takime. Kur ai ka nevojë për diçka nga ju, mund të bëhet kërcënues. Në rastin e tij më toksik, ai do t’ju bëjë të dyshoni për veten dhe vlerën tuaj përfundimtare për kompaninë.

  • Trajtimi i njerëzve si shifra

Në strukturat e fuqisë nga lart-poshtë, punonjësit konsiderohen të jenë objekte ose shpenzime dhe jo asete; nuk shqetësohet njeri për lumturinë ose mirëqenien e tyre, pasi motivi për punësimin e tyre ishte thjesht produktivitet dhe fitim. Si rezultat, do të hasni nivele të larta të stresit, qarkullimit të punonjësve, mungesave dhe burnout.

  • Kontroll i tepruar

Mjedisi i punës është mbizotërues dhe mbytës, sepse menaxherët duan kontroll mbi të gjitha vendimet. Menaxherë të tillë nuk i besojnë ekipit, kështu që detyrat rrallë u delegohen të tjerëve. Vështirë se ka vend për diskutim ose kontribut në grup, sepse stili i menaxhimit është autokratik, gjë që kufizon kreativitetin dhe dëshirën e ekipit për të mësuar gjëra të reja.

  • Marrja e meritës për vete kur i takon ekipit

Ekipi krijon një produkt të mrekullueshëm dhe klienti është i kënaqur me rezultatet. Pastaj ndodh që menaxheri merr të gjitha meritat. Asnjë lavdërim për ekipin, asnjë festim i suksesit të të gjithëve, asnjë njohje e anëtarëve të ekipit për kontributet e tyre. Ky lloj menaxheri do të vjedhë meritat, gjë që çon në një dështim total të angazhimit të punonjësve. (INC)

Të ngjashme