Emeli Sande shkëput bashkëpunimin me studion e saj incizuese

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Ylli i hitit “Next To Me”, Emeli Sande, e ka shkëputur kontratën e bashkëpunimit me studion incizuese “EMI”, pas një dekade. Kjo pasi këngëtarja ka ndier shumë presion për ta ndjekur suksesin e albumit debutues të vitit 2012, “Our Version Of Events”.

Thuhet që Sande tani po ndihet më e relaksuar për të ardhmen e saj muzikore.

“Emeli dhe studioja e saj incizuese kanë vendosur ta shkëpusin bashkëpunimin pas dhjetë vjetësh. Ajo ka kaluar shumë mirë me ta dhe ka qenë e kënaqur me këtë bashkëpunim, si dhe falë përkrahjes së tyre ka arritur suksese të jashtëzakonshme në muzikë me albumin debutues. Por dy albumet e saj të radhës nuk patën shitje të mira, dhe kjo ka qenë një përvojë e vështirë për të. Kështu, Emeli diskutoi me udhëheqësit e kompanisë dhe së bashku vendosën se është koha e duhur për t’u larguar. Tani ajo është duke punuar shumë rreth albumit të ri, dhe me largimin e presionit që po e ndjente, Emeli tani është shumë më e relaksuar dhe optimiste për muzikën e saj”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me këngëtaren.

Në dhjetor të vitit të kaluar, 33-vjeçarja Sande e zbuloi se po pauzonte nga rrjetet sociale për t’u fokusuar në realizimin e këngëve të reja.

Ndërsa në të kaluarën, Emeli ka thënë se kishte dyshuar nëse do të duhej ta vazhdojë karrierën e saj muzikore, ngase vuante nga ankthi dhe depresioni i rëndë pas ndarjes nga bashkëshorti, Adam Gouraguine, në vitin 2013, më pak se një vit pasi ishin martuar.

Këngët më të dëgjuara të këngëtares britanike mbesin: “Read All About It”, “My Kind Of love”, “Daddy”, “Nex To Me”, “Hurts”, “Clown”, “Beneath Your Beautiful”, “Wonder” dhe të tjerë.

Të ngjashme