Era Istrefi në mesin e yjeve që pritet të pushtojnë botën më 2019

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja kosovare, Era Istrefi, është përfshirë në listën e personave që pritet të pushtojnë botën në vitin 2019.

“Politico” që bën listën e 28 personave që pritet të kenë ndikim në botë në vitin vijues, këtë herë ka përfshirë Istrefin si ambasadore të Kosovës.

“Era Istrefi po e vendos Kosovën në hartë – edhe nëse dikush nuk e do aty. Popkëngëtarja 24-vjeçare nga Prishtina ka shijuar një rritje të shpejtë ndërkombëtare. Pasi një prej hiteve të para shqipe u bë hit global dhe i siguroi kontratën e parë me një label amerikan, ajo arriti të bashkëshkruajë dhe performojë himnin e Kampionatit Botëror ‘Live It Up’, bashkë me yjet amerikane Nicky Jam dhe Will Smith”, shkruan “Politico” në versionin e Evropës.

Ky medium e vlerëson Erën si një përfaqësuese e gjeneratës së re të kulturës dhe sportit që po promovojnë shtetin.

“Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, Istrefi është pjesë e gjeneratës së re të artistëve dhe yjeve të sportit që po promovojnë vendin – dhe Ballkanin – si imazh alternativ në krahasim me atë të dominuar nga varfëria, krimi dhe politikanët e korruptuar që grinden për të ardhmen”, shton “Politico”.

Për Kosovën, krahas Erës përmenden edhe yjet Rita Ora e futbollisti i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri. Por për dallim nga ta, “Politico” shkruan se “Istrefi është 100 për qind e rritur në vendlindje – provë për fansat e saj në vend se talenti mund të depërtojë”.

Era për vitin 2019 synon të sjellë albumin e saj të parë. “Politico” ka përmendur edhe stilin muzikor të Erës që krahasohet me Sian dhe Rihannan.

“Edhe pse nuk këndon për politikë, beteja për të ardhmen e Kosovës ia kërcënoi momentin në Botëror. Rusia, që nuk njeh territorin, refuzoi ta linte të hynte me pasaportë kosovare. Fatmirësisht, Shqipëria i dha nënshtetësinë, duke ia mundësuar asaj performancës në ceremoninë e ndjekur nga miliona njerëz”, shkruan “Politico”.

“Veç fakti që isha aty, ishte deklaratë e mjaftueshme politike”, ka thënë ajo.

“Politico” ka shkruar po ashtu se Era me shqiponjë përmes Instagramit ka kërkuar njohje për Kosovën në gjithë botën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme