“Future Nostalgia” i Dua Lipës pushton Britaninë

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Javën e kaluar, Dua Lipa për pak sa nuk u ngjit në vend të parë për herë të parë në karrierën e saj me albumin e saj të ri “Future Nostalgia”. Albumi i ri i këngëtares mbeti prapa albumit “Calm” të pop-bendit “5 Seconds of Summer”, i cili e mposhti atë për më pak se 600 kopje të shitura.

E tani, një javë më vonë, “Calm” ka rënë nga froni, ndërsa vendin e parë e ka zënë “Future Nostalgia”.

“Future Nostalgia”, nga vendi i dytë doli në të parin, duke u bërë kështu albumi i parë i Dua Lipës që zë vendin e parë në Britani. Albumi i saj debutues i vetëtitulluar arriti vetëm në vendin e tretë, por i ndihmoi asaj të bëhet emër i njohur në Britani të Madhe e më gjerë, raporton “Forbes”.

Deri më tani, “Future Nostalgia” ka arritur tri fitore të mëdha në top-listat e singlave, e Dua Lipa me siguri se vetëm sa ka filluar me promovimin e projektit. Kënga e parë ishte “Don’t Start Now”, që u bë një nga këngët më të mira në botë këtë vit. Edhe ky singël për pak sa nuk arriti vendin e parë në Britani, por jo – mbeti në vendin e dytë, transmeton KOHA.

Singli i dytë “Physical” u ngjit në vendin e tretë, e në të njëjtën kohë, “Break My Heart”, që është identifikuar si singli i tretë i dalë nga albumi, debutoi në pozitën e 6-të.

“Future Nostalgia” është albumi i dytë i këtij viti që dështon të debutojë në vendin e parë por që më vonë e mbërrin këtë. Qysh në fillim të këtij viti, ishte albumi “Heavy” i Stormzyt që dështoi ta zë kreun, por atë e kapi më vonë.

Për këtë të arritur, ka reaguar edhe vetë artistja përmes një postimi në Instagram.

“Numër 1 në vendin tim dhe 3 këngë në top-10. Faleminderit Britani, + 4 këngë në top-5 në SHBA!! O Zoti, s’po mund t’u besoj syve!!! Faleminderit miliona herë që e bëtë këtë të mundur! Edhe kah po e shkruaj këtë po më duket e pabesueshme! Ju dua, gjithmonë”, shkroi ajo.

Gëzimit nuk iu nda as babai i Duas, Dukagjini. Përmes një postimi në Facebook, ai tha: “Çfarë dite, jam në izolim por jam në qiell. Urime Dua Lipa për vendin e parë me album në Britani të Madhe. S’mund të jem më i lumtur. Albumi #nr1 në Britani. 3 këngë në top-10 në Britani. 4 këngë në top-5 në SHBA”.

Të ngjashme