Beyonce u detyrua të ndërrojë planet për “Black is King” për shkak të pandemisë

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Beyonce publikoi albumin vizual “Black is King” muajin e kaluar, si shtesë albumit “The Gift”, të cilin e bëri për filmin “Lion King” në vitin 2019.

Sidoqoftë regjisorët e filmit “Black is King” kanë shpjeguar se kishin planifikuar të shkojnë edhe më thellë me tregimin, por planet e tyre u ndalën për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kufizimet e lëvizjes bënë që disa xhirime të planifikuara në Afrikën e Jugut të mos bëhen fare, andaj punuan me atë që kishin.

“Po planifikonim të shtonim më shumë gjëra në këtë film”, tha regjisori Kwasi Fordjour. “Mirëpo hoqëm dorë, ngase nuk mund të udhëtonim dhe shfrytëzuam çdo gjë që tashmë kishim. I kishim elementet kryesore që na duheshin dhe në fund lansuam tregimin ashtu si duhej”.

Regjisori tjetër Blitz Bazawule shtoi se pandemia ka ndryshuar tërësisht pikëpamjet ndaj botës dhe jetës, andaj “Black is King” doli në kohë të duhur.

Në deklaratën para publikimit të filmit, Disney e përshkroi “Black is King” si një album vizual i cili “i rikrijon ngjarjet nga filmi ‘Lion King’ i vitit 2019 për mbretërit dhe mbretëreshat e sotme të cilët kërkojnë mbretëritë e tyre”.

Revista NME tha për filmin Black is King se “nuk është vetëm një tregim për Beyoncen, por një ritregim i fabulave nga ‘Lion King’, duke i paraqitur vlerat si trashëgimia dhe zgjidhjet që duhet t’i bëjmë në mes asaj që është e drejtë dhe asaj që është e lehtë për t’u bërë”.

Të ngjashme