Christopher Nolan kritikon studion filmike “Warner Bros”

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Filmbërësi i njohur hollywoodian, Christopher Nolan, e ka kritikuar ashpër vendimin e studios “Warner Bros”, për t’i publikuar të gjithë filmat e tyre të planifikuar për vitin 2021, në platformën digjitale HBO Max, në të njëjtën kohë me lansimin e tyre nëpër kinema.

Regjisori i “Tenet” që ishte filmi i tij i fundit me buxhet të lartë i lansuar në ekran të madh në kohë pandemie, ka punuar shpesh me këtë kompani filmike në të kaluarën, por ka mbetur i befasuar për të keq me vendimin e tyre të fundit.

Për “Entertainment Tonight”, Nolan citohet të ketë thënë: “Ka shumë dilema rreth këtij veprimi, sepse ata nuk e kanë paralajmëruar askënd për këtë vendim. Është një çështje shumë e komplikuar në fakt. Kjo nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar regjisorët dhe yjet e hollywoodit, por edhe njerëzit në përgjithësi të cilët kanë dhënë shumë për realizimin e këtyre projekteve filmike. Të gjithë e meritojnë të jenë të përfshirë në diskutimet rreth asaj se çfarë do të ndodhë me projektet e tyre”.

Më 3 dhjetor studioja “Warner Bros.” e konfirmoi lajmin se po planifikon që 17 filmat e planifikuar për vitin e ardhshëm, ku përfshihen projekte të mëdha kinematografike si, “In The Heights”, “Dune”, “The Suicide Squad” dhe “The Matrix 4”, t’i publikojë në platformën HBO Max në të njëjtën kohë me lansimin e tyre në kinema.

Christopher Nolan, i cili ka bashkëpunuar me këtë studio filmike në realizimin e projekteve mjaft të suksesshme të tij: “Dunkirk”, “Inception”, “Interstellar” dhe trilogjinë “The Dark Knight”, deklaroi se largimi i këtyre filmave nga kompania “WarnerMedia” do të ishte e padrejtë ndaj artistëve të përfshirë në projektet e tij.

Filmi i tij i fundit, “Tenet” është vlerësuar lartë nga kritikët për faktin se është përpjekur ta kthej publikun nëpër kinema, duke u lansuar në kohën e karantinës së parë. Sidoqoftë, deri me tani ky projekt i realizuar me një buxhet prej 205 milionë dollarëve, i ka arkëtuar gjithsej 360 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë botërore, shumë kjo e cila po konsiderohet zhgënjyese për një vit normal në arkat filmike.

Ndërkaq, në një deklaratë tjetër për “The Hollywood Reporter”, regjisori i famshëm Christopher Nolan e ka sulmuar direkt platformën digjitale HBO Max, duke e cilësuar atë si më të keqen që ekziston në treg.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme