Kështu do ta mposhtë Liverpooli Manchester Cityn, sipas Kloppit

Prishtinë | 08 Nën 2020 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Jurgen Klopp thotë se Liverpooli i tij do ta mposhtë Manchester Cityn, nëse tregohet i guximshëm dhe e organizon lojën në mënyrë të përsosur të dielën në Etihad.

Manchester City e pret Liverpoolin sot në Etihad në një ndeshje derbi të Premierligës, ku mbrojtja e skuadrës së Pep Guardiolës do të testohet nga sulmi i frikshëm i kampionit në fuqi.

Humbja nuk do t’i bënte dëm të madh asnjërës skuadër në këtë periudhë të hershme të sezonit, por natyrisht do t’ia jepte një shtytje të madhe fituesit në renditjen tabelore veçanërisht.

Në përballjet e kaluara, këto dy skuadra kanë treguar futboll shumë të gjallë me plot gola.

Në 10 përballjet e fundit mes tyre janë shënuar 29 gola dhe takimi i sotëm nuk pritet të jetë ndryshe.

City është në pozitën e 12-të me 11 pikë, pesë më pak se Liverpooli, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në rast fitoreje, Liverpooli do ta merrte pozitën e parë në Premierligë, të cilën e mban Southamptoni momentalisht.

“Nëse nuk përqendrohesh 100% në lojë kundër City, atëherë humb”, tha Klopp.

“Ne duhet të jemi të gatshëm për këtë ndeshje. Duhet të organizohemi në mënyrë të përsosur dhe duhet të jemi vërtet të guximshëm, ta luajmë futbollin tonë dhe t’u krijojmë probleme atyre”, shtoi ai.

Të ngjashme