I jepet lamtumira e fundit Rexhep Maksutajt, mbledhësit të devotshëm të folklorit

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Ka vdekur në moshën 68 vjeçare, Rexhep Maksutaj, arsimtar, mbledhës i devotshëm i folklorit e i pasionuar në trashëgiminë kulturore.

Ai ishte nga fshati Isniq i Deçanit, konservues i rëndësishëm i traditës shqiptare. Maksutaj ka qenë pika referente për kullën unike të Osdautajve e kullave të tjera në këtë fshat, për lisin qindra vjeçar po ashtu emblematik të fshatit, sikurse edhe për traditat e kulturës shpirtërore të asaj ane.

Komuna e Deçanit sot ka mbajtur mbledhje komemorative në nderim të veprës së tij.

E për vdekjen e papritur të Maksutajt kanë shprehur dhembje edhe miq e bashkëpunëtorë të tij.

Sali Shoshi, drejtor i organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, ka shkruar se “Baca Rexhë, një mbledhës i devotshëm i folklorit, një arsimtar i respektuar në fshatin Isniq dhe një mik shumë i nderuar i imi na la sot, në moshën 68 vjeçare”.

“Baca Rexhë kontribuoi pa masë në gjurmimin e thesarit popullor duke mbledhur dhe dokumentuar gojëdhena, këngë, tradita popullore të cilat me dashuri i transmetonte të gjeneratat e reja. Miku im, faleminderit shumë për punën tënde – të jemi shumë borxhli”, ka shkruar Shoshi. “I lehtë të qoftë dheu i Isniqit, që e deshe aq shumë”, ka shtuar më tej.

E ka kujtuar edhe hulumtuesja nga Austria, Ann Christine Eek, që ka vizituar shpesh Isniqin për të studimet e saj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Maksutajt.

“Rexhep Maksutaj nga Isniqi, ish-mësimdhënës i Anglishtes, hulumtues i historisë dhe i traditës, mik i mrekullueshëm, na la sot në moshën 68 vjeçare. Ngushëllimet e mia për një humbje kaq të madhe për familjen, kolegët e tij dhe Isniqin. Ai ishte personi i cili gjithmonë ishte aty kur vizitoja fshatin, si në këto fotografi nga viti 2000 dhe 2009”, ka shkruar ajo në anglisht. “Ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe gjithë fshatit Isniq”, e ka shkruar në shqip, Ann Christine.

Etnologu Tahir Latifi, po ashtu i ka dhënë lamtumirën e fundit, mikut të tij,

Rexhep Maksutaj. Edhe Latifi, që ka studiuar familjen e gjerë në Isniq, ka ndarë momente të mira nga takimet me Maksutajn.

“Para 10 ditëve u pamë, për herë të fundit. Në vend se këta rreshta të shkruheshin për punën tënde, të palodhshme studimore etnografike, tani po i shkruaj për mort! E dhimbshme pamasë! Ju, duke qenë një njohës dhe studiues i zellshëm e entuziast i kulturës dhe traditës shqiptare, gjatë punës time kërkimore në Isniq, në kuadër të projektit të studimeve doktorale, ju ishit njëri ndër personat kyç, me të cilin konsultohesha vazhdimisht. Pusho i qetë miku im! U prehsh në paqe!”, ka thënë ai.

Rajmonda Ahmetaj, zëdhënëse në Vetëvendosje, ka kujtuar Maksutajn, si mësues i saj i parë i dramës e si autor i dramave “Ujku”, “Mikesha”, “Mësuesi im nuk vdes kurrë” dhe librit monografik “Isniqi ndër shekuj”.

“Do ta kujtojmë si një profesor të çmuar, artdashës dhe një njohës të madh të trashëgimisë kulturore. Mësuesi im nuk që nuk vdes kurrë u prefsh në paqe!”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme