“Avatar” rikthen titullin e filmit më fitimprurës në botë

Prishtinë | 15 Mar 2021 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

“Avatar” bëhet sërish filmi më fitimprurës i të gjitha kohërave, pasi e riktheu këtë titull nga filmi “Avengers: Endgame”.

Projekti me buxhet të lartë i vitit 2009 me regji të James Cameron-it, është rilansuar në Kinë të premten më 12 mars, dhe falë të hollave të arkëtuara nga shfaqja nëpër kinema atje, ka arritur ta mund filmin hit të studios “Marvel” i cili renditej pari për nga shuma e të hollave të arkëtuara nëpër kinematë botërore. 

“Avatar” tani e gëzon shumën prej 2.802 miliardë dollarëve të fituara nga shitja e biletave nëpër kinematë anembanë botës, duke e tejkaluar “Avengers: Endgame” me rreth 5 milionë dollarë më shumë.   

“Jemi shumë krenarë që e kemi arritur këtë moment historik, por Jim dhe unë jemi më të lumtur për faktin se filmi është rikthyer nëpër kinema, gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë. Duam t’i falënderojmë adhuruesit tanë kinezë për mbështetjen e vazhdueshme. Ne jemi duke punuar shumë në realizimin e filmit të ardhshëm ‘Avatar’, dhe mesi presim ta ndajmë me ju vazhdimin e këtij tregimi epik”, ka shkruar producenti Jon Landau në një prononcim për media.

Regjisorët e filmit “Avengers: Endgame”, Joe dhe Anthony Russo, e kanë pranuar këtë triumf duke e ndarë një imazh që ndërthurë logot e “Avengers” dhe “Avatar”.

“Po ua kalojmë trofeun juve James Cameron”, kishin shkruar ata në mesazhin përcjellës të fotografisë. 

Të ngjashme