Blerta Basholli flet për betejën e re të filmit “Zgjoi”

Prishtinë | 02 Jan 2022 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Filmi kosovar “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli, ka hyrë në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars.

Filmin që bazohet në ngjarje të vërtetë, inspiruar nga jeta e Fahrije Hotit gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas shumë çmimeve në festivale ndërkombëtare, tash e pret një betejë tjetër.

Regjisorja e filmit, që shfaq jetën e Fahrijes, interpretuar nga Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë, shpreson se “Zgjoi” të nominohet për Oscar.

Blerta Basholli tha në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv se përkundër konkurrencës së madhe, filmi është pëlqyer shumë nga publiku kudo që është shfaqur, madje sipas saj ka pasur reagime shumë të mira edhe kur është transmetuar para votuesve të Akademisë së ndarjeve të çmimeve Oscar.

Ajo ka folur për Klankosova.tv edhe për rrugëtimin e suksesshëm të “Zgjoi” në festivale të tjera ndërkombëtare të filmit, pos atij të “Sundance” ku rrëmbeu çmimet kryesore.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë për Klankosova.tv të regjisores së filmit Blerta Basholli, që bëri botën të flasë për Kosovën

Blerta Basholli • Director of Hive - Cineuropa

 Si e komenton hyrjen e “Zgjoi” në listën e ngushtë për nominime në “Oscar”?

Blerta Basholli: Është një arritje shumë e madhe për ne dhe një shpërblim i gjithë punës së ekipit të filmit “Zgjoi”.

A beson se ky film, regjinë e të cilit e keni bërë ju, do të arrijë të përzgjidhet për të fituar një çmim në “Oscar”?

Blerta Basholli: Shpresoj, është konkurrencë shumë e madhe. Filmi është pëlqyer shumë nga publiku kudo që e kemi shfaq. Kemi pasur reagime shumë të mira edhe kur e kemi shfaq para votuesve të Akademisë së ndarjeve të çmimeve Oscar. Tani jemi duke e promovuar filmin, pritet të shohim më 8 shkurt se si është votuar. Ka qenë shumë e vështirë të futemi në mesin e 15 filmave prej gjithsej 93 që kanë aplikuar. Tani kemi betejën tjetër.

 Nëse arrin të hyjë, a mendon se do ta rrëmbejë një çmim, nëse po, pse?

Blerta Basholli: Nuk e di.

Na trego emocionet që ke përjetuar kur “Zgjoi” mori çmimet kryesore në “Sundance” dhe fitoi edhe në festivale të tjera?

Blerta Basholli: Është ndjenjë shumë e mirë dhe kënaqësi për të gjithë ne. Ekipi I filmit “Zgjoi” ka punuar me përkushtim e dashuri për këtë film andaj “Sundance” I ka dhënë shpërblimin më të mirë gjithë kësaj pune dhe ka nisur rrugëtimin e suksesshëm të filmit edhe në festivale të tjera.

 Si po ndjehesh që filmi që keni realizuar ju bazuar në histori të vërtetë, ka arritur t’i kthejë sytë e botës kah Kosova?

Blerta Basholli: Është ndjenjë shumë e mirë sepse ne kemi tregime për të rrëfyer, andaj ky është një nga to dhe është mjaft i rëndësishëm sepse flet për fuqizimin e gruas në një shoqëri patriarkale pas luftës në Kosovë. Mbi të gjitha, jep shpresë dhe ajo ka qenë shumë me rëndësi për të gjithë ne.

 Në fund, na e përshkruaj përvojën tënde në film, historinë e Fahrije Hotit, rolin e Yllka Gashit dhe gjithçka tjetër që ju keni përjetuar gjatë xhirimeve.

Blerta Basholli: Në filmin “Zgjoi” kemi punuar më shumë përkushtim duke filluar prej zonjës Fahrije Hoti, e cila ka qenë bashkëpunuese gjatë gjithë procesit, aktores Yllka Gashi, producentit Yll Uka dhe të gjithë aktorëve të tjerë, producentëve, anëtarëve të tjerë të ekipit. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe përkundër që është punë e lodhshme dhe temë e ndjeshme, ekipi I mirë e ka bërë procesin të këndshëm dhe më të lehtë.

Të ngjashme