Anulohen të gjitha ngjarjet kulturore në Kosovë

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Pandemia COVID-19, ka bërë që të anulohen pothuajse të gjitha ngjarjet kulturore në botë, e si rrjedhojë edhe në vendin tonë.

Kjo pasi më datën 11 të muajit mars, Qeveria e Kosovës mori vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve që përfshijnë numër të madh njerëzish.

Kështu, shfaqjet teatrale, premierat e filmave, festivalet e të gjitha koncertet e planifikuara, u shtynë për datë të pacaktuar ose u anuluan tërësisht/gazetaexpress

Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbyllur dyert për publikun dhe të gjitha shfaqjet që ishin pjesë e repertorit të rregullt janë anuluar. Këtë e ka bërë të ditur për emisionin #gjesi ud i drejtorit artistik në këtë institucion kulturor, Adrian Morina.

Morina po ashtu shtoi se për momentin krejt çfarë ka rëndësi është jeta e njerëzve, pavarësisht që, sipas tij, Teatri Kombëtarë para kësaj gjendje ishte duke vënë rend dhe rregull sa i përket mirëfunksionimit.  

Pas një suksesi të madh ndërkombëtar, filmi kosovar “Cirku Fluturues” erdhi edhe në Kosovë për audiencën shqiptare, por këtë film nuk patën fatin ta shohin shumë artdashës në vendin tonë. Kjo pasi pas premierës së mbyllur që pati për media, miq e familjarë, u ndërpre edhe transmetimi i tij.

Filmi i cili ishte planifikuar të shfaqej në të gjitha kinematë ekzistuese në Kosovë, u ndërpre si pasojë e Koronavirusit.

E gjithë ngjarja e këtij filmi fillon më katër aktorët të cilët tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit në Shqipëri. Por, misioni i tyre i vërtetë është që ta gjejnë dhe takojnë idhullin e tyre, Michael Palin.

Në rolet kryesore në këtë film janë aktoret: Armend Smajli, Tritan Halilaj, Shpetim Selmani dhe Afrim Muçaj. 

Deri më tani, filmit “Cirku Fluturues” është vlerësuar me dy çmimet ndërkombëtare. Ai është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë ndërkombëtar në “Santa Barbara Internacional Film Festival” dhe në “Fabrique du Cinema Aëards” në Romë.

Ndërsa festivali i muzikës DAM, këtë muaj do të shënonte edicionin e tij të 15, me shumë mbrëmje muzikore me artist vendor e ndërkombëtar.

Festivali DAM ishte paraparë të mbahej nga data 24 deri më 28 mars, për të vazhduar më pas edhe më 6 e 7 prill.

Drejtoresha e këtij festivali Rreze Kryeziu, për emisionin #gjesi ka bërë të ditur se datat e festivalit janë zhvendosur për në shtator.

Ndërsa edhe edicioni i 11 i “Chopin Piano Fest”, i cili parashihej të mbahej nga data 8 deri më 29 Prill është pezulluar. Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e festivalit Besa Luzha, duke thënë se shpresojnë që gjatë verës të mund ta organizojnë edicionin e sivjetmë të festivali.

E sa i përket edicionit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “Dokufest”, ende nuk është marrë ndonjë vendim nëse do shtyhet, ose jo.

Siç dihet, për 18 vjet me radhë, Dokufest-i në Kosovë ka mbledhur kineastsë nga e gjithë bota, duke u bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë.

Dokufest-i tani rangohet si një ndër festivalet më të mira dhe më interesante në botë.

E për ndërprerje të shfaqjeve ka bërë të ditur edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Në njofitimin e publikuar në rrjetin social Facebook është shkruar:

“Në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës më datë 11.03.2020 mbi Masat e reja lidhur me COVID-19. Baleti Kombëtar i Kosovës me keqardhje iu njofton që shfaqja “Pushimi i Kalorësve” anulohet si dhe aktivitetet e përditshme pezullohen deri sa të bëhet dezinfektimi i Sallës së Baletit dhe komplet objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës”.

Të ngjashme