Punonjësit në mbarë botën janë më të stresuar se kurrë më parë

Prishtinë | 19 Gus 2022 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Punonjësit në mbarë botën janë më të stresuar se kurrë më parë. Kjo ishte një nga gjetjet kryesore të raportit të fundit të Gallup, “State of the Global Workplace”.

Nivelet e stresit në vitin 2021 ishin edhe më të larta se ato të vitit 2020, periudhë në të cilën kjo shifër arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, pasi 44% e punonjësve tashmë pretendojnë se kanë përjetuar “shumë stres në përditshmëri”.

Shifrat për angazhimin e punonjësve janë po aq të zymta. Në nivel global, vetëm 21% e punonjësve ndihen të angazhuar në punën e tyre, sipas raportit.

Në Amerikën e Veriut, numri është pak më i lartë, duke shkuar në 33%, ndërsa në Europë, kjo shifër është në nivelin e mjerueshëm prej 14%, duke shkuar madje nën 10% për Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Francën dhe Italinë.

Ku qëndron problemi me vendet tona të punës? Pse vendi ku shumica prej nesh kalojnë pjesën më të madhe të kohës, është një vend kaq stresues dhe nuk i bën punonjësit të ndihen të angazhuar?

Agjencia e Shëndetit dhe Sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar ka identifikuar gjashtë aspekte kryesore të cilat, nëse nuk menaxhohen siç duhet, sjellin stres në vendin e punës: kërkesat, kontrolli, mbështetja, marrëdhëniet, roli dhe ndryshimi.

Me fjalë të tjera, punonjësit ka të ngjarë të ndihen të stresuar nëse nuk mund të përballojnë kërkesat e punës ose të kontrollojnë mënyrën se si punojnë; nëse nuk marrin mbështetje të mjaftueshme ose nëse ndihen të bullizuar nga kolegët e tyre; nëse ata nuk e kuptojnë rolin që kanë dhe nuk janë të angazhuar kur biznesi po pëson ndryshime.

Por, në një artikull që shoqëron raportin e fundit të Gallup, CEO i saj Jon Clifton identifikoi një faktor që, sipas tij, është thelbi i problemit: drejtuesit e këqij.

Kur bëhet fjalë për menaxherët, ai thotë: “Nëse keni një menaxher të keq, me siguri do ta urreni punën tuaj.” Në fakt, ai thotë se ndikimi i menaxherëve në vendin e punës është kaq i rëndësishëm, saqë kompania mund të parashikojë 70% të variancës në angazhimin e ekipit vetëm duke u njohur me drejtuesin e tij.

Nga Logan Roy te seriali “Succession”, e deri te Meryl Streep si redaktore e revistës së modës në filmin “The Devil Wears Prada”, shembujt e shefave të këqij janë kudo të pranishëm. Ata zakonisht përdorin qasjen ‘autokratike’ të udhëheqjes nga lart-poshtë, të cilën shumë prej nesh e njohin nga jeta reale.

Por, po shfaqen disa shenja që kjo mënyrë e menaxhimit të njerëzve është duke marrë fund. Gjatë një sondazhi të vitit 2022 në lidhje me kulturën e punës, të organizuar nga O.C. Tanner, numri i liderëve që u përgjigjën se do të mikromenaxhonin punonjësit e tyre ishte më i vogël krahasuar me ata që do të bënin të njëjtën gjë sipas sondazhit të vitit 2021. Një numër më i lartë i tyre thanë se do të vlerësonin më shumë arritjet e punonjësve.

Në fakt, Robert Ordever, menaxher i O.C. Tanner Europe, tha për Worklife se pandemia kishte “përshpejtuar ndryshimin e stilit të lidershipit, nga ai tradicionali, me stilin e komandimit dhe të kontrollit”, drejt një stili më modern, i cili ishte i fokusuar “te mentorimi, krijimi i lidhjeve me punonjësit dhe zhvillimi”.

Ky është një ndryshim me të cilin pajtohet edhe Clifton. “Menaxherët duhet të jenë dëgjues, trajnerë dhe bashkëpunëtorë më të mirë,” shkruan ai. “Menaxherët e mirë dhe bashkëpunues i ndihmojnë kolegët e tyre që të mësojnë dhe të rriten profesionalisht, i përgëzojnë ata për punën e shkëlqyer dhe i bëjnë ata të ndihen se dikush po përkujdeset për ta.”

Siç mund të vini re, tashmë nuk flitet më për “menaxhimin” e njerëzve. Në vend të kësaj, tani flitet për mentorimin, trajnimin, mbështetjen e punonjësve dhe bashkëpunimin në grup.

Kjo ngre pyetjen, a kemi vërtet nevojë për menaxherët? Po sikur të kishte një mënyrë më të mirë të të funksionuarit të gjërave?

Katër vjet më parë u bë një testim i kësaj teorie. Një kompani angleze i zëvendësoi të gjithë menaxherët me trajnerë. Çdo trajner duhet të kujdesej për gjashtë punonjës dhe kishte një qëllim të mirëpërcaktuar e të qartë: të ndihmojë njerëzit që të arrijnë më shumë.

Kjo do të thotë që ata duhet të ndihmojnë punonjësit të vendosin qëllime, të japin përshtypjet e tyre mbi rezultatet e punës, të ofrojnë mundësi zhvillimi personal dhe profesional, si dhe të ndihmojnë stafin për të punuar në një mënyrë që u përshtatet më mirë atyre.

Vetë numrat tregojnë suksesin që solli ky ndryshim për biznesin: më pak ditë ku punonjësit merrnin leje për arsye shëndetësore, më pak largime nga puna, nivele më të larta të angazhimit të punonjësve. Pse? Sepse ky ndryshin ishte në përputhje me atë që njerëzit kërkojnë nga karriera e tyre.

Një studim i fundit me 2,000 punonjës nga Citrix zbuloi se punonjësit duan të maten sipas vlerës që ata i ofrojnë kompanisë, jo sipas sasisë së punës që bëjnë. Ata duan t’u jepet hapësira dhe besimi i nevojshëm për ta bërë më mirë punën e tyre.

Autonomia është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm. Studiuesit në Universitetin e Birminghamit zbuluan se njerëzit me nivele më të larta të autonomisë në vendin e punës, ishin më të kënaqur me punën e tyre dhe, në përgjithësi, më të lumtur në jetë.

Asnjë prej këtyre fakteve nuk është diçka e re. Por, pas ndryshimeve që solli pandemia në botën e punës, duke e bërë papritur rutinë atë që më parë dukej e pamundur, shumë punonjës tani ndihen më të guximshëm që të bëhen të pavarur dhe të largohen nga punët që nuk përshtaten me mënyrën se si ata duan të punojnë.

Largimi i menaxherëve nuk do të jetë zgjidhja më e mirë për çdo firmë. Por, nëse do të ketë ndonjëherë një kohë të përshtatshme për të diskutuar në lidhje me qëllimin e menaxherëve dhe rolin që ata duhet të luajnë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave të punonjësve dhe të kompanisë, koha e duhur është tani. / Forbes

Të ngjashme