Ermal Meta sërish në Sanremo: Do t’ju habis!

Prishtinë | 19 Dhj 2017 | 12:52 | Nga

Kantautori me origjinë shqiptare i bashkohet “Sanremo 2018”. Kënga që do të interpretojnë në duet me këngëtarin italian Fabrizio Moro titullohet “Nuk më keni bërë asgjë”. Në të rrëfehet frika që shoqëron njerëzimin në ditët e sotme, ajo ndaj terrorizmit

Vetëm pak ditë më parë, Google publikoi listën me 10 personazhet më të kërkuar ndër të cilët ishte edhe muzikanti me origjinë shqiptare, tanimë një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës në Itali. Bëhet fjalë për Ermal Metën, tekstshkruesi i hiteve më të rëndësishëm në vendin fqinjë, si dhe një nga këngëtarët më në zë të momentit. Vitin e kaluar në “Sanremo”, ai u rendit si i treti mes finalistëve me këngën “Vietato morire” (“E ndaluar të vdesësh”), që mban dhe emrin e albumit, i cili është vlerësuar me çmimin “Disku i Artë”.

Nuk do të mungojë as këtë vit në skenën e “Ariston”, ku do të marrë pjesë me një bashkëpunim me Fabrizio Moro-n, një tjetër zë shumë i dashur për publikun italian, njëkohësisht edhe një nga protagonistët e vitit të kaluar. “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), titullohet kënga në të cilën rrëfehet frika që shoqëron njerëzimin në ditët e sotme, ajo ndaj terrorizmit.

Të dy këngëtarët rrëfejnë se u janë dërguar shumë mesazhe në të cilat fansat e tyre tregonin se kishin frikë të merrnin pjesë në koncertet e tyre pavarësisht dëshirës e madhe. Dhe ka qenë pikërisht kjo shtysa që ata të krijonin një këngë të tillë. Dy këngëtarët janë takuar verën e kaluar në “Battiti live”, ku janë përballur artistikisht dhe nga ky shkëmbim reciprok ka lindur kjo këngë, të cilën vetëm më vonë kanë vendosur ta prezantojnë në festival. I pyetur për pjesëmarrjen e tij në “Sanremo”, Meta pavarësisht se dikush mund t’i ketë këshilluar të kundërtën ka nënvizuar mendimin e tij për mediet italiane “Përse nuk duhet të kthehesha?

Gati një vit më parë isha atje thuajse, duke u lutur që të më merrnin dhe tani që gjërat po më ecin mbarë duhet të bëj interesantin? Është diçka absurde. Sanremo është bërë eventi gjigant që ne njohim pikërisht pasi artistë të rëndësishëm janë bërë pjesë e tij…, nuk është vendi i rimëkëmbjeve për këngëtarët, është një shans i mirë për t’u shijuar në qetësi pa qenë i fiksuar ndaj garës”, shprehet Meta për mediet italiane.

Ndërkohë që këngëtari është duke përgatitur një disk të ri, në të cilën do të përfshihet edhe kënga pjesëmarrëse në “Sanremo 2018”, “Non mi avete fatto niente”. “Kisha nisur të punoja për diskun e ri, isha duke ecur mirë, madje pothuajse e kisha përfunduar, por më pas ndryshova mendje, ndjeva se kisha nevoja të tjera artistike dhe nisa të punoj rreth një projekt disi më ndryshe, ai që do të dëgjoni pas Festivalit”, është shprehur artisti. Pas albumit “Vietato morire” muzikanti shqiptar shprehet se do të kishte qenë e vështirë për të të gjente të njëjtin ekuilibër, të bënte një album aq të balancuar.

“Mirëpo do të ju habis, sepse rezultati më ka surprizuar edhe mua, mezi po pres që ta dëgjoni…, ndërkohë praktikisht kam dy disqe gati”, ka shtuar ai. Gjatë këtyre ditëve Ermal është mbyllur ditë e natë në studiot e tij të regjistrimit për të përfunduar albumin e tij të ri për të cilin po kujdeset personalisht në të gjitha këndvështrimet. Një disk që do të dalë në datën 9 shkurt dhe që do të përfshijë këngë të shkruara pas eksperiencës në “Sanremo 2017”, me përjashtim të njërës prej tyre të cilën e risjell nga krijimet e së shkuarës. Pra pas vitit 2017 që e ka kurorëzuar si një nga kantautorët më të fortë të panoramës muzikore italiane, 2018-a është gati për të rezervuar një tjetër vit me suksese e sodisfaksione të mëdha për Ermal Metën.

Biografia

Ermal Meta (1981) lindi në qytetin e Fierit, ku ka studiuar në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”. Në vitin 1994 u transferua së bashku me familjen në Bari të Italisë, ku në vitin 2007 themeloi grupin “La fame di Camilla”, me të cilin realizon tre albume. Në albumin e tij të parë përveçse një kënge në gjuhën shqipe ai trajton edhe tematika të emigracionit. Grupi do të ishte ndër më të vlerësuarit nga kritika, ndërsa Ermali një nga komponentët më me rëndësi dhe shumëdimensional pasi ai shkruan tekste, këndon, i bie pianos dhe kitarës.

Në 2012 Ermali do të nisë një karrierë të suksesshme si kantautor, që do ta çojnë në bashkëpunime me këngëtarë italian të njohur, si Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, Chiara Galiazzo, Patty Pravo (me të cilën edhe këndon “Non mi interessa”) etj. Talenti i tij qoftë si kantautor, apo edhe si këngëtar i ka hapur atij dyert e “Sanremos” për vite me radhë.

Skenës së “Sanremos” ai i ka dhënë nga vetja edhe si kantautor, në bashkëpunime me këngëtarë të suksesshëm, si Annalisa me këngën “Non so ballare”, dhe Chiara me “Straordinario”. Në 2006 merr pjesë për herë të parë me grupin Ameba4. Për t’u rikthyer në 2010 me grupin “La fame di Camilla”. Ka qenë pjesë e “Sanremos së të rinjve”. U vlerësua me çmimin gjatë vitit të kaluar edhe do të rikthehet sërish në “Sanremo 2018”.

Të ngjashme