Bar Rafaeli shpallet fajtore për evazion fiskal në Izrael

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Supermodelja izraelite, Bar Refaeli, është dënuar të dielën me nëntë muaj shërbim për komunitetin, dhe nëna e saj është urdhëruar t’i shërbejë 16 muaj burgim për evazion fiskal mbi fitimet nga karriera e saj ndërkombëtare.

Ish-modelja e ballinës së revistës së njohur “Sports Illustrated”, tani një personalitet i shquar televiziv në Izrael, ishte deklaruar fajtore për fshehje të taksave si pjesë e një marrëveshje për shfajësim, ku përfshihej edhe nëna e saj menaxhere, Tzipora Refaeli.

Autoritetet tatimore në Izrael e akuzuan modelen dhe nënën e saj për shmangien e pagimit të taksave mbi të ardhurat e arkëtuara, që e kapin shumën prej 7.2 milionë dollarëve, transmeton Koha.

Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se Bar Rafaeli, një prej të famshmeve të preferuara nga paparazit gjatë kohës sa ishte në lidhje me yllin hollywoodian, Leonardo DiCaprio, nuk ka qenë e obliguar t’i deklarojë të ardhurat e saj te autoritetet tatimore në Izrael, nga viti 2009 deri më 2012.

Bukuroshja 35-vjeçare e cila i ka tre fëmijë me bashkëshortin e saj biznesmen izraelit, ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe kohore kishte jetuar jashtë shtetit prandaj ka vlerësuar se është e liruar nga pagimi i taksave në Izrael.

Por hetuesit ligjorë kanë deklaruar se Rafaeli në fakt kishte jetuar nëpër shtëpi luksoze në Izrael, të regjistruara në emër të nënës së saj ose të të afërmeve, me qëllim të fshehjes së statusit të saj të vendbanimit.

Sipas një deklarate të lëshuar nga administrata e gjykatës në Tel Aviv, thuhet se Rafaeli do të detyrohet të shërbejë për komunitetin pesë herë në javë, në një qendër për personat me aftësi të kufizuara. Ndërsa nëna e saj duhet ta filloj dënimin me burg nga 21 shtatori.

Bar dhe Tripoza, po ashtu duhet t’i paguajnë nga 722 mijë dollarë secila, krahas kthimit të borxhit tatimorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme