Fotografi e rrallë e Shyhrete Behlulit dhe Shkurte Fejzës nga koha kur flisnin mes vete

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Një fotografi e rrallë e “bilbylave të Mushtishtit” po qarkullon qe disa ditë nëpër rrjete sociale, shkruan Express.

Në këtë fotografi shihen këngëtaret Shyhrete Behluli, Shkurte Fezja dhe Gili.

Ndryshe, kjo është një prej fotove të vjetra që Fejza dhe Behluli kanë bashkë.

Fotografi të përbashkëta të tyre që janë realizuar viteve të fundit s’mund të gjeni. Arsye për këtë janë hatërmbetjet mes tyre.

Dyshja e pandashme e skenës për vite me radhë, ka kohë që s’flasin me njëra-tjetrën.

Arsyeja e saktë e prishjes së raporteve mes tyre ende nuk dihet, mirëpo besohet të jetë ceremonia e 40-vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës.

Shyhretja në disa intervista e konfirmoi në një farë forme se prishja e raporteve mes tyre kishte ardhur në 40-vjetorin e karrierës së Shkurtes, në të cilën ajo pohoi se ishte e pranishme, por që nuk pranoi ndonjë falënderim publik nga Shkurta për tërë këto vite bashkëpunim.

“Është e vërtetë që në 40-vjetorin e karrierës të Shkurtes unë kam qenë e pranishme, kam qenë si publik, si të gjithë të tjerët. Por nuk është përmendur emri im, është shumë e vërtetë, edhe pse kemi pasur një karrierë thuja 30 e më tepër vjet. Ndoshta kjo ishte arsyeja”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Shkurte Fejza asnjëherë nuk kishte pranuar të tregonte arsyet që çuan në prishjen e raporteve mes tyre. Megjithëse pohoi se Shyhretja ishte ajo që u distancua pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm.

“Nuk do të dëshiroja të flas për këtë çështje. Unë kursehem nga këto gjëra në maksimum, sepse edhe si natyrë jam e tillë. Punoj dhe i shikoj punët dhe preokupimet e mia dhe të familjes dhe besoni mjaft po më dalin. Shpesh po më thonë edhe shoqet pak po del në qytet për kafe dhe vetëm ti po na mungon. Dhe e dyta nuk dëshiroj të flas për këto çështje, sepse dua të jem e kujdesshme që në asnjë mënyrë mos t’i rëndoj adhuruesit e mi e sidomos ata të Shyhretes, poashtu edhe ata që i kemi të përbashkët. Unë dhe Shyhrete Behluli jemi nga i njëjti fshat dhe kemi kënduar një kohë të gjatë bashkë, sepse jemi të një gjenerate. Poashtu ajo është kushërirë e Hajrushit. Kjo është ajo që na ka lidhur ne të dyjave.

Por të gjithë ata që na njohin nga afër e din se ne si njerëz, kemi karaktere krejt të ndryshme. Kështu që është mirë që kemi bashkëpunuar dhe jemi shoqëruar një kohë të gjatë. Katër vitet e fundit pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm, ajo është larguar dhe mua nuk më ka mbetur hatri dhe e kam pranuar një gjë të tillë si një çështje krejt normale. Kur ka pas nevojë ajo për mbështetjen time, nuk jam kursyer asnjëherë. Tani ajo vazhdon rrugën e saj dhe unë timen pa patur nevojë që të merremi me njëra-tjetrën.”, kishte deklaruar ajo në një intervistë.

Të ngjashme