Izolohet Tom Cruise: Pjesa dërmuese e “Mission Impossible” infektohem nga Coronavirusi

Prishtinë | 04 Qer 2021 | 20:59 | Nga Ekonomia Online

Aktori veteran, Tom Cruise, është detyruar që t’i nënshtrohet vetizolimit për dy javë, pasi që 14 pjesëtarë të ekipit të filmit “Mission Impossible 7” kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus. 58-vjeçari është raportuar se një ditë ka bërë xhirime me katër valltare, të cilat kanë rezultuar si të infektuara me koronavirus.

Pjesa më e re e filmit ka qenë duke u xhiruar në Surrey të Britanisë së Madhe, mirëpo realizimi është ndalur përkohësisht teksa ekipi prej 60 anëtarësh është vetizoluar. Dhjetë anëtarë të ekipit kanë rezultuar pozitivë që prej konfirmimit të rasteve të para, ndërkaq aktori Cruise është izoluar prej të martës.

“Tom Cruise është i pakënaqur me atë që ka ndodhur, sidomos pasi që qortoi ekipin gjatë vitit të kaluar. Do të ndikojë shumë në xhirime”, ka thënë një burim për gazetën britanike “The Sun”.
“Katërmbëdhjetë veta janë të infektuar – shumica e tyre kanë qenë pjesë e ekipit të afërt me Tomin. Tani krejt ekipi prej 60 personash janë izoluar për 14 ditë”, ka thënë burimi.

Ekipi gjithashtu ka kryer xhirimet në Yorkshire, por së fundmi ka kaluar në periferi të Londrës. Xhirimi i “Mission Impossible 7” është ndalur disa herë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Xhirimet janë bërë në Itali, Britani të Madhe dhe në Norvegji.

Gjatë muajit dhjetor pesë anëtarë të ekipit u larguan nga puna për shkak se u qortuan nga aktori Cruise për shkelje të masave për mbrojtje nga koronavirusi.

Burimet kanë thënë se me të mësuar lajmin për rastet e reja me Covid-19, aktori ka qenë edhe më i acaruar dhe tensione ka pasur në ekipin e produksionit.

“Pakënaqësia është rritur në muajt e fundit, ndërkaq kjo e fundit ishte kupa. Kur rastet u bënë publike ka pasur pakënaqësi dhe disa anëtarë janë larguar”, ka thënë burimi.
“Cruise nuk ka mundur të duronte këtë vonesë të madhe për xhirimet e filmit. Ai ka qenë i pakënaqur, sepse askush nuk e mori për seriozisht”, ka thënë veç të tjerash ky burim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme