Jeremy Renner kërkon zvogëlimin e alimentacionit për të bijën shkaku i Coronavirusit

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Aktori i njohur 49-vjeçar, Jeremy Renner, i ka dorëzuar dokumentet ligjore në gjykatën e Los Angelesit ku ka kërkuar zvogëlimin e shumës së alimentacionit prej 30.000 dollarësh, të cilin ia paguan ish bashkëshortes, Sonni Pacheco, për vajzën e tyre 7-vjeçare Ava.

Aktori ka deklaruar se shumica e filmave ku planifikohej të luante gjatë këtij viti, nuk do të realizohen për shkak të pandemisë së Coronavirusit, transmeton Koha.

Jeremy e pranoi se viti 2020 do të ishte më pak fitimprurës për të, për shkak të përfundimit të serisë së filmave “Avengers”, por megjithatë ai kishte angazhime në filma të tjerë të cilët aktualisht janë pezulluar.

Sipas uebfaqes TMZ, në dokumentet e tij aktori ka shkruar: “Mendohet se shumica e projekteve të mija filmike nuk do të realizohen deri në fund të këtij viti. Të gjitha projektet të cilat i kisha rezervuar t’i xhiroj këtë vit janë anuluar ose shtyrë për një kohë të pacaktuar.”

Edhe pse Renner nuk e ka caktuar shumën e reduktuar, ai thotë se beson që “nevojat e arsyeshme” të vajzës së tij Ava, ku përfshihet banimi, ushqimi, transporti dhe rrobat dhe veshmbathjet mund të mbulohen me 11.000 dollarë në muaj.

Ylli i filmave “Bourne Legacy” po ashtu ka deklaruar se ish-bashkëshortja e tij, po i shfrytëzon paratë e alimentacionit për nevojat e saja personale dhe jetën luksoze.

Renner gjithashtu i ka kërkuar gjykatësit t’i lejojë menaxherët e tij të biznesit që ta kontrollojnë llogarinë bankare të vajzës së tij.

Aktori i famshëm, Jeremy Renner dhe modelja dhe aktorja, Sonni Pacheco kishin qëndruar të martuar për vetëm 10 muaj, dhe shkurorëzimi i tyre deri në këtë ditë është përcjellë me akuza të ndërsjella dhe beteja ligjore rreth kujdestarisë së 7-vjeçares Ava.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme