Bebe Rexha ka folur për albumin e ri

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Bebe Rexha ka kohë që po i ngacmon fansat me lansimin e një albumi të ri muzikor, por deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje shtesë rreth këtij projekti, përfshirë titullin apo datën e lansimit të tij.

Sidoqoftë, në një intervistë të fundit për radion “ABC News Audio”, këngëtarja me prejardhje shqiptare bëri të ditur se tema e albumit të ardhshëm, është definitivisht reflektim i këngëve që ajo i ka lansuar së fundmi, “Jealous” dhe “Sacrifice”.

“Muzika e albumit të ri do të jetë e ngjashme me këngët që i keni dëgjuar deri më tani. Pra të gjitha këngët flasin për pasiguritë që unë i kam. Pavarësisht nëse është frika për të mos qenë mjaftueshëm e mirë, apo pasiguria ime për të qenë xheloze, për të dështuar, për të sabotuar gjithçka në jetën time. Pra, kjo është tema kryesore e trajtuar në të gjitha këngët e albumit”.

Edhe kur Bebe Rexha ta publikojë albumin, nuk është e qartë nëse deri atëherë masat e pandemisë do të lehtësohen aq sa ajo të mund të udhëtojë për ta promovuar albumin nëpër vende të ndryshme të botës. Por këngëtarja tha se qëndrimi në shtëpi po i përshtatet tej mase. Në fakt, karantina e ka bërë ta kuptojë se stili i mëparshëm i jetës si një yll global i muzikës pop, mund të ketë qenë i dëmshëm për shëndetin e saj mendor.

“Ndihem më e lumtur në karantinë, në kuptimin që kam pasur mundësi të ngadalësohem dhe të reflektoj për gjërat që janë të mira dhe të shëndetshme për mua. Kam vënë re që në të vërtetë unë jam një person introvert. Më pëlqen shumë të qëndrojë në shtëpi duke shikuar TV dhe duke e ledhatuar qenin tim”.

Tutje, Bebe ka thënë se e ka kuptuar që jeta e një ylli të muzikës, që detyrohet të qëndroj e ulur me orë të tëra në dhomën e grimit, të stresohet vazhdimisht rreth gardërobës dhe të ngutet për të dalë në skenë, nuk është normale për njerëzit.

“E dashuroj punën time, por e kam kuptuar se ajo më shkakton shumë stres dhe ankth”, ka deklaruar këngëtarja.

Por për fat të mirë të fansave që e duan dhe e dëgjojnë muzikës e Rexhës, ajo ka thënë se e dashuron muzikën me shpirt prandaj ia vlen të durohen gjithë këto sfida e sakrifica.

Të ngjashme