Fitorja befasuese e “Palmës së artë” nga regjisori japonez

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 14:33 | Nga

Fitorja e regjisorit japonez Hirokazu Kore-eda solli befasi në Festivalin e Filmit në Cannes, kur ai triumfoi me dramën e tij “Shoplifters” në natën finale të edicionit të 71-të të festivalit prestigjioz francez. Regjisori kur doli në skenë për ta marrë çmimin foli në japonisht dhe ia dedikoi fitoren tërë ekipit të produksionit të përfshirë në film.

Historia e këtij filmi fokusohet në një grup të papërshtatshëm dhe mashtrues të Tokios, të cilët formojnë një familje alternative duke marrë fonde për fëmijë nëpër rrugë. Ky film është vlerësuar si “Oliver Twist” i ditëve moderne. Në film luajnë Lily Franky dhe Sakura Ando, dhe ka të bëjë me një familje, e cila ekzistencën e gjen duke vjedhur nëpër dyqane, derisa përballet me varfërinë. Osamu Shibata (Franky), e cila punon kohë pas kohe është e martuar me Nobuyo (Ando), i cili ka një punë që paguhet pak, por familja varet më së shumti nga pensioni i gjyshes. Osamu e merr djalin e tij për të vjedhur në dyqane të ushqimit dhe e gjen një vajzë të pastrehë, Yuri. Osamu e merr Yurin në shtëpi, ku në mënyrë joformale familja e adopton atë. Megjithatë, Policia e Tokios e vëren se Yuri mungon dhe e nisin kërkimin.

Ndërkohë, regjisori amerikan Spike Lee mori çmimin e madh të jurisë “Grand Prix” për filmin e tij “BlacKkKlansman”. Filmi sjell storien e një polici me ngjyrë, i cili është i infiltruar në “Klu Klux Klan”. Samal Yeslyamova nga Kazakistani mori çmim si aktorja më e mirë për rolin e saj si nënë e vetme dhe e papunë në filmin “Ayka” të Sergey Dvortsevoy. Aktori amerikan Marcello Fonte, mori çmimin për aktorin më të mirë në Cannes për performancën e tij në filmin “Dogman” Matteo Garrone. Filmbërësi polak Pawel Pawlikowski fitoi çmimin për regjinë më të mirë me filmin e tij “Cold War”, që është një histori dashurie, ngjarja e të cilës zhvillohet në mes të viteve ’40 e ’50, në kohën kur Polonia ishte nën sundimin komunist.Në vitin 2017, çmimi kryesor i takoi satirës suedeze “The Square”, i cili më pas u nominua për “Oscar”.

Përtej fituesve të çmimeve, edicioni i 71-të i festivalit të Cannes, i cili zuri vend prej datës 8 deri më 19 maj, do të kujtohet për disa momente jashtë ekranit. Ky ka qenë edicioni i parë i festivalit të Cannes që kur u krijua lëvizja “#metoo”, pas skandalit të producentit hollywoodian Harvey Weinstein, që mori akuza të shumta për ngacmim seksual nga dhjetëra gra. Në natën përmbyllëse të festivalit, aktorja Asia Argento ka thënë se ka qenë një prej grave e cila ka qenë e detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me Weinstein në vitin 1977, kur ajo ishte 21-vjeçare. Dhunimi i supozuar, ajo ka thënë, se ka ndodhur gjatë festivalit të Cannes.

“Ky festival ka qenë vendi i gjuetisë për të. Dua të bëj një parashikim: Harvey Weinstein nuk do të jetë më kurrë i mirëpritur këtu”, ka thënë Argento.

Pasi që plasi skandali me Weinstein, dhjetëra gra të tjera në industrinë e filmit dolën dhe akuzuan atë për keqpërdorim të fuqisë në kërkim të favoreve seksuale.

Yjet e Hollywoodit, përfshirë këtu Cate Blanchett, Kristen Stewart, Helen Mirren dhe Salma Hayek, si dhe regjisoret Ava DuVernay e Patty Jenkins, organizuan protestë në tepihun e kuq në kërkim të mundësive të barabarta në biznes dhe “hapësirë të sigurt të punës” për të gjitha gratë dhe burrat. Aktorja australiane Cate Blanchett ka qenë kryesuesja e jurisë këtë vit, derisa aktorja amerikane Kristen Stewart dhe regjisorja Ava DuVernay kanë qenë pjesëtare të jurive. Organizuesit e festivalit, po ashtu, nënshkruan një premtim formal për të inkurajuar më shumë barazinë gjinore në përzgjedhjen e tij deri në vitin 2020, duke thënë se shpresojnë që kjo do të ndihmojë të vendoset një standard në industri. Cannes për vite është akuzuar për disbalancë gjinore në përzgjedhjen e filmave për shfaqje gjatë netëve të festivalit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme