Festivali “Mirëdita, Dobar dan!” nga 30 maj – 2 qershor në Beograd

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 13:19 | Nga

Edicioni i radhës i Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” do të organizohet në Beograd nga data 30 maj deri më 2 qershor 2018, bëjnë të ditur organizatorët e tij përmes një njoftimi për media, duke e konsideruar si një mundësi unike për të prezantuar skenën artistike dhe kulturore të Kosovës për audiencën e Beogradit.

Duke i prezantuar publikut performanca të ndryshme, që përfaqësojnë skenën kulture artistike moderne të Kosovës, festivali ka për qëllim të iniciojë ndryshime kulturore dhe sociale në Kosovë dhe Serbi. Festivali mëton që të krijojë një traditë bashkëpunimi përmes artit, e cila do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ngjashëm me vitet e kaluara, vizitorët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth skenës kulturore të Kosovës, përmes perfornancave muzikore, filmave, koncerteve dhe ekspozitave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit i dedikohet debateve dhe diskutimeve mbi të kaluarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe rrjetizimit mes dy shoqërive.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan!” 2018 do të hapet zyrtarisht me 30 maj, me shfaqjen e filmit “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit, fitues i çmimeve ‘Critics and Special Jury prizes në Tallinn Black Nights Film Festival.

Në të njëjtën ditë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor do të prezantohet ekspozita e karikaturistëve nga Kosova dhe Serbia: Murat Ahmeti dhe Mentor Llapashtica dhe Predrag Koraksic Corax, e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Gjatë ditëve të tjera të festivalit, vizitorët do të kenë mundësi të jenë pjesë e kulturës kosovare përmes muzikës, nën performancën e pesë artisteve të talentuara të Ansamblit “Zánat”, instalacionin me fotografi të Eliza Hoxhës të titulluar “Midis ëndrrës dhe realitetit“, e cila do të prezantohet për adhuruesit e artit pamor dhe kontemporan.

Shfaqja teatrore “Copë – Copë” me regji të Zana Hoxha Krasniqit, do të ilustrojë një vështrim më të thellë të procesit të kujtimeve dhe transformimit të dhimbjes. Këtë vit, siç thuhet në njoftim, debati do të fokusohet në ekspolorimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, me temën “Kosova – Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”

Festivali “Mirëdita, Dobar dan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas. Për më shumë informacion rreth festivalit, mund të mësoni në uebfaqen www.mireditadobardan.com dhe faqen e FB.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme