Personalitetet e ndryshme që gjejmë në ambientin e punës

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Secili prej nesh pëlqen të mendojë që ka një personalitet, i cili është i përshtatshëm me këdo që e rrethon. Të qenët pjesë e një vendi pune me shumë punonjës na vë përballë një larmie personalitetesh. Cilat janë disa prej personaliteteve që ndeshen më shpesh në punë?

1. Të drejtpërdrejtët – Kanë zakonisht tavolina pune të mbushura me letra dhe dokumente. Pëlqejnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe janë të orientuar drejt aksionit/veprimit. Ata nuk janë dëgjues të mirë dhe si pjesë të komunikimit të tyre kanë shpesh frazën “ti duhet”. Në një diskutim flasin me zë të lartë dhe i paraqesin mendimet e tyre si fakte.

2. Mendimtarët – Janë analitikë, objektivë, racionalë dhe pëlqejnë të hyjnë në detaje, duke kërkuar të dinë gjithnjë e më shumë.

3. Të orientuarit drejt ndjenjave – Ndryshe nga mendimtarët, janë pasionantë dhe në kërkim të mënyrave për të ndikuar të tjerët me mënyrën e tyre të jetesës dhe të vepruarit. Ata priren ta shikojnë çdo punë apo projekt nga këndvështrime të ndryshme dhe jo vetëm nga faktet që paraqiten.

4. Perceptuesit – Janë njerëzit mendjehapur dhe që përshtaten me çdo situatë.

5. Ekstrovertët – Janë energjikë, të shpejtë dhe të zgjuar. Ata janë gjithnjë në kërkim të mënyrave për të bashkëvepruar me kolegët e tyre, japin ide dhe u pëlqen puna në grup.

6. Introvertët – Janë njerëz të rezervuar dhe shpesh njihen si të “vetmuarit”, pasi pëlqejnë të punojnë vetëm.

7. Llafazanët – Njerëzit që të gjithë mundohen t’i shmangim. Ata janë të prirë të flasin pa mbarim, të tregojnë histori të ndryshme, pavarësisht nëse personi përballë po i dëgjon apo jo. Mund të quhen njerëzit që nuk mund të rrinë pa folur dhe nuk i mbajnë dot mendimet e tyre për vete.

8. Thashethemexhinjtë – Duket sikur jetojnë për të marrë vesh cila është e reja e fundit në punë, pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, e kalojnë ditën duke diskutuar: për çdo detaj të jetës së kolegëve të tyre, ata që rrezikojnë të pushohen nga puna, sa e ka njëri apo tjetri pagesën, cili punon dhe cili e shtyn kohën pa bërë asgjë dhe cili po shoqërohet me kë.

9. Të zhurmshmit – Janë bezdisës për këdo që i rrethon. Ata bëjnë zhurmë me mënyrën si flasin, këndojnë në zyrë herë pas here, fishkëllejnë, kërcasin gishtat, përtypin çamçakëz, bëjnë biseda të gjata në telefon, kërcasin karriget, apo dëgjojnë muzikë në zyrë.

10. Pesimistët – Janë ata të cilët i shtyjnë ditët duke mos bërë asgjë, por duke u ankuar që kanë një ngarkesë më të madhe në punë se kolegët, rreth drejtuesve apo politikave të kompanisë.

11. Organizuesit e takimeve/mbledhjeve – Pëlqejnë të kenë takime mundësisht çdo ditë të vitit dhe nuk e kanë problem të rrinë në takime edhe gjithë ditën. Për çdo problematikë apo çështje, e cila lehtësisht mund të zgjidhet vetëm me një email, ata propozojnë organizimin e një takimi.

12. Mbushësit e email-it – Janë ata të cilët të mbushin inbox me email-e të parëndësishme, duke të vënë në korrespondencë edhe kur nuk është e nevojshme.

13. Deleguesit – Ata e delegojnë rregullisht punën tek të tjerët, duke mos bërë asgjë vetë. Në shumë raste, ata edhe vlerësohen nga eprorët, duke u konsideruar si njerëz të cilët dinë të menaxhojnë kohën mirë, duke mos ditur që ata realisht nuk bëjnë gjë vetë.

14. Të përvuajturit – Kalojnë ditë të tëra vetëm me një punë të caktuar, duke shtyrë me qëllim përfundimin e saj ose pa bërë asgjë.

Nëse procese/faza të caktuara të punës suaj lidhen me këta tipa, është e sigurt që përgjigjja që do të merrni do të jetë gjithmonë “Nuk mundem tani, jam shumë i/e zënë” apo “Është e pamundur tani, sapo të gjej kohën”.

15. Dëmtuesit e ambientit – Janë të pakujdesshëm ndaj ambienteve të përbashkëta. P.sh., mund të ngrohin peshk në mikrovalën e kuzhinës, lënë mbeturina kudo etj…

16. Të varurit nga puna – Janë të pavarur, ambiciozë, korrekt. Ata janë të parët që vijnë në punë dhe të fundit që ikin. Ata flenë, hanë dhe marrin frymë duke menduar vetëm për punën.

17. Agresivët pasivë – Janë ata të cilët, megjithëse nuk ankohen hapur për të tjerët, mezi presin rastin që të nxjerrin keq para eprorëve apo kolegëve të tjerë një koleg të caktuar. Rëndom ata i dëgjon të ankohen se sa shumë të ngarkuar me punë janë, ndërkohë që kolegët e tjerë nuk punojnë sa ata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme