Dua Lipa feston ditëlindjen e 25-të, Dukagjini me urim të përzemërt: Jam i lumtur që jemi bashkë në këtë udhëtim

Prishtinë | 22 Gus 2020 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Dua Lipa, feston sot (e shtunë) ditëlindjen e saj të 25-të.

Ajo u lind më 22 gusht të vitit 1995 në Londër dhe është fëmija më i madh i prindërve Dukagjin dhe Anesa Lipa.

Me rastin e ditëlindjes, Lipa ka pranuar urime të shumta nga fansat, miqtë e familjarët e saj.

I ati i këngëtares, frontmeni i grupit “ODA”, i cili njëherësh ka luajtur edhe rolin e menaxherit gjatë gjithë karrierës së saj, nuk i ka kursyer fjalët më të përzemërta në 25-vjetorin e lindjes të së bijës.

Dukagjini publikoi disa fotografi në rrjetin social Instagram, ku shfaqej bashkë me të bijën e tij, e cila sot është një nga muzikantet më të mëdha në botë.

“25 vjet nga koha kur linde dhe unë jam i bekuar. Je rritur tani, por ti je akoma fëmija im i vogël. Unë jam aq mirënjohës që jam me ty në këtë udhëtim të mahnitshëm. Do më kesh gjithmonë duke u kujdesur për ty. Gëzuar ditëlindjen dashuria ime”, kanë qenë fjalët e tij.

Dua përndryshe vetëm një ditë më parë festoi pesë vjetorin e projektit të saj të parë muzikor, të titulluar “New Love”, i cili ishte një pikënisje e fortë drejt një karriere të suksesshme ndërkombëtare që e gëzon sot.

Dua Lipa edhe vetëm pse 25 vjeçare ka shënuar suksese të shumta. Ajo është fituese e dyfishtë e çmimeve “Grammy” dhe BRIT Awards, si dhe albumi i saj me titull “Dua Lipa” është albumi më i dëgjuar i një artisteje femër në histori të Spotify-t.

Të ngjashme