‘Babi im nuk jeton, por jetoj unë për të’, mesazhi emocionues i djalit të Dr. Florit

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Prej disa vitesh, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë zgjedhur muajin tetor si muaji i ndëregjegjësimit për sindromën Down.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit, bashkëshortja e Dr Florit ka zgjedhur të ndajë një mesazh shumë emocionues për djalin e saj Danielin, i prekur nga kjo sindromë, që ka përlotur të gjithë.

”Unë quhem Daniel Kondi dhe jam vetëm 15 muajsh. Babi im mori vesh gjithçka 3 ditë përpara se unë të nisja rrugëtimin tim në barkun e mamit, madje edhe emrin tim Daniel që më pëlqen kaq shumë. Rrugëtimi im ishte shumë i bukur, siç është i të gjitha bebeve! Mami im më shihte shpesh kur unë isha tek barku i saj përmes ekos…

Kisha vetëm 4 muaj që isha krijuar kur mjeku i tha mamit dhe babit se kocka e hundës time nuk dallohej mirë dhe unë mund të kisha një kromozom më shumë se fëmijët e tjerë…

I dëgjoja tek diskutonin me njëri-tjetrin madje shpeshherë edhe qanin…por ata ishin mami e babi im ndaj vendosën që unë të vazhdoja të isha bebja e tyre dhe pavarësisht çdo gjëje do të më donin shumë.

Ditën që erdha në jetë nuk do ta harroj kurrë qëe babi më mori në krahë dhe tha: “Daniel, babi të do shumë shumë, ti je shumë i çmuar për mua!” A nuk kam të drejtë të mburrem me babin tim? A nuk kam të drejtë të them se ai është heroi im?

Ai sot nuk jeton më, por ja ku jam unë që jetoj për të! Kromozomi im nuk e zvogëloi dashurinë e tij për mua, përkundrazi e shtoi edhe më shumë.Kështu unë erdha në jetë dhe njoha motren time Kaltrinën dhe tani mund të luaj me lodrat e mia, të përplas duart sa herë që më thonë “Braaavooo Daniel!”, të kërcej kur dëgjoj këngët e mia të preferuara dhe më kryesorja të dëgjoj fjalët e bukura të mamit tim e cila më thotë shpesh që jam një bekim i madh, dhurata më e bukur që Zoti i dhuroi!” -përfundon Blerina në Instagramin e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme