Dua Lipa me video-mesazh për shqiptarët: Tirana ka vend special në zemrën time

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

The Guardian ditë më parë ka përmendur Rita Orën dhe Dua Lipën si arsye që britanikët duhet ta vizitojnë Shqipërinë.

Të dy artistet pritet që gjatë këtij viti të mbajnë koncerte në Tiranë ndërsa ka qenë Dua që përmes një video-mesazhi dërguar shqiptarëve, i ka përshëndetur të gjithë bashkëkombësit e saj, duke konfirmuar se së shpejti do të jetë në shtetin amë për një koncert.

“Përshëndetje çuna, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Evropës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, thotë ndër të tjerash Dua.

Tutje, ajo e mbyll videomesazhin duke iu uruar fat organizimit të aktiviteteve në kuadër të projektit “Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

“Tirana ka një vend të veçantë në zemrën time. Në Tiranë e ndjej veten si në shtëpi. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve dhe jam e sigurt që do të jenë një sukses i garantuar. Ju dua shumë”, tha Dua Lipa.

26-vjeçarja përndryshe ka mbajtur për herë të fundit koncert në Shqipëri në gushtin e vitit 2016, gjersa në Kosovë në gushtin e vitit 2018 – në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.

Të ngjashme