Dioklea Hoxha vlerësohet për zë e karizëm të veçantë skenik

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Ishte konkursi i parë ndërkombëtar për të, por kjo nuk ishte pengesë që ajo të fitonte çmimin e dytë e të cilësohej nga juria si artiste me zë dhe karizëm të veçantë skenik. Në një garë me rreth 200 interpretues të muzikës barok nga mbarë bota, sopranoja Dioklea Hoxha ka arritur të hyjë në finale me dhjetë konkurrues, shkruan sot Koha Ditore.

Në edicionin e dhjetë të Garës Ndërkombëtare të Këndimit për Opera Barok “Pietro Antonio Cesti” në Innsbruck të Austrisë, sopranoja e lindur në Prishtinë ka fituar çmimin e dytë për interpretimin e disa arieve baroke të kompozitorëve G.F. Haendel, Antonio Cesti e Alessandro Melani.

Në njoftimin e afishuar në Facebook nga “Innsbrucker Festwochen der Alten Musik”, Dioklea Hoxha përmendet si fituesja e çmimit të dytë, krahas Grace Durhamit, fituese e çmimit të parë dhe Theodora Raftisit, fituese e çmimit të tretë. “Përgëzime juve dhe të gjithë finalistëve. Ju lumtë!”, shkruhet në njoftim.

Teksa ende vijon studimet master në degën e solokëndimit lirik, Hoxha ka thënë se ndihet e lumtur që ka përfaqësuar me nder Kosovën.

“Duke e marrë parasysh që ky është konkursi im i dytë, dhe i pari ndërkombëtar, ndihem shumë e lumtur që përfaqësova me nder Kosovën e gjithashtu mora çmimin e dytë. Juria vendosi të më vlerësojë me çmimin e dytë duke e përmendur që isha konkurrentja më e re e edicionit të 10-të dhe, ndër të tjera, më cilësoi si artiste me zë dhe karizëm të veçantë skenik duke përgëzuar një talent të ri në lindje”, ka thënë ajo për “Kohën Ditore”.

I mbajtur në sallën e madhe të “Haus der Musik”, kjo garë ndërkombëtare e këndimit prej vitesh e ka kthyer Innsbruckun në qendër të operës italiane në veri të Alpeve. Kjo garë, e themeluar nga Alessandro De Marchi në vitin 2010, brenda pak vitesh është kthyer si një ndër kompeticionet më të rëndësishme në botë të këndimit të operës së barokut.

E sopranoja prishtinase arriti të radhitej përkrah finalistëve Yannick Debus (Gjermani), Grace Durham (Britani), Inna Husieva dhe Natalia Kukhar (Ukrainë), Miriam Kutrowatz (Austri), Maayan Licht (Izrael), Andrew Munn (SHBA), Orsolya Nyakas (Hungari) dhe Theodora Raftis (Qipro).

Të ngjashme