Aktorja kosovare në një listë me Lady Gaga e Nicole Kidman për çmimet BAFTA

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Prestigjiozja Variety i ka kushtuar një artikull nominimeve të mundshme për Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit (BAFTA). Revista paraqet mes shumë emrash të njohur me famë botërore si Nicole Kidman, Olivia Colman, Penelope Cruz, Jessica Chastain, Kristen Stewart e edhe aktoren nga Kosova, Yllka Gashi.

Lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë aktorja shqiptare, ku shprehet se ndihet shumë krenare dhe e vlerësuar edhe nëse kjo mbetet vetëm një parashikim. Gashi interpreton në filmin “Hive”, të Blerta Bashollit, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të nominimeve për një Oscar.

“Ta shoh emrin tim, të filmit “Zgjoi”, të Blerta Bashollit e produksionit Ikonë, e emrin e Kosovës në këso listash, më duhet ta pranoj që zemra më bëhet mal nga gëzimi e krenaria, por edhe nga mirënjohja e falënderimi që e kam për ata me të cilët kam pasur fatin e mirë ta bëjmë këtë film.

Ky është nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial! Me ose pa nominim – sepse as nuk dua të mendoj shumë e të preokupohem me diçka që nuk është në dorën time e nuk varet nga unë – fat të madh e nder jetësor e konsideroj mundësinë që e kam pasur ta portretizoj një grua të jashtëzakonshme siç është zonja Fahrije Hoti.

Të punoj me një regjisore të mrekullueshme e tepër punëtore që më inspiron çdo ditë si Blerta Basholli dhe me produksionin Ikonë që janë shumë meritor për çdo sukses që e kemi pasur deri tash, ta ndajë skenën me një kast briliant të aktorëve e të jem çdo ditë me një ekip fantastik prapa kamerës si ekipi i filmit tonë! Falemnderit krejtve për këtë përvojë të paharrueshme!“, shkruan aktorja.

Të ngjashme