Elvana Shala anulon pjesëmarrjen në Samitin Afrikan, shkaku i vizës

Prishtinë | 25 Sht 2017 | 23:04 | Nga

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovë, Elvana Shala, nuk ka mundur të përfaqësojë Kosovën në Samitin Afrikan për Lidershipin e ri që është mbajtur në Marok. Ani pse asaj iu premtua se do të pajiset me vizë kur të mbërrijë atje, kjo nuk ndodhi, andaj pjesëmarrja e saj në samit u anulua.

Ambasadorja Shala thotë se krejt kjo ka ndodhë për shkak të mos-koordinimit të dy ministrive përgjegjëse të Marokut, dhe ndryshimit të rregulloreve për pajisje me vizë në aeroport.

“Me te mbërritur, kam qëndruar me shume se 30 ore ne aeroportin e Marokut duke mos mu lejuar hyrja ne Marok për shkak te problemit me vizën. Pavarësisht premtimit qe mund te pajisem me vize ne momentin qe mbërrij atje, gjerat ndodhen ndryshe. E tera kjo për shkak te mos-koordinimit nga ana e dy ministrive përgjegjëse te Marokut dhe ndryshimit te rregulloreve për pajisje me vize ne aeroport, gjë e cila çoi ne refuzim te menjëhershëm te vizës pavarësisht qe faji nuk ishte tek unë, dhe pavarësisht qe autoritetet marokene tashme ishin njoftuar për mbërritjen time atje. I menjëhershëm ka qene intervenimi i organizatoreve te konferencës, Kabinetit te Ministrit te Punëve te Jashtme te Kosovës, zv/kryeministrit z. Enver Hoxhaj, Ambasadorit Rexhep Boja te cilët për 2 dite tentuan te zgjidhnin problemin por ishte e pamundur, si pasoje edhe e mos njohjes se shtetësisë se Kosovës nga ana e Marokut”, ka bërë të ditur ajo përmes një njoftimi për media.

Elvana Shala u nis drejt Marokut me 20 shtator, me ftesë të drejtorit organizativ të Samitit Afrikan për Lidership që nisi punimet me 21 shtator, të cilat zgjatën deri sot.

Ambasadorja Shala ishte e ftuar si një prej folësve kryesorë në panelin “Paqja dhe Siguria në kontinentin Afrikan”.

Përveç kësaj, ishte organizuar edhe një sesion special mbi prezantimet e shteteve pjesëmarrëse, ku Shala në cilësinë e përfaqësues së Kosovës do të fliste mbi historikun e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme