Adele është vërtetë mbretëreshë e muzikës

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja e njohur dhe shumë e suksesshme, Adele, është emëruar artistja britanike më fitimprurëse e shekullit 21, dhe albumi i saj me titull “21” është shpallur albumi më i shitur.

Superylli nga Londra e ka mbajtur titullin e artistes më fitimprurëse nga viti 2000, duke i mundur këngëtaret e njohura, si Pink, Madonna, Beyonce, Britney Spears, Lady Gaga, Dido, Amy Winehouse, Rihanna Kylie Minogue, të cilat renditen në topdhjetëshen e kësaj liste.

Prej fillimit të këtij mijëvjeçari, artistet e dhjetëshes së parë të kësaj liste kanë arritur që së bashku, t’i shesin 72 milionë albume në Britani të Madhe.

Ylli i hitit “Hello”, Adele, e prekë edhe suksesin tjetër me albumin e vitit 2011, “21”, i cili renditet i pari në listën e albumeve më të shitura në Britani të Madhe, nga vitin 2000 deri më sot. Edhe albumet tjerë të këngëtares, “25” dhe “19”, janë pjesë e kësaj liste dhe pozicionohen në vendin e tretë dhe të nëntë.

6 javë më parë, këngëtarja shumë e dashur për publikun, e shënoi dhjetë vjetorin e lansimit të albumit “21”, dhjetë vjet pas lansimit të tij.

“Kurrë nuk e kisha menduar! Gëzuar dhjetë vjetorin miku im. Është çmenduri fakti sa pak më kujtohet nga kjo përvojë, dhe si ndihesha para një dekade. Por, ju falënderojë të gjithëve nga brendësia e zemrës që më keni pranuar në jetët tuaja, dhe më keni lejuar të jem kolonë zanore e disa momenteve të rëndësishme për ju”, kishte shkruar Adele në Instagramin e saj.

Albumi i cili u publikua anembanë botës në janar të vitit 2011, e vulosi statusin e Adeles si këngëtarja më fitimprurëse në botë falë hiteve të tilla, si “Someone Like You” dhe “Rolling The Deep”.

Ndërkohë adhuruesit e këngëtares së famshme, janë në pritje të lansimit të albumit të saj të ri, i cili vjen pas atij të vitit 2015, me titull “25”.

Ende nuk ka datë të saktë të lansimit të këtij incizimi të shumëpritur nga fansat e Adeles, edhe pse në tetor të vitit të kaluar, ajo la të nënkuptohet se ka mundësi që albumi të publikohet gjatë vitit 2021.

Të ngjashme