Dëshmia për vaksinë në dasma, reagon Afrim Muqiqi

Prishtinë | 12 Gus 2021 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Pas rritjes së numrit të rasteve me covid-19, është paralajmëruar edhe ndryshim i masave për qytetarët e Kosovës.

Në Ministrinë e Shëndetësisë është duke u shqyrtuar mundësia që qytetarëve që nuk kanë dëshmi se janë vaksinuar t’iu ndalohet hyrja në disa vende si kafiteri, klube të natës e dasma.

Duke pas parasysh se me këtë ndryshim do të preken shumë kategori përfshirë edhe sallatë e dasmave dhe këngëtarët bashkë me to, Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e departamentit të estradës në Odën e Hotelierisë dhe Turizmit, Afrim Muqiqin.

Muqiqi ka thënë se do t’i respektojnë të gjitha vendimet që merren nga Ministria e Shëndetësisë pasi sipas tij, shëndeti është primar.

“Po ne i kemi respektuar gjithmonë vendimet, kemi qenë prej të vetmëve që i kemi respektuar vendimet edhe çfarëdo vendimi tjetër që merret normal që jemi të obliguar ta respektojmë sepse shëndeti është primar, shpresojmë që të kalojmë në pasoja sa ma të vogla”, ka thënë Muqiqi për Insajderin.

Ai ka theksuar se nëse ndalohet mbajtja e ahengjeve, nuk duhet të ketë ndarje selektive.

“Në qoftë se ndalen ahengjet duhet të ndalen për të gjithë, nuk duhet të ketë ndarje selektive, nuk duhet të lejojmë asesi të përdoret standart i dyfishtë por ndalesat të jenë për të gjithë njësoj”, ka përfunduar këngëtari.

Edhe pse është përfolur data 20 gusht që të merret vendimi për ndryshim masash, Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka caktuar ndonjë datë të saktë.

Të ngjashme