Biznesmeni nga Kosova ia dhuron një shtëpi familjes shqiptare live në emision

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Pronari i kompanisë “Golden Eagle” nga Kosova është treguar edhe njëherë zemërgjerë.

Shaqiri Palushi, live në emisionin ” Dua të të bëj të Lumtur ” në Top Channel ka dhuruar një shtëpi për një familje skamnore në Shqipëri, shkruan AlbanienShow

Antoneta kur kishte qenë e re ishte martuar me mblesëri me dikë që e kishte takuar vetëm një herë.

Vështirësitë ekonomike e kishin shtyrë bashkëshortin e saj që të emigronte në Greqi dhe pikërisht në këtë moment kishin nisur problemet në familjen e tyre. Ai nuk ishte kujdesur për Antonetën dhe vajzat, madje shpeshherë i keqtrajtonte ato.

Kjo si pasojë e varfërisë ekstreme dhe problemeve që bashkëshorti i saj kishte me alkoolin.

E rrethuar nga varfëria dhe problemet e vazhdueshme, Antoneta kishte vendosur që të divorcohej. Pas divorcit ajo nuk kishte pasur mundësinë që të kujdesej për vajzat, prandaj dy prej tyre i kishte dërguar në jetimore. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse ajo i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”.

“Jeni gjithçka për mua dhe dua t’ju kërkoj shumë po shumë falje që ju kam dërguar në jetimore”, u shpreh Antoneta.

Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” i krijoi mundësinë Antonetës që të jetonte me vajzat e saj duke i dhuruar një shtëpi. Kjo dhuratë u mundësua nga kompania “Golden Eagle”, me pronar Shaqir Palushin, e cila ka nisur një fushatë bamirësie në Shqipëri dhe Kosovë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Të ngjashme