David Schwimmer thotë se projekti special i “Friends” ka gjasa të xhirohet në gusht

Prishtinë | 22 Kor 2020 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Aktori i njohur i serisë “Friends”, David Schwimmer, i cili njihet për portretizimin e Ross Gellerit në shoun e famshëm amerikan, do të marre pjesë në projektin special ribashkues të ekipit të kësaj serie, që ka për qëllim t’i shënojë 2 dekada prej lansimit të saj.

Kështu, të gjithë aktorët po planifikojnë t’i fillojnë xhirimet në muajin e ardhshëm, pasi ato ishin shtyrë disa herë për shkak të pandemisë së Coronavirusit.

Duke folur me prezantuesin e emisionit “The Tonight Show”, Jimmy Fallon, Schwimmer tha: “Xhirimet e këtij projekti të shumëpritur nga publiku planifikohet të fillojnë në muajin gusht. Por sinqerisht, ne do të presim një javë ose dy, për ta parë nëse është e sigurt për të gjithë që t’ia fillojmë punës. Dhe, nëse nuk ndihemi të sigurt, do të presim edhe për ca kohë.”

Edhe bashkëkrijuesja e komedisë së famshme, Martha Kauffman, ka sugjeruar se xhirimet e serisë do të mund të realizohen në gusht të këtij viti.

Në muajin shkurt, Courtney Cox, David Schwimmer, Jennifer Aniston, Lisa Kudrow, Matthew Perry dhe Matt LeBlanc, që të gjithë përmes rrjeteve sociale i informuan fansat e tyre se ribashkimi i shumëpritur, 16 vjet pas transmetimit të episodit të fundit të serisë, më në fund po ndodhë.

“Friends” që është një prej serive më të suksesshme televizive, u transmetua nga viti 1994 deri më 2004 si dhe i përfshinte mbi 200 episode.

Ajo i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green dhe Phoebe Buffay.

David Schwimmer thotë se projekti special i “Friends” ka gjasa të xhirohet në gusht
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme