Teknika për një shans të dytë punësimi

Prishtinë | 16 Sht 2023 | 07:20 | Nga Ekonomia Online

Çdo person që kërkon punë, të paktën një herë, ose në mos shumë herë në karrierën e tij e kalon këtë eksperiencë negative. Ti aplikon për punën tënde të ëndrrave, shkon në intervistë dhe bie në dashuri me këtë punë. Kalon orë të tëra duke menduar se sa bukur do të ishte të punoje aty dhe nuk aplikon askund tjetër. Në fund, merr një përgjigje negative, merr vesh se kanë zgjedhur dikë tjetër dhe kalon menjëherë nëpër 5 fazat e mjerimit:

Mohimi – Duhet të ketë ndonjë problem, ma kanë nisur përgjigjen gabim.

Inati – Kjo ta shpif! Si mund të më trajtonin kështu? Çfarë mashtruesish!

Depresioni – Jam një humbës, askush nuk do të më punësojë.

Ujdia – Nëse më thonë se pse personi tjetër që zgjodhën është më i mirë se mua, do i tregoj që jam unë personi i duhur për këtë punë!

Pranimi – Çfarë kam mësuar nga kjo eksperiencë dhe si mund të eci përpara?

Ata nuk ju kanë thënë ‘’jo, kurrë’’ por ju kanë thënë ‘’jo në këtë moment.’’

Kur një kompani nuk ju zgjedh nuk do të thotë se ju ka mohuar tërësisht. Thjesht kanë pasur shumë mundësi të tjera dhe kanë zgjedhur atë që i përshtatej më mirë. Të punësosh dikë nuk është një shkencë por varet nga shumë faktorë subjektivë. Të mendosh se ka diçka që nuk shkon me ty është diçka jo e zgjuar. Në vënd që të mendosh negativisht, përdore këtë si mundësi për ti treguar punëdhënësit karakterin dhe profesionalizmin tuaj dhe ai mund të sigurojë për ju punën që dëshironi. Ja sesi…

Komplimentojini mbi zgjedhjen e tyre dhe tregoni se jeni të gatshëm të prisni.

Shumica e personave që kërkojnë punë dhe që refuzohen, dërgojnë përgjigje të shëmtuara apo kërkojnë informacione se çfarë kanë bërë gabim që nuk janë pranuar. Kjo i bën punëdhënësit të ndihen të bezdisur dhe të nervozuar. Në vend të kësaj ju duhet ti dërgoni një mesazh, ku ti thoni se edhe pse ndjeni keqardhje që nuk jeni zgjedhur në atë punë, ndiheni të kënaqur për faktin se e keni provuar si mundësi, jeni intervistuar dhe se ndoshta në të ardhmen mund të keni mundësinë të punoni në atë pozicion pune. Në fund mund të kërkoni edhe ndonjë sugjerim se çfarë mund të bëni për të qënë ende në radarin e tyre për mundësi të mëtejshme.

Nëse i tregon punëdhënësit se ato që the në intervistë ishin të vërteta dhe se ke realisht dëshirë të punësohesh në momentin e duhur, koha jote mund të vijë shumë më shpejt nga sa mendon!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme