Cardi B dëshiron të bëhet politikane për të sjellë ndryshime

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Cardi B i ka zbuluar aspiratat e saj politike në një seri tweetesh, duke u thënë fansave se “me të vërtetë e do qeverinë”.

Ylli i “Please Me” shkroi në Twitter për t’i njoftuar ndjekësit e saj për interesin e saj të fundit, por shumë shpejtë theksoi se ajo nuk është mbështetëse e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

“Mendoj se dua të bëhem politikane”, shkroi ajo. “Me të vërtetë e dua qeverinë, edhe pse nuk jam dakord me qeverinë tonë (aktuale). Po shikoja dokumentarë të luftës. Pavarësisht sa armë i ka një vend, atij i duhen njerëzit! Si po përpiqeni të shkoni kundër një vendi dhe ndoshta të filloni luftë kur këtij vendi i mungon patriotizmi? Mezi shoh njerëz që pretendojnë se U PËLQEN të jenë amerikanë.”

Ndërkohë që disa nga fansat e saj e pyetën se pse ajo papritmas kishte dalë në publik me ëndrrat e saj rreth karrierës, Cardi premtoi se do të shpjegojë më tej në një video të drejtpërdrejtë në javët e ardhshme, shkruan KOHA Ditore.

“Do të më duhet të shpjegoj shumë, kështu që do të më duhet ta bëj një video ose një paraqitje live që të flas për këtë…”, u përgjigj ajo. “Kështu që do t’i referohem dy tweeteve të mia të fundit ndonjë ditë tjetër. Do të flas për këtë ndonjë ditë tjetër.”

Ajo u kthye në Twitter të hënën për të shtuar se asaj i duhen vetëm “disa vite shkollim” për të “sjellë ndryshime”.

Tweetet e saj vijnë vetëm një javë pasi që Cardi e kritikoi presidentin Trump për urdhërimin e vrasjes së gjeneralmajorit iranian Qassem Soleimani.

Të ngjashme