Ilda Bejleri në telashe, policia i sekuestron makinën dhe nis hetimin me dy akuza

Prishtinë | 13 Shk 2020 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Aksidenti i shkaktuar në datën 12 shkurt (ditën e mërkurë) pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë do të ketë pasoja për Ilda Bejlerin, moderatoret e Top Channel dhe emisionit Procesi Sportiv, duke qenë se gruaja 63-vjeçare ndodhet në spital dhe ka marrë fraktura në këmbë (mund të operohet) por sidomos sepse bukuroshja e ekranit u largua nga vendi i ngjarjes.

Pikërisht akuzat për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe largimi nga vendi i ngjarjes peshojnë mbi 33-vjeçaren, sipas njoftimit zyrtar të policisë.

Reagimi i plotë i Policisë

Informacion përfundimtar në lidhje me aksidentin e ndodhur mesditën e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta”, Tiranë.

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin “Gjergj Fishta”, më datë 12.02.2020, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe.

Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme