A do të hapen diskotekat këtë verë, Kllokoqi: Nga Ministria e Shëndetësisë nuk po na e hapin as telefonin

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri Arben Vitia më 22 qershor të këtij viti miratoi vendimin për masa të reja kundër COVID-19 në vendin tonë. Në këtë vendim ndër të tjera, ishte përfshirë edhe mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmja e maturës, si dhe zgjatja e orarit për sektorin e Gastronomisë.

Por, sa i përket hapjes së diskotekave, ende nuk është bërë një gjë e tillë, pasi që ende s’është e sigurt se kur dhe si do të hapen ato.

Kështu thotë Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Kllokoqi u shpreh se nesër pritet të ndërmerret diçka lidhur me këtë çështje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“S’ka valla kurgjo niher, e kena shty me hapje me krejt. Nesër më duket dhe po shpresojmë se kanë me zhvillu një takim Ministria e Shëndetësisë, për masa rreth orës 17:30″, tha Kllokoqi.

Tutje, i pari i Gastronomëve tha se Ministria e Shëndetësisë nuk po i pranon në takim Gastronomët dhe madje pohon se s’po ua hapin as telefonin për të diskutuar rreth masave apo hapjes së klubeve të natës në Kosovë.

“As s’po na çelin telefonin, as s’po na kthejnë mesazhet, as s’po na kthejnë email-at. Kena mbetur kërkah. As s’po na pranojnë në takim. Nesër po presim me ndodhë diçka”, shtoi ai ndër të tjera, gjatë bisedës me Reporteri.net.

Ndryshe, Gastronomët vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësitë e tyre duke reaguar rreth vendimeve anti-COVID të Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme