Tri gabimet tipike të menaxherëve të rinj

Prishtinë | 20 Shk 2024 | 06:57 | Nga Ekonomia Online

Çdo menaxher i ri do të bëjë gabime.

Gjërat mund të mos jenë të natyrshme për ju në fillim. Veçanërisht nëse është hera juaj e parë në një rol menaxherial. Kjo mund të jetë hera e parë që të tjerët mbështeten tek ju, ose e keni për detyrë të mbikëqyrni një ekip shumë të madh; përqafoni atë ndjenjën e pakëndshme të fillimit dhe kujtojini vetes që jeni akoma duke u rritur.

Asnjëherë mos i shihni gabimet tuaja si negative ose të dëmshme për karrierën tuaj; gjithmonë konsideroni ato një përvojë mësimore dhe vlerësojini si të tilla kur ato ndodhin. Shpesh është e vështirë të fillosh punën në një kompani të re, por gjërat bëhen më të lehta me kohë.

Këtu janë tri nga këshillat më të mira për të shmangur disa prej gabimeve më të zakonshme që pothuajse të gjithë menaxherët e rinj i bëjnë.

Njihuni me ekipin tuaj

Të njihesh me ekipin është shumë më tepër sesa mësimi i disa emrave. Të marrësh kohën për të krijuar besim është thelbësore kur e fillon si menaxher i ri. Kjo do të të sigurojë një ekip të fortë dhe një mjedis pune më të shëndetshëm.

Provoni të flisni me punonjësit tuaj një për një. Zbuloni cilat janë qëllimet e tyre afatshkurtra dhe afatgjata (qoftë me kompaninë ose jashtë saj) dhe shihni nëse mund t’i ndihmoni për t’i realizuar ato aspirata.

Për t’u bërë menaxher i fortë duhet të jesh një dëgjues i mirë dhe të jesh gjithmonë i hapur për ndonjë ide apo shqetësim që mund të kenë anëtarët e ekipit tuaj. Nëse ata janë të gatshëm të hapen me ju, vazhdoni të fuqizoni zërat e tyre dhe të kujdeseni për ta në vendin e punës. Duke u kushtuar vëmendje atyre edhe ata do t’ju kushtojnë vëmendje juve.

Mos ua rikujtoni të gjithëve autoritetin tuaj

Pavarësisht se keni autoritet me pozicionin tuaj, është shumë më e rëndësishme të shiheni si një person që të tjerët mund t’i kërkojnë këshilla.

Mos u ndjeni sikur ju duhet t’ua rikujtoni vazhdimisht njerëzve që jeni në krye (duke vepruar kështu, ju në fakt dëmtoni besueshmërinë tuaj si udhëheqës). Përkundrazi, përqendrohuni të fitoni besimin e anëtarëve të ekipit tuaj dhe në krijimin e marrëdhënieve që fuqizojnë zërat e tyre dhe i bëjnë ata të ndihen të kuptuar dhe të dëgjuar.

Mos kini frikë të ndërmerrni rreziqe

Është e kuptueshme që kur shumë menaxherë të rinj e fillojnë, shpesh bëjnë gjithçka që duhet për të mos lëkundur anijen. Megjithatë, me kalimin e kohës, ndërsa besimi juaj ndërtohet, mos kini frikë të sugjeroni mënyra të reja me të cilat kompania mund të përmirësohet, ose të merrni një drejtim që ju mendoni se do të ishte i dobishëm për gjithë ekipin tuaj.

Bërja e ndryshimeve dhe shprehja e mendimit tuaj për veten ose ekipin tuaj do t’ju bëjë një udhëheqës më të mirë në punën tuaj dhe do t’ju ndihmojë të çoni kompaninë tuaj (dhe karrierën) përpara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme