Dy kosovare renditen në top-5 të platformës muzikore Spotify

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Spotify e ka publikuar listën e këngëve më debutimin më të mirë në këtë platformë, dhe në pesë pozitat e para i shohim edhe dy këngëtare me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Sukseset e vajzave tona që na bëjnë krenarë me çdo sukses të karrierës së tyre muzikore nuk kanë të ndalur. Në toplistën e Spotify të këngëve me debutimin më të mirë, Dua Lipa është renditur e treta, me këngën e saj të lansuar para pesë ditësh “We’re Good”. Ajo renditet pas yjeve Lil Tjay dhe 6LACK, ndërsa Rita Ora pozicionohet në vendin e pestë me këngën “Bang” të lansuar katër ditë më parë.

Të dyja këngët janë tërësisht ndryshe nga njëra-tjetra, por padyshim të veçanta në stilin e tyre dhe janë mirëpritur nga adhuruesit e Lipës dhe Orës.

“We’re Good” e cila është më e ngadalshme dhe shoqërohet me një videoklip të bukur me rrëfim në vete, deri më tani i marrë më shumë se 10 milionë klikime në YouTube. Ndërsa “Bang” e cila e sjell Rita Orën energjike duke vallëzuar dhe duke i promovuar veshjet kombëtare të Kosovës, i numëron 1.5 milionë klikime në këtë platformë muzikore.

Dua Lipa është pjesë edhe e dy toplistave tjera të platformës Spotify. Me “We’re Good”, ajo renditet e para në listën e 50 këngëve më të dëgjuara dhe e shtata me “Levitating”, ndërsa në listën e albumeve më të mira globale, Lipa pozicionohet në vendin e tretë.

Të ngjashme