Cary Joji Fukunaga është regjisor i James Bondit të ardhshëm, ndërsa Daniel Craig do ta luajë agjentin ‘007’

Prishtinë | 21 Sht 2018 | 08:29 | Nga

Cary Joji Fukunaga do të jetë regjisori i filmit të ardhshëm për James Bondin, pas tërheqjes së Danny Boyle.

Nga ana tjetër, edhe Daniel Craig e ka konfirmuar se do ta luajë rolin e agjentin të famshëm sekret në filmin e 25-të me radhë për ‘007’, të bazuar në skenarin e Ian Fleming.

Në një njoftim në faqen zyrtare për James Bondin në Twitter bëhet e ditur se xhirimet për filmin e ri do të fillojnë më 4 mars të vitit të ardhshëm.

“Michael G. Wilson, Barbara Broccoli dhe Daniel Craig, kanë njoftuar sot (e enjte) se xhirimet e ‘Bond 25’ do të fillojnë në Pinewood Studios më 4 mars 2019 nën drejtimin e regjisorit Cary Joji Fukunaga, ndërsa lansimi botëror është caktuar më 14 shkurt 2020”, shkruan në njoftim.

Producentët Michael dhe Barbara kanë shtuar: “Jemi shumë të gëzuar që po punojmë me Caryn. Aftësia e tij e shumëllojshme dhe inovative e bën atë një zgjedhje të shkëlqyer në aventurën e ardhshme të James Bondit”.

Danny, i cili orkestroi ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’, u tërhoq nga posti i regjisorit të këtij filmi në muajin gusht duke thënë se ka dallime kreative me producentët.

Ndërkohë, ky pritet të jetë filmi i fundit i Daniel Craig në rolin e James Bondit, teksa po vazhdojnë spekulimet se kush do ta portretizojnë agjentin sekret në të ardhmen.

Të ngjashme