Si të kuptoni që jeni i mbingarkuar në punë?

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 07:38 | Nga Ekonomia Online

Është normale që të ndiheni të stresuar në punë herë pas here.

Por për disa njerëz, stresi është bërë shkatërrues, duke çuar drejt shterimit, cinizmit dhe urrejtjes së punës. Kjo njihet si burnout (mbingarkesë).

Dimensionet e reja të mbingarkesës:
– Ndjesi të shterjes së energjive
– Rritje e distancës mendore nga puna, ndjenja negative apo cinike që lidhen me punën
– Produktivitet në nivele të ulëta
– Në epokën e smartphone-ve dhe emaile-ve 24 orë në 24, gjatë shtatë ditëve të javës, bëhet më e vështirë të shkëputesh nga puna dhe nga ata që kanë pushtet mbi ju
– Përkufizimi i ri i mbingarkesës duhet të jetë një kambanë alarmi për punëdhënësit për ta trajtuar problemin e stresit kronik, që nuk është menaxhuar me sukses, si një problem i shëndetit dhe sigurisë në punë.

Si të kuptoni që jeni i mbingarkuar?

Nëse mendoni se mund të jeni duke vuajtur prej mbingarkesës, bëjini vetes pyetjet e mëposhtme.

1. A ju ka thënë ndonjë njeri i afërm të ulni ritmin e punës?

2. A jeni zemëruar apo mërzitur për shkak të punës, kolegëve, klientëve apo pacientëve?

3. A ndiheni fajtor se nuk jeni duke kaluar mjaftueshëm kohë me miqtë, njerëzit e familjes apo me veten?

4. A jeni bërë më i ndjeshëm, dhe befas qani, zemëroheni, ulërisni apo ndiheni i tendosur pa një arsye të qartë?

Nëse i jeni përgjigjur me “po” qoftë edhe njërës prej pyetjeve, mund të ketë ardhur momenti për të ndryshuar.

Këto pyetje u formuluan për programin britanik “Practitioner Health Programme” dhe janë një pikënisje e mirë për të gjithë punonjësit, për të identifikuar nëse jeni në rrezik për shkak të ezaurimit. Nëse mendoni se jeni të mbingarkuar, hapi i parë që duhet të bëni është të flisni me drejtuesin tuaj. Shumë vende pune tashmë kanë edhe psikologë të jashtëm, pjesë e programit për asistencë të punonjësve.

Çfarë e shkakton mbingarkesën (burnout)

Ne të gjithë kemi aftësi të ndryshme për t’u bërë ballë tensioneve emotive dhe fizike. Njerëzit e mbingarkuar përjetojnë shpesh një ndjesi ezaurimi emocional apo indiferencë dhe mund t’i trajtojnë kolegët, klientët dhe pacientët në mënyrë të shkëputur. Largohen nga puna e tyre dhe humbasin zellin për drejtimin e zgjedhur.

Mund të bëhen cinikë, më pak produktivë në punë dhe të mos kenë dëshirë për t’u realizuar personalisht. Në një afat të gjatë, kjo mund të mos jetë e dobishme për vetë personin apo kompaninë. Edhe pse mbingarkesa nuk është një çrregullim i shëndetit mendor, mund të sjellë probleme të rënda, si krisje në marrëdhëniet familjare, sindromën e lodhjes kronike, ankthin, depresionin, pagjumësinë, abuzimin me alkoolin dhe drogën.

Kush rrezikohet më shumë?

Çdo person, puna e të cilit është i lidhur me njerëz, rrezikon të vuajë nga burnout. Kjo mund të përfshijë mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e burgut apo ata që punojnë në sektorin e shitjeve me pakicë. Punonjësit në shërbimin e emergjencës – policia, mjekët, infermierët, punonjësit e urgjencës – janë edhe më të rrezikuar pasi punojnë në kushtet e stresit të lartë. Një studim i kryer te 15 mijë mjekë amerikanë gjeti se 44% e tyre shfaq sindromën e burnout.

Një kërkim francez te personeli i urgjencës gjeti se një mjek në tre (34%) ndihej i mbingarkuar për shkak të kërkesave të mëdha për kujdes. Juristët janë një tjetër profesion që preket nga burnout. Një studim te 1000 punonjës në një firmë të njohur ligjore në Londër, gjeti se 73% e avokatëve thanë se ndiheshin të mbingarkuar dhe 58% shfaqën nevojën për një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj private. Pavarësisht profesionit që bëni, ju mund të prekeni nga mbingarkesa.

Është normale t’i thoni jo një pune tjetër

Punëdhënësit e kanë detyrim organizativ të promovojnë mirëqenien e personelit dhe të garantojnë personelin qe të mos ngarkohet.

Por ka disa mënyra që ju mund të bëni për të reduktuar rrezikun nga burnout. Një prej tyre është të rrisni nivelin e rezistencës. Kjo do të thotë që të jeni në gjendje t’i përgjigjeni stresit në mënyrë të shëndetshme. Ju mund të rrisni nivelin e rezistencës duke mësuar që të shkëputeni nga puna, të vendosni kufij dhe të mendoni më shumë për veten. Cilido që të jetë profesioni juaj, mos e lini punën që të bëhet e vetmja mënyrë që t’ju përcaktojë ju si person.

Nëse puna nuk ju jep kënaqësi, merrni në konsideratë mundësinë për të gjetur një tjetër… ose të paktën hidhini sytë përtej mureve të punës, për të parë se ç’bëhet jashtë. Me siguri do të befasoheni.

Të ngjashme