Chris Evans udhëheq aksionin e shpëtimit në filmin e ri të Netflixit

Prishtinë | 21 Kor 2019 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Netflixi e ka publikuar trailerin zyrtar në një kohëzgjatje prej dy minuta e gjysmë për filmin e ri, triler dramën historike “The Red Sea Diving Resort”, i cili do të shfaqet në këtë shërbim streaming në fund të korrikut.

Ngjarja është e vendosur në fillim të viteve 1980 në Etiopi dhe bën fjalë për përpjekjen e përbashkët të komunitetit etiopian dhe agjentëve të Mossadit për t’i larguar refugjatët nga shteti i zhytur në luftë në Izrael. Titulli i filmit i referohet vendpushimit në Sudan i cili shërbeu si një front për kryerjen e operacioneve jashtëzakonisht të rrezikshme, por të domosdoshme, shkruan KOHA Ditore. E gjitha kjo zhvillohet gjatë kryengritjes revolucionare të pasuar nga lufta civile me Izraelin dhe e vetmja gjë që mund ta përdorin si front është vendpushimi i braktisur. Në rolin kryesor shfaqet Chris Evans si Ari Kidron, udhëheqës i grupit të fshehtë të agjentëve ndërkombëtarë.

Në rolet e tjera përfshihen aktorë të ndryshëm të famshëm: Michael K. Williams, Haley Bennett, Alessandro Nivola, Michiel Huisman, Chris Chalk, Greg Kinnear dhe Ben Kingsley. Regjinë e filmit e bën regjisori izraelit Gideon Raff (Homeland, Prisoners of War) i cili e ka shkruar edhe skenarin dhe është një nga producentët e filmit.

Njëri nga aktorët, Alessandro Nivola, ngjarjen e përshkruan kështu: “Izraelitët e dërgojnë një grup prej pesë agjentësh të Mossadit në Sudan për ta ngritur një hotel të rremë në atë breg. Pastaj ata udhëtojnë në kampet e refugjatëve dhe kthehen me kamionë plot me hebrenj etiopianë për t’i sjellë ata deri në breg dhe për t’i hipur në anijet izraelite të marinës detare me të cilat do të ktheheshin në Jerusalem. Kështu nga Sudani ata i nxorën 30.000 refugjatë brenda pak më shumë se katër vjetësh”.

Image

Regjisori dhe skenaristi Gideon Raff zbuloi se e zgjodhi këtë mision për film, sepse ishte aq sekret saqë shenja e konfidencialitetit u hoq nga ajo vetëm pak vite më parë. “Ishte shumë e rëndësishme për mua që në ekipin e aktorëve të kem aktorë nga komuniteti etiopian. Ata nuk janë vetëm aktorë të shkëlqyeshëm që përfshihen në film, ata janë njerëz që e tregojnë historinë e jetës së tyre”, tha ai.

“The Red Sea Diving Resort” në Netflix mbërrin më 31 korrik.

Të ngjashme