Harry dhe Meghan paralajmërojnë projektin e parë të fondacionit “Archewell”

Prishtinë | 21 Dhj 2020 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Princi i Britanisë së Madhe, Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle, e bënë të ditur lajmin se fondacioni i tyre i ri bamirës po bashkëpunon me organizatën jofitimprurëse, “World Central Kitchen”, dhe shefin e famshëm të kuzhinës, Jose Andres, për t’i ushqyer gjithë personat e uritur në vendet e prekura nga katastrofat e ndryshme natyrore anembanë botës.

Duka dhe Dukesha e Sussexit së bashku me fondacionin e tyre jofitimprurëse “Archewell Foundation”, po i bashkojnë forcat me shefin Jose Andres, për t’i ndërtuar disa qendra që u dalin në ndihmë komuniteteve.

Këto qendra bamirëse do të shërbejnë si struktura të përhershme të cilat mund të hapen me shpejtësi, si kuzhina shërbimi gjatë emergjencave të tilla si katastrofat natyrore, dhe gjithashtu mund të shërbejnë si qendra të shpërndarjes së ushqimit, shkolla apo klinika mjekësore.

“Shëndeti i komuniteteve tona varet nga aftësia jonë për t’u lidhur me anën tonë humanitare. Kur mendojmë për shefin e kuzhinës, Jose Andres dhe ekipin e tij të mrekullueshëm në organizatën ‘World Central Kitchen’, na kujtohet që edhe gjatë një viti jashtëzakonisht të vështirë, ekzistojnë shumë njerëz të mirë që janë të gatshëm të punojnë pa u lodhur për ta mbështetur njëri-tjetrin”, citohet të kenë thënë Princi Harry dhe Meghan Markle në një komunikatë për media.

E para nga katër qendrat e planifikuara do të hapet vitin e ardhshëm, në Ishullin e Karaibeve Dominica, i cili u godit nga uraganet Maria dhe Irma në vitin 2017. Qendra e dytë do të ndërtohet në Puerto Rico, vend ky po ashtu i goditur rëndë nga këto stuhi.

Ky projekt bamirës do ta kërkojë ndihmën edhe të organizatave dhe fondacioneve tjera, për të ndërtuar më shumë qendra të këtilla anembanë botës.

Harry dhe Maghan hoqën dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore në fund të muajit mars, dhe u zhvendosën në Kaliforni ku kanë marrë vëmendje të madhe mediatike dhe janë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së publikut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme