Dukagjin Lipa mohon se agjencia franceze Majorelle Pr ndihmoi festivalin “Sunny Hill”

Prishtinë | 01 Mar 2020 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Organizatori i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka mohuar se agjencia franceze për marrëdhënie me publikun, Majorelle PR ka ndihmuar festivalin.

Përmes një postimi të publikuar në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asgjë lidhur me këtë festival.

Lipa tregon se ka refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci, meqë e njëjta e ka kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj nesh si festival si dhe ndaj pjesëmarresve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë.

“Agjencia franceze e marrëdhënive me publikun, Majorelle PR në raportin e saj për arsyetimin e faturës mujore ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Integrimeve (28,000 euro në muaj, sipas raportit të Buletinit Ekonomik) e paska përmend edhe lobimin që e ka bërë në mediat franceze rreth festivalit Sunny Hill. Duam ta sqarojmë se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asnjë punë për Sunny Hill Festival. Asgjë. Në asnjë rast të dhënë. Përkundrazi, ne e kemi refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci, meqë e njëjta e ka kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj nesh si festival si dhe ndaj pjesëmarresve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë. Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë. Prandaj kjo agjenci nuk mund ta përmend festivalin Sunny Hill në raportin e saj të punës, në të cilin mundohet ta arsyetojë shumën e parave të cilën e paska marrë prej Qeverisë së Kosovës”.

“Për Sunny Hill Festival është folur e shkruar në gjitha kontinentet dhe nga qindra media botërore, duke përfshirë mediat më të mëdha botërore (BBC, New York Times, The Guardian, Vogue dhe shumë media tjera të mëdha), mirëpo këtë sukses e kemi arritur me shumë punë dhe përpjekje kryekëput vetanake, vazhdimisht të pa ndihmuar nga institucionet qëndrore të vendit tonë. Shpresojmë se me ndërrimin e Qeverisë do të ndërrojë edhe sentimenti ndaj promovimit kulturor të Kosovës, dhe se ndihma institucionale ndaj Festivalit do t’i afrohet mbështetjes të cilën qeveritë e shteteve fqinje ia bëjnë ngjarjeve të ngjashme në vendet e tyre, si psh Exit (Serbi), Ultra (Kroaci) apo Sziget (Hungari). Përfundimisht mendojme se shteti ynë nuk ka nevojë të paguajë agjenci të tilla nga jashtë, përderisa ne kemi profesionistë brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët janë dëshmuar definitivisht si shumëfish më të suksesshëm se çfarëdo agjencie e huaj që as për afër nuk e ka vendin tonë për zemër, siç e kemi ne”, ka shkruar ndër të tjerash Dukagjini në postimin e tij. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme